Fjala e Presidentes Jahjaga në ceremoninë e inaugurimit të Zyrës së Dhomës Ekonomike të Grave të Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Zyrës së Dhomës Ekonomike të Grave të Kosovës – G7.

Në një fjalë mbajtur me këtë rast, Presidentja Jahjaga tha:
 
Të nderuar pjesëmarrës,

Vitin e kaluar në po të njëjtën kohë u mblodhëm për ta lansuar themelimin e Dhomës Ekonomike të Grave të Kosovës, mekanizëm i dalë nga Samiti Ndërkombëtar i Gruas, që u organizua këtu në Prishtinë, që shënoi dhe hapin e parë në jetësimin e Parimeve të Prishtinës, që dolën si rezultat i këtij samiti.
 
Gjatë zhvillimit të Samitit dhe gjatë diskutimeve, e pamë si të rëndësishme krijimin e kësaj Dhome, së bashku me ish-ministren e Tregtisë dhe Industrisë, znj. Mimoza Kusari-Lia, dhe mbështetjen e fuqishme të USAID-it, veçanërisht të zonjës Maureen Shaket dhe të ambasadës së SHBA-ve. Ne u bëmë ftesë shtatë grave sipërmarrëse të suksesshme të shtetit tonë që ta udhëheqin këtë projekt, pasi pavarësimi ekonomik i gruas është çështje kyçe edhe në avancimin e mëtutjeshëm të shoqërisë sonë dhe të shtetit tonë dhe se kjo gjithsesi ka një efekt të shumëfishtë, sepse ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien e fëmijës, ndikon drejtpërdrejt në të ardhmen e tyre, ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien e familjes dhe në mirëqenien e gjithë shoqërisë sonë.
 
Fuqizimi dhe pavarësimi ekonomik i gruas është i lidhur ngushtë edhe me pjesëmarrjen e saj në fushat e tjera të jetës, sepse kjo ndikon në shfrytëzimin e potencialit të plotë të grave dhe të vajzave tona, sepse nuk flasim vetëm për një potencial të grave dhe të vajzave tona, por flasim për një potencial të gjysmës së shoqërisë sonë.
 
Statistikat në të tërë botën, si në vendet e zhvilluara dhe në ato në zhvillim, tregojnë se zhvillim i drejtpërdrejtë i një vendi dhe rritja ekonomike e një shteti është e ndërlidhur edhe me shfrytëzimin e potencialit të grave, gjysmës së shoqërisë, dhe pjesëmarrjen e tyre aktive në zhvillimin ekonomik të një shteti.
 
Prandaj, ne edhe si shtet edhe shoqëri jemi të orientuar dhe jemi të përkushtuar që të ndikojmë në mënyrë të vazhdueshme në avancimin e rolit të gruas në shoqërinë tonë. Jo vetëm se kjo është një çështje moralisht e drejtë, por sepse ne jemi të orientuar të ndërtojmë një shoqëri demokratike ku secili anëtar i saj mund të shfrytëzojë potencialin dhe talentin e plotë të tij.
 
Unë jam shumë e bindur dhe pres që Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës, me zyrën e saj të re dhe me strategjinë që keni krijuar, të mund të ofrojë shërbime sa më të mira ndaj të gjitha grave dhe vajzave, përmes përkrahjes ë tyre, përmes trajnimeve, përmes koordinimit, përmes mentorimit të vazhdueshëm, në mënyrë që të jeni afër tyre, si në aspektin e hapjes së bizneseve të reja, si në aspektin e rritjes së bizneseve. Ju jo vetëm që fuqizoni një individ,  fuqizoni një familje, por përmes këtyre projekteve ndikojmë në fuqizimin e shoqërisë sonë, ndikojmë në progresin e vazhdueshëm dhe qëndrueshmërinë ekonomike të shtetit tonë.
 
Dëshiroj të falënderoj zonjën Maureen Shaket dhe USAID-in për mbështetjen e vazhdueshme që i ka ofruar këtij projekti dhe për ndihmën e vazhdueshme ndaj avancimit të rolit të gruas në shoqërinë tonë.
 
Dëshiroj të uroj G-7 për një punë të shkëlqyeshme që keni bërë për këtë vit. Na pret ende punë e vazhdueshme. Dua ta uroj drejtoreshën e porsazgjedhur dhe anëtareve të Bordit u them se e keni pasur dhe do ta keni përkrahjen time, sikur edhe të gjitha gratë e tjera që janë në institucionet tona, si në ligjvënie, po ashtu edhe në nivelin ekzekutiv, në mënyrë që të vendosim bazat e qëndrueshme për përmirësimin e rolit të grave në shoqëri.