Fjala e Presidentes Jahjaga në 20-vjetorin e themelimit të shërbimit shëndetësor të SHHB “Nëna Terezë”

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga mori pjesë sot në shënimin e 20-vjetorit të themelimit të Shërbimit Shëndetësor në kuadër të Shoqatës Bamirëse Humanitare “Nëna Terezë”.

Me këtë rast, Presidentja Jahjaga mbajti në fjalë rasti para të pranishme, të cilën po ua sjellim në vijim:
 
Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës
 
Të nderuar përfaqësues të bashkësive fetare
 
I nderuari zoti Mustafa
 
I nderuari zoti Demaçi
 
Të nderuar pjesëmarrës,
 
Zonja dhe zotërinj
 
Përvjetori i 22-të i themelimit të Shoqatës Humanitare Bamirëse “Nëna Terezë” dhe përvjetori i 20-të i themelimit të shërbimit Shëndetësor në kuadër të kësaj shoqate e dëshmojnë përkushtimin dhe angazhimin tonë për ti dalë zot këtij populli dhe këtij vendi.
 
Në periudhën kur sistemi okupues i mbylli institucionet, kur na largoi  nga puna dhe kur njerëzit mbeten në rrugë pa përkujdesje institucionale ne atëherë nuk e humbëm besimin por u organizuam dhe ndërtuam shtetin tonë Republikën e Kosovës e cila e sfidoi dhe e mundi sistemin okupues.
 
Shoqata Humanitare “Nëna Terezë” ishte nga të parat organizime tonat e themeluar prej intelektualëve, veprimtarëve, mjekëve, ndërmarrësve e profesioneve të tjera e cila u doli në ndihmë qytetarëve.
 
Kjo shoqatë, që shumë veteranë e aktivistë të saj, po i shoh sot këtu me përkushtim dhe vetëmohim, arriti të jetë kudo, në ndihmë dhe në përkujdesje edhe në zonat më të thella të vendit në fshatrat më të izoluara duke dëshmuar kështu aftësinë tonë për organizim, për solidaritet dhe për ndihmë njëri – tjetrit.
 
Shërbimi shëndetësor në kuadër të Shoqatës humanitare bamirëse Nëna Terezë, me punën e vet e gëzoi admirimin dhe gëzimin e popullit por edhe të miqve tanë ndërkombëtar dhe të donatorëve që përkrahën Kosovën me ndihma të llojllojshme.
 
Shoqata Nëna Terezë krijoi ambulancat në gjithë vendin dhe mobilizoi ekipe mjekësh e infermieresh që gjendeshin kudo që populli kishte nevojë,
 
Nëna Terezë ndihmoi edhe Spitalet dhe Shtëpitë e Shëndetit me barna , me medikamente dhe me material tjetër të nevojshëm, duke pasur parasysh faktin se pacientët ishin qytetarët e Kosovës.
 
Të nderuar pjesëmarrës,
 

Nuk është rastësisht që kjo shoqatë e zgjodhi emrin e humanistes së madhe Nënës Terezë e cila është simboli i humanizmit dhe i solidaritetit në të gjithë botën.
 
Nëna Terezë pati me mija aktivistë të shpërndarë në teren, disa prej të cilëve u sakrifikuan duke kryer misionin e tyre humanitar në shërbim të popullit e atdheut.
 
Ky organizim i yni në vitet e okupimit dhe gjatë luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mbetet një nga pjesët më të lavdishme të historisë sonë duke qenë mirënjohës për këtë vepër dhe për kontributin dhe angazhimin e të gjithëve.
 
Humanistja e madhe e lumja Nëna Terezë ka thënë “Jeta është detyrë, përmbushe”, dhe Ju këtë detyrë e keni përmbushur më së miri.
 
Ju faleminderit !