Fjala e Presidentes Jahjaga me rastin e pranimit të çmimit “Leadership in Public Service” nga Nisma Globale Clinton

Sekretare Albright, ju faleminderit për këtë paraqitje të mrekullueshme. Jam thellësisht e prekur.

Presidenti Clinton, Sekretare Clinton,
Zonja dhe Zotërinj, të dashur miq,
Mirëmbrëma.

Sekretare Albright, ju faleminderit për këtë paraqitje të mrekullueshme. Jam thellësisht e prekur.

Është nder i madh të jesh këtu këtë mbrëmje dhe të nderohem me çmimin për “Lidership në Shërbim Publik (Leadership in Public Service)” nga Nisma Globale Clinton (Clinton Global Initiative), nga njerëzit të cilët përmes dedikimit të tyre të pamohueshëm ndaj shërbimit publik dhe lidershipit, si dhe përkushtimit për të sjellë paqe dhe drejtësi dhe për përmirësimin e jetërave të miliona njerëzve në mbarë botën, njëmend e kanë definurar këtë shekull.

Zoti President, Zonja Sekretare, e konsideroj këtë çmim të veçantë  një çmim për popullin e Kosovës, jetërat e të cilëve i keni prekur dhe ndryshuar përjetësisht me vendimin tuaj për ta ndalur gjenocidin, dhe duke qëndruar pranë nesh që nga ajo kohë në ndërtimin e një vendi paqësor dhe demokratik.

Ndërtimi i paqes nuk ka qenë i lehtë. Pesëmbëdhjetë vjet më parë, Kosova ishte një vend i mbuluar me rrënoja. Jetërat ishin të thyera në mijëra fragmente. Familjet ishin të ndara. Shumë prej tyre përjetësisht. Lidhjet në mes të komuniteteve ishin të grisura.

Por nga ky hi, dhe nga këto momente të dhimbjes, një vendosmëri, një vullnet i fortë - e jo dëshpërimi- rilindi. Ne ishim të vendosur të lëvizim përpara, të ndërtojmë një Kosovë të re. Jam shumë krenare që isha pjesë e kësaj ndërmarrjeje. Kosova do të mbetet një tregim i lavdërishëm i shpresës.