Fjala e Presidentes Jahjaga me rastin e lansimit të projektit ”Gratë në institucionet e Sigurisë së Kosovës”

Me shumë kënaqësi erdha sot në këtë ceremoni të lansimit të projektit ”Gratë në Institucionet e Sigurisë së Kosovës”, për të shprehur përkrahjen time për të gjitha gratë dhe vajzat në uniformë, të cilat janë pjesë e institucioneve tona të sigurisë dhe të drejtësisë.

Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës,
Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike,
Të nderuara gra që përfaqësoni institucionet e Sigurisë,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
 
Me shumë kënaqësi erdha sot në këtë ceremoni të lansimit të projektit ”Gratë në Institucionet e Sigurisë së Kosovës”, për të shprehur përkrahjen time për të gjitha gratë dhe vajzat në uniformë, të cilat janë pjesë e institucioneve tona të sigurisë dhe të drejtësisë.
 
Pjesëmarrja e barabartë e gruas në çdo segment të jetës, e sidomos në nivelin e vendimmarrjes qoftë atë lokal apo qendror është vlerë e shtuar për shoqërinë tonë dhe pasqyrim i identitetit të Republikës së Kosovës. Barazia gjinore po shndërrohet sot në një prej çështjeve më të theksuara në shoqëritë në botë, por gjithsesi edhe në shoqërinë tonë, duke kërkuar respektimin e të drejtës së gjithsecilit, një e drejtë e garantuar edhe me Kushtetutën e shtetit tonë që synon të ndërtohet mbi parimet e barazisë.
 
E vlerësoj angazhimin e veçantë, që prej idesë fillestare për themelimin e Shoqatës së Grave të Policisë së Kosovës e deri më sot, të zonjës Flora Macula nga UN-WOMEN, të Ambasadës së Mbretërisë Norvegjeze, zëvendësshefes së misionit të OSBE-së, zonjës Paivi Nikander, së bashku me zonjën Shpresa Çeku Muharremi, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme në forcimin e institucioneve të sigurisë dhe në zbatimin e rendit dhe ligjit.
 
Në Evropën juglindore, një rajon që vazhdon të shihet si përgjithësisht patriarkal, tradicionalisht sektori i sigurisë është konsideruar fushë e rezervuar vetëm për burra, edhe pse gjatë historisë shumë gra kanë luftuar krah për krah me burrat për çlirimin e vendit të tyre, gra që kanë dhënë kontribut shumë të çmuar në ndërtimin e institucioneve të shtetit dhe në zhvillimin e demokracisë.
 
Ne po i thyejmë këto paragjykime me punën dhe angazhimin e palodhshëm dhe profesional të grave në Policinë e Kosovës, në Forcën e Sigurisë së Kosovës, në Shërbimin Korrektues dhe në Shërbimin Doganor.
 
Gruaja me rol vendimmarrës në institucionet e sigurisë është sinonim i një shoqërie të zhvilluar e demokratike dhe ne duhet të angazhohemi dhe të punojmë çdo ditë për realizimin e këtij synimi.
 
Gratë në institucionet e sigurisë e kanë ndryshuar perceptimin e qytetarëve për sigurinë, duke e bërë atë një institucion gjithëpërfshirës. Roli dhe kontributi i gruas është i pamohueshëm në ndërtimin e institucioneve dhe forcimin e shtetit të së drejtës.
 
Përmes profilit të këtyre grave, të pasqyruar në këtë dokumentar, e kuptojmë se sa i rëndësishëm është roli dhe ndikimi i gruas në institucionet e sigurisë, dhe përgjithësisht në shoqërinë tonë, dhe në të njëjtën kohë duhet të angazhohemi që ky rol të fuqizohet edhe më shumë.
 
Ne duhet të përpiqemi dhe të punojmë në vazhdimësi që përfshirja e gruas në sektorin e sigurisë në veçanti dhe në të gjitha fushat e jetës në Kosovës, të rritet. Perspektiva gjinore duhet të jetë pjesë e çdo niveli të institucioneve të sektorit të sigurisë, sepse vetëm kështu do të kemi institucione më të fuqishme gjithëpërfshirëse që përfaqësojnë dhe mbrojnë interesin e secilit qytetar pa dallim.
 
Ne gratë në politikën e vendimmarrje duhet të angazhohemi për promovimin e vlerave që gratë përfaqësojnë në institucionet e sigurisë dhe për tejkalimin e pengesave institucionale për gratë në këtë sektor.
 
Policia dhe Forca e Sigurisë së Kosovës janë ndër institucionet më të respektuara nga qytetarët dhe padyshim se ky është rezultat i punës së përbashkët dhe shumë profesionale të grave dhe të burrave në këto institucione, të cilët punuan krah për krah me njëri-tjetrin për të fituar këtë besim dhe për të ndërtuar institucione sipas standardeve ndërkombëtare .
 
Gruaja në institucionet e sigurisë ka dëshmuar se roli i saj në shtetin që jemi duke e fuqizuar çdo ditë e më shumë, është shumë domethënës.
 
Sepse kontributi i saj është i çmueshëm, dhe sepse përkushtimi i saj për zhvillimin dhe përparimin e shoqërisë është i përçdoditshëm.
 
Institucionet tona, edhe ato lokale edhe ato qendrore, duhet të kenë përfshirje më të madhe të gruas në to. Sepse përgjegjësia në shoqëri është e barabartë mes burrave dhe grave dhe sepse llogaridhënia e këtyre institucioneve do të jetë më e madhe.
 
Ne kemi përmbyllur, pas një periudhe të gjatë, procesin e ndërtimit të institucioneve të vendit. Duke e testuar demokracinë tonë dhe kushtetutën tonë, kemi arritur të dëshmojmë se duam të ndërtojmë shtet ligjor, me respektimin e institucioneve tona të pavarura.
 
Koha ka ardhur që të përshpejtojmë punën e institucioneve tona në përmbushjen e obligimeve dhe zotimeve përpara qytetarëve tanë, për ndërtimin e shtetit të përparuar, ku qytetarët do të gjejnë mundësinë për një jetë më të mirë pa kërkuar rrugë të tjera, të pasigurta, për të ikur nga vendi i tyre.
 
Është obligim yni, që fëmijëve tanë t’u sigurojmë një të ardhme më të mirë, duke ndryshuar të tashmen përmes reformimit të thellë në shoqëri – reforma që duhet të prekin edhe arsimin, edhe shëndetësinë edhe çdo fushë tjetër të jetës.
 
Nuk mund të lejojmë që të rinjtë tanë të bëhen pjesë e grupeve radikale e ekstremiste në botë që kërcënojnë sigurinë e stabilitetin kudo dhe në veçanti në Kosovë. Dhe prandaj na duhet më shumë punë për të siguruar zhvillim ekonomik, investime më të mëdha, hapje të vendeve të reja të punës dhe në veçanti arsimim më cilësor e profesional që do të mundësojë përparimin e vendit.
 
Duhet të tregojmë përkushtimin tonë në vendosjen e rendit dhe të sundimit të ligjit, duke shtuar angazhimin e të gjitha institucioneve për çrrënjosjen e korrupsionit dhe luftimin e krimit të organizuar. Këto dukuri po e mbajnë peng rrugën tonë drejt integrimeve evropiane dhe po e cenojnë zhvillimin e mëtejmë të shoqërisë.
 
Dhe përpara se ta përmbyllë këtë fjalë, dua të theksoj se me punën tuaj, ju, Gratë nga institucionet e Sigurisë e keni bërë Kosovën vend më të sigurt për të gjithë qytetarët e saj duke ndikuar drejtpërdrejt në garantimin e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.
 
Ju dëshiroj shumë suksese në punën tuaj dhe ju shpreh të gjithë mbështetjen dhe përkrahjen institucionale!