Fjala e Presidentes Jahjaga me rastin e lansimit publik të Strategjisë Kombëtare për Integrim Evropian

Ju dëshiroj mirëseardhje në lansimin zyrtar të Strategjisë Kombëtare për Integrim Evropian, “Kosova 2020: Një qasje pjesëmarrëse.”

E nderuara Ministre Çitaku,
I nderuari ambasador i Republikës Federale të Gjermanisë, z. Blomeyer,
I nderuari përfaqësues i Zyrës së BE-së, z. Gnocchi,
Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike në Kosovë,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve, të shoqërisë civile, të komunitetit akademik dhe të biznesit,
Të nderuar përfaqësues të medieve,
 
Ju dëshiroj mirëseardhje në lansimin zyrtar të Strategjisë Kombëtare për Integrim Evropian, “Kosova 2020: Një qasje pjesëmarrëse.”
 
Gëzohem që sot janë të pranishëm shumë ekspertë të institucioneve dhe të shoqërisë civile, që kanë punuar në hartimin e këtij dokumenti strategjik.
 
Një pjesëmarrje kaq e gjerë në hartimin e udhërrëfyesit të Kosovës drejt BE-së është pothuajse po aq i rëndësishme sa edhe zbatimi i rekomandimeve që dalin nga ky dokument strategjik, sepse ka fuqizuar vizionin tonë të përbashkët për një proces gjithëpërfshirës drejt integrimit evropian.
 
Vendi ynë aspiron të jetë anëtar me të drejta të plota në Bashkimin Evropian dhe kjo varet nga të gjithë ne, nga institucionet, partitë politike, shoqëria civile, komuniteti akademik dhe i biznesit, nga të gjithë qytetarët e vendit tonë.
 
Lansimi i kësaj strategjie po bëhet në një moment të rëndësishëm derisa po bëjmë hapat e parë në procesin e integrimit, me nisjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, proces ky që i paraprin vendosjes së marrëdhënieve kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
 
Ky dokument është vlerë e shtuar në procesin e integrimit dhe ne duhet të vazhdojmë të adresojmë të gjitha reformat e nevojshme që do të përshpejtojnë arritjen e qëllimit tonë të përbashkët.
 
Dhe për të arritur këtë, kjo strategji identifikon pesë prioritete: Efektshmërinë e qeverisjes; Luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar; Rritjen ekonomike; Përfshirjen e grupeve të interesit; dhe Marrëdhëniet e avancuara me Bashkimin Evropian.
 
Përmbushja e këtyre synimeve ndihmon jo vetëm procesin e integrimit në BE, por avancon edhe vendin dhe shoqërinë tonë.
 
Një punë intensive na pret në vitet në vijim për të konsoliduar arritjet në të gjithë sektorët e shoqërisë tonë.

Përmes Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian, jemi të përkushtuar të fuqizojmë një partneritet të qëndrueshëm dhe konsensusin ndërmjet institucioneve, spektrit politik dhe shoqërisë civile.
 
Dëshiroj edhe njëherë t’ ju falënderoj të gjithëve për kontributin që keni dhënë në hartimin e kësaj strategjie, këtij dokumenti. 
 
Gjithashtu, dëshiroj të falënderoj projektin e GIZ-it dhe Ambasadën gjermane, që kanë përkrahur Task Forcën dhe zhvillimin e kësaj strategjie.