Fjala e Presidentes Jahjaga me rastin e Ditës së Forcë së Sigurisë së Kosovës

Jam e nderuar që sot jam me ju, në përmbyllje edhe të një viti që kurorëzon përkushtimin tuaj për t’u profesionalizuar dhe për të kontribuuar në jetësimin e vizionit për shtetin e Kosovës, të sigurt e stabil dhe në paqe me të gjithë. Në jetësimin e vizionit që përmbush idealet e gjeneratave të tëra për një shtet demokratik dhe gjithëpërfshirës dhe për një forcë të sigurisë që luan të rol të rëndësishëm në forcimin e subjektivitetit të vendit. Ju po u qëndroni pranë qytetarëve të Kosovës, pa dallim etnie, duke e forcuar besimin e tyre në Ju, në mekanizmat e sigurisë dhe në forcën e profesionalizmin tuaj.

I nderuari Kryeministër Thaçi,
I nderuari ministër i Ministrisë së Forcës së Sigurisë Çeku,
I nderuari Komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës gjeneral Kastrati,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale të Republikës së Kosovës,
Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike në Kosovë,
Të nderuar oficerë dhe kadetë të Forcës së Sigurisë të Kosovës,
I nderuar drejtor i Policisë, komandant i KFOR-it, përfaqësues të EULEX –it,
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Jam e nderuar që sot jam me ju, në përmbyllje edhe të një viti që kurorëzon përkushtimin tuaj për t’u profesionalizuar dhe për të kontribuuar në jetësimin e vizionit për shtetin e Kosovës, të sigurt e stabil dhe në paqe me të gjithë. Në jetësimin e vizionit që përmbush idealet e gjeneratave të tëra për një shtet demokratik dhe gjithëpërfshirës dhe për një forcë të sigurisë që luan të rol të rëndësishëm në forcimin e subjektivitetit të vendit. Ju po u qëndroni pranë qytetarëve të Kosovës, pa dallim etnie, duke e forcuar besimin e tyre në Ju, në mekanizmat e sigurisë dhe në forcën e profesionalizmin tuaj.

Dhe prandaj dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për ju – gjeneralë e udhëheqës të FSK-së për lidershipin dhe vendosmërinë e treguar në ndërtimin e këtij institucioni të qëndrueshëm – t’ju falënderoj ju: oficerë të FSK-së dhe ushtarë që me krenari jeni rreshtuar për të ndarë me qytetarët e Kosovës përpjekjet e vazhdueshme në përmbushje të qëllimit tonë të përbashkët - për Kosovën shtet të zhvilluar e të sigurt dhe për të ardhmen e saj.

Forca e Sigurisë së Kosovës është e ndërtuar mbi themele të fuqishme, që udhëhiqet nga synimi për të krijuar infrastrukturë të plotë të sigurisë, në përputhje me nevojat e shtetit tonë dhe në harmoni me interesat tona kombëtare për të qenë faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe më gjerë. Në rrugëtimin e saj FSK ka pasur mbështetjen e NATO-s dhe forcës së saj paqeruajtëse në Kosovë, si dhe të Gardës Kombëtare Amerikane, që ju kanë mbikëqyrur dhe përkrahur në kryerjen e të gjitha detyrave.

Ne sot po e ndërtojmë vizionin që do të shtojë obligimet tuaja, sepse si qytetarë të Kosovës, pavarësisht nga prejardhja etnike, besojmë në ju dhe në misionin fisnik që e keni ndërmarrë për ta mbrojtur Kosovën dhe për të avancuar bashkëpunimin me aleatët tanë strategjikë.

Me përmbylljen e procesit të rishikimit strategjik të sektorit të sigurisë – një proces gjithëpërfshirës dhe ndërinstitucional – që analizoi mekanizmat tonë të sigurisë, nevojat e qytetarëve të Kosovës dhe interesat e orientimet strategjike të shtetit tonë – është shtruar nevoja e krijimit të një Force moderne të armatosur, me kapacitete mbrojtëse, që adreson sfidat e sigurisë, e kompleton infrastrukturën tonë të sigurisë dhe në proces e sipër të profesionalizimit me standarde të NATO-s synon anëtarësimin e saj të plotë në këtë aleancë.

E ardhmja e Forcës së Armatosur të Kosovës, që nuk ka alternativë, mbetet punë parësore për Kuvendin e ri, institucionit kaq të nevojshëm dhe kaq të rëndësishëm për vendin dhe për qytetarët e tij, duke e bërë Kosovën me forcën e vet mbrojtëse, që do të kompletojë konsolidimin e shtetit tonë dhe do të bëhet kontribuuese e sigurisë kolektive të Evropës.

Të nderuar qytetarë
Të nderuar oficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës,
Me vendosmëri kemi kaluar nëpër procese të rëndësishme transformuese si shoqëri dhe si shtet, duke realizuar ëndrrën e gjeneratave të tëra që sakrifikuan për lirinë tonë. Me shumë guxim kemi përmbyllur procese të rëndësishme për vendin, duke e shndërruar atë në një faktor të rëndësishëm të paqes dhe të stabilitetit dhe një promovues të fqinjësisë së mirë, duke e parë të ardhmen tonë në strukturat euro-atlantike.

Por, ne kemi ende procese përpara për të përmbyllur dhe prandaj na duhet ndërtimi më i shpejtë i institucioneve tona, të qëndrueshme, përfshirëse dhe të përgjegjshme. Për ta përmbushur premtimin përpara qytetarëve tanë për një Kosovë më ndryshe, më të zhvilluar dhe më të përparuar, prej së cilës nuk do të ikin rrugës së pasigurt, në kërkim të pashpresë të një jete më të mirë diku tjetër.

Dhe prandaj na duhet më shumë vullnet, më shumë sakrificë dhe më shumë punë për të rikthyer besimin e qytetarëve tanë në shtetin e Kosovës, ku askush nuk do të mund ta nëpërkëmbë dinjitetin e tij. Na duhet më shumë punë për ta ndërtuar të ardhmen tonë më të mirë.

Jam e bindur se përkushtimi ynë për t’i ruajtur vlerat e idealet mbi të cilat u betuam dhe për të përforcuar dhe avancuar bashkëpunimin me aleatët tanë strategjikë, kurrë nuk do të vihet në dyshim.

Urime Ditën tënde Forca e Sigurisë së Kosovës!