Fjala e Presidentes Jahjaga e dërguar me rastin e 100 vjetor – it të Federatës Panshqiptare “Vatra”

Në vazhdim po botojmë fjalën të cilën Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, ia dërgoi Federatës Panshqiptare “Vatra”, me rastin e 100 vjetorit të themelimit.

Të nderuar Vatranë,

Të nderuar senatorë, kongresistë, ambasadorë dhe diplomatë
 
Të nderuar Pjesëmarrës, që jeni mbledhur këtu, në këtë jubile të rëndësishëm të Federatës Panshqiptare “Vatra” në këtë datë të rëndësishme për kombin tonë, për lirinë dhe për pavarësinë tonë, për miqësinë e përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për lidhjet e pashkëputura ndërmjet popullit shqiptar dhe popullit amerikan.

 
Në pamundësi për të marrë pjesë në këtë manifestim madhështor Ju përcjell përshëndetjet e mia, me urimet dhe dëshirat nga zemra, që të jeni mirë, të keni shëndet, të keni gjithmonë begati, gëzime dhe lumturi në familjet tuaja.
 
Si Komb, kudo që jemi, e festojmë me krenari këtë Ditë të Madhe, të lirë, të pavarur dhe sot më shumë se kurrë gjatë gjithë historisë sonë mijëvjeçare, mund të komunikojmë lirshëm ndërmjet veti, të ndihmohemi e të punojmë bashkërisht për të mirën tonë, për të mirën e brezave që vijnë për të mirën e vendit dhe gjithë rajonit.
 
Për dallim me kohën para 100 vjetëve kur atdhetarët, intelektualë, punëtorë, mërgimtarë të ardhur nga të gjitha trojet tona kombëtare  në Amerikë, për të kërkuar fatin më të mirë, duke krijuar njëherit miqësi të përjetshme me këtë vend demokratik, me popullin amerikan, duke qenë të ndërgjegjshëm e largpamës për rolin që ky shtet do ta luaj në skenën botërore të historisë, ne sot kemi shkurtuar distancat dhe kemi mënjanuar të gjitha pengesat, duke vënë linjat e komunikimit të gjithanshëm, duke qenë pjesë e botës globale në këtë shekull të integrimeve në të cilin, ne si komb të lirë, të barabartë dhe të dinjitetshëm me popujt e tjerë jemi e ndihemi krenar që kemi çka t’i japim civilizimit botëror, duke pasur përkrahës dhe miq  Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Bashkimit Evropian.
 
Të nderuar bashkatdhetarë,
 
Të nderuar të pranishëm,

 
Miqësia jonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me popullin Amerikan, nuk është vetëm në shenjë falënderimi për gjithë kontributin që ky vend dhe ky popull mik e dha gjatë gjithë periudhës historike edhe në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, në ruajtjen e sovranitetit por edhe në ndërtimin e proceseve demokratike pas rënies së komunizmit, por edhe për shpalljen e pavarësisë së Republikës së Kosovës, për ndihmën vendimtare e të  pakursyeshme, për intervenimin humanitar të NATO-s që ndali gjenocidin, që riktheu shpresat në vlerat humane, civilizuese, duke larguar një herë e përgjithmonë hegjemonizmin nga kjo pjesë e Evropës.
 
Lidhja e jonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës që Ju bashkatdhetarët e mijë jeni kontribuuesit më të mëdhenj është një lidhje e pashkëputur që shprehet si besim në vlerat e përbashkëta të civilizimit tonë pro-perëndimor, në vlerat e  një demokracie të mirëfilltë e cila në fokus e ka njeriun, të drejtat dhe liritë,  ndërtimin e shoqërisë që të gjithë qytetarët janë të barabartë, pa marrë parasysh  përkatësinë etnike, racore , fetare apo bindjet politike .
 
Të nderuar pjesëmarrës të këtij manifestimi jubilar,
 
Njëqind vjetori i Federatës gjithëshqiptare “Vatra” është një nga pjesët më të lavdishme të historisë sonë,  është një nga përpjekjet dhe një nga punët më vizionare të bëra për vendin tonë, është një lëvizje atdhetare, kulturore, arsimore, publicistike dhe diplomatike që lëshoi  rrënjë të forta këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
 
Frytet e kësaj pune janë të përjetshme dhe shprehen, pikërisht sot që Kosova edhe Shqipëria janë shtete të pavarura dhe sovrane, që japin kontribut të rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në Ballkan duke jetuar në harmoni me popujt dhe shtetet përreth, sepse të gjitha vendet e rajonit e kemi përpara rrugën e qartë të integrimeve euroatlantike dhe ne në këtë rrugë, ecim  më mirë, më shpejtë dhe më suksesshëm duke e ndihmuar njëri - tjetrin.
 
Të nderuar vatranë,
 
Të nderuarit bashkatdhetarët dhe bashkëkombësit e mijë,
 
Të nderuar miq, qytetarë te Shteteve të Bashkuara të Amerikës,

 
Ndjehem shumë e emocionuar dhe e gëzuar që sot  po Ju shoh të gjithëve bashkë që po Ju shoh qytetarë të mirë Amerikanë, që po jepni kontribut shumë të vlefshëm  me punën, me angazhimin dhe me dijen tuaj këtij shteti, këtij atdheu dhe si Presidente e Republikës së Kosovës, ju shpreh falënderimet e mia dhe të popullit të Kosovës për gjithë ndihmën e pakursyer dhe të sinqertë që e keni dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Pa Juve dhe pa ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, rruga jonë e përpjekjeve shekullore të popullit tonë për liri, me luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të bijave dhe bijve më të shtrenjtë të popullit tonë  do të ishte shumë e vështirë dhe e mundimshme, në qëllimin sublim për t’i dalë zot atdheut. Ju shqiptaro-amerikanët e kishit dhe do ta keni rolin e veçantë për të ardhmen tonë dhe për rrugën e integrimeve euroatlantike.
 
Historia nuk ishte gjithherë përkëdhelëse për ne, por me përpjekjet dhe me punën e palodhshme të gjithë brezave ne ia dolëm të dalim sot ballëhapur dhe fitimtarë.
 
Shekulli i 20-të i nxori në skenën ndërkombëtare fuqishëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky shekull mbahet mend për dy ngjarje madhore: pavarësinë e Shqipërisë dhe lirinë e Kosovës, dhe ne sot si dy shtete të pavarura do të integrohemi në Bashkimin Evropian të cilin e shohim si një bashkësi popujsh të lirë të barabartë dhe të dinjitetshëm .
 
Fati e deshi qe ne, një nga kombet më të lashta, të hyjmë si më i riu në Evropë, duke qenë njëherësh ky rikthimi ynë përfundimtar në civilizimin evropian.
 
Urime 100 vjetorin e “Vatrës”
 
Urime 100 vjetorin e shpalljes se pavarësisë së Shqipërisë
 
Urime  për miqësinë e përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës
 
Uroj të jemi gjithmonë së bashku  në vlerat për liri, pavarësi dhe demokraci.
 
Atifete Jahjaga
 
Presidente e Republikës së Kosovës Presidentja e Republikës së Kosovës takoi Kryetaren e Kuvendit të Bavarisë