Fjala e Presidentes Atifete Jahjaga në takimin e Këshillit Konsultativ për Komunitete

Të nderuar anëtarë të Këshillit Konsultativ për Komunitete,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve dhe organizatave që e përkrahin punën e këtij Këshilli
Të nderuara zonja dhe Zotërinj,

Të nderuar përfaqësues të komunitetit serb, boshnjak, turk, rom, ashkali, egjiptian, goran, malazez dhe kroat, ju përfaqësoni forumin më të rëndësishëm në të cilin diskutohen dhe shqyrtohen politika për përfaqësim sa më të denjë të të gjitha komuniteteve në institucionet e Kosovës, me punën tuaj dhe angazhimin konkret po dëshmoni se Kosova multietnike dhe diversiteti ynë gjuhësor, kulturore dhe fetarë, realiteti ynë, janë vlera që na bëjnë nder të gjithëve dhe me të cilat mburret gjithë shoqëria jonë. Institucionet e Kosovës po punojnë dhe janë të përkushtuara që pjesëtaret e secilit komunitet ti gëzojnë të gjitha të drejtat e tyre, që janë edhe të garantuara me ligj dhe ta ruajnë e kultivojnë trashëgimin dhe identitetin tonë kulturor dhe fetar, si pjesë e trashëgimisë së Republikës  së Kosovës.
 
Me punë dhe angazhim konkret ky Këshill paraqet njërën prej kategorive më të rëndësishme Kushtetuese të Republikës së  Kosovës dhe është vendi i duhur ku të gjitha komunitetet kanë zërin e tyre ku edhe i artikulojnë të drejtat,  kërkesat dhe nevojat.
 
Kosova si shtet i ri që po e ndërton me sukses demokracisë dhe po e fuqizon subjektivitetin e saj ndërkombëtarë, sot është në procese shumë të rëndësishme që janë në funksion të realizimit të objektivit tonë kryesor, e që është integrimi në familjen e  madhe evropiane, por ndërkohë si institucionet ashtu edhe qytetarët e kemi për obligim që t’i kryejmë  detyrat tona të shtëpisë që ndërlidhen drejtpërdrejte me respektimin e të drejtave dhe lirive të secilit qytetar të Kosovës, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike, kulturore apo fetare.
 
Kosova sot është në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane, e përcaktuar dhe e vendosur që të jetë pjesë e pandashme e BE-së, si një shtet i së drejtës, gjithëpërfshirës dhe demokratik, një shtet i paqes dhe stabilitetit pjesë e pandashme e kombeve të lira. Ne kemi bërë hapa të mëdhenj përpara duke përmbushur obligimet tona jo për hir vetëm të BE-së por për hir të qytetarëve tanë dhe të ardhmes së tyre më të mirë. Prandaj presim, me shumë të drejtë, që të përfundojmë proceset e liberalizimit të vizave dhe nënshkrimin  Marrëveshjesn së Stabilizim Asociimit, që hap një kapitull të ri të marrëdhënieve me BE-në.
 
Dhe ne kemi përgjegjësi të mëdha, që të ndërtojmë praktika demokratike në një shtet me demokraci parlamentare ku respektohen rregullat dhe ligjet. Demokracia nënkupton bashkëbisedim dhe dialog dhe jo skena të dhunës në rrugë dhe kriza që ngadalësojnë përparimin e shoqërisë. Unë sërish bëj thirrje që të gjitha partitë parlamentare, të gjithë liderët e partive politike, ta rikthejnë dialogun ndërmjet tyre brenda Kuvendit të Kosovës, si institucion i përfaqësuesve të popullit duke ndihmuar gjetjen e zgjidhjeve që çojnë përpara proceset e zhvillimit të vendit.
 
Kosova ka nevojë për dialog të brendshëm dhe ne duhet ta mundësojmë atë, duke lënë anash mospajtimet e dallimet partiake dhe duke e menduar qytetarin dhe vendin dhe përparimin e tij.  
 
Të nderuar pjesëmarrës,
 
Përmes grupeve punuese, Këshilli konsultativ për komunitete po jep kontributin e  vetë në realizimin e të drejtave të komuniteteve në të gjitha sferat e  jetës, e sidomos përmes kontributit në hartimin e  legjislacionit në përputhje me normat më të larta ndërkombëtare, në arsim, në përdorim të gjuhëve, çështjeve sociale dhe punësim, si dhe në fushën e kulturës. Ky është një rol shumë i rëndësishëm në adresimin e  të gjitha nevojave dhe shqetësime të komuniteteve dhe gjetjen e  zgjidhjeve në përputhje me Kushtetutën dhe me ligjet në fuqi, duke zbatuar praktikat më të mira ndërkombëtare.
 
Prandaj edhe Këshilli Konsultativ për Komunitete, duhet të vazhdoj me punën  e mirë që është duke e bërë në përfaqësimin e qëndrimeve të të gjitha komuniteteve dhe me pjesëmarrje aktive në debatet rreth nismave legjislative dhe politike sepse vetëm kështu pikëpamjet dhe qëndrimet e komuniteteve që ju përfaqësoni do të vijnë në shprehje në këto projekte dhe do të keni zërin tuaj  në vendimmarrje.
 
Të nderuar anëtar të Këshillit Konsultativ për Komunitete,
 
Edhe në herë ju përgëzoj për punën tuaj të palodhshme dhe angazhimin në krijimin e kushteve optimale për jete dhe për punë të  pjesëtareve të komuniteteve të cilat ju i përfaqësoni. Roli juaj është shumë i rëndësishëm në fuqizimin e institucioneve, demokratizimin dhe në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit tonë i cili sot më shumë se kurrë e ka të qartë perspektiven e vetë euro-atlantike.
 
Unë ju falënderoj për vëmendjen tuaj  dhe ju siguroj se gjithmonë do të keni mbështetjen time.
 
Faleminderit edhe mediave!