Fjala e Presidentes Atifete Jahjaga në takimin e dytë të Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale Gjatë Luftës

Ju uroj mirëseardhjen në takimin e dytë të Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës. Ishte në mars të këtij viti kur mbajtëm takimin inaugurues dhe u zotuam të ndërmarrim hapa konkretë në përputhje me kompetencat dhe obligimet që gjithësecili ka, për të ndihmuar një ndër kategoritë më të ndjeshme të viktimave civile që la pas lufta e fundit në Kosovë.

Të nderuar pjesëmarrës,
 
Ju uroj mirëseardhjen në takimin e dytë të Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës.  Ishte në mars të këtij viti kur mbajtëm takimin inaugurues dhe u zotuam të ndërmarrim hapa konkretë në përputhje me kompetencat dhe obligimet që gjithësecili ka, për të ndihmuar një ndër kategoritë më të ndjeshme të viktimave civile që la pas lufta e fundit në Kosovë.
 
Përkrahja dhe mbështetja që dhatë, përfaqësonte pa dyshim një mobilizim institucional e shoqëror të munguar për 15 vite me radhë.
 
Përkushtimi i shprehur dërgoi njëzëri mesazh të qartë te secila viktimë që ato nuk janë të vetme dhe që ne, si institucione dhe si përfaqësues të shoqërisë, do të përmbushim obligimet tona për t’ju ofruar atyre, në radhë të parë, njohjen ligjore dhe më pas qasjen në shërbimet e nevojshme psiko-sociale, ekonomike dhe shëndetësore, me synim rehabilitimin, riintegrimin dhe risocializimin e tyre.
 
Ne nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën e tyre, por ka ardhur koha që të mos lejojmë më stigmatizimin e tyre. Ka ardhur koha të përballemi me këtë kapitull të hidhur të historisë sonë, duke thyer tabutë dhe heshtjen që ka mbizotëruar për kaq kohë.

Vetëdijesimi institucional për obligimin ligjor ndaj kësaj kategorie të viktimave civile të luftës erdhi me miratimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK-së, viktimave civile të luftës dhe familjeve të tyre, nga Kuvendi i Kosovës më 20 mars të këtij viti.
 
Miratimi i këtij ligji shënoi hapin e parë drejt njohjes së statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, përmes të cilit këto viktima do të gëzojnë tashmë përkrahjen institucionale si të gjitha kategoritë e tjera, viktima civile të luftës.
 
E vlerësoj këtë si hapin e parë, ndër shumë të tjerë që na mbetën për të bërë për të garantuar zbatimin e plotë të këtij ligji dhe ofrimin e përfitimeve të parashikuara me të.

Ky proces delikat duhet të synojë mbrojtjen e viktimave, evitimin e ripërjetimit të vuajtjeve nga e kaluara, duhet të udhëhiqet nga parimi për të mos i shkaktuar dëme viktimave dhe për t’i inkurajuar ato të jenë përfituese si të gjitha kategoritë e tjera të viktimave civile. Duke mos u ndjerë në faj apo në turp për krimin e kryer padrejtësisht mbi to.

Duke u nisur nga përvojat kudo në botë, që tashmë kanë filluar zbatimin e ligjeve për mbrojtjen e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë konflikteve, është më se e nevojshme që ky proces të udhëhiqet me seriozitetin dhe profesionalizmin e duhur, duke reflektuar në çdo etapë të saj, zotimin tonë të përbashkët për përgjigje institucionale e shoqërore në bazë të veçorive dhe nevojave që ka kjo kategori e shoqërisë.

Jam e bindur se me vigjilencën e duhur, duke punuar së bashku, institucione dhe shoqëri civile, me përvojën e përbashkët, së bashku me ndihmën e ekspertizës së vazhdueshme ndërkombëtare që Kosova ka pasur edhe si anëtare e nismave globale për eliminimin e dhunës seksuale si mjet lufte, do të arrijmë të ndërmarrim hapat e duhur drejt zbatimit të plotë të këtij ligji.

Kosova është pjesë e hartimit të dokumenteve ndërkombëtare që synojnë dokumentimin dhe nxjerrjen përpara drejtësisë të kryesve të veprave kriminale të dhunës seksuale gjatë luftës. Ne tashmë jemi pjesë e një ndër nismave globale më eminente që synojnë eliminimin e dhunës seksuale në konflikte, e udhëhequr nga Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, z. William Hague, ku ne japim kontributin e drejtpërdrejtë në hartimin e Protokollit Ndërkombëtar.

Brenda pak javësh, në Samitin Global të kësaj nisme që mbahet në Londër, do të mblidhen pjesëmarrës nga të gjitha vendet e botës, dhe ne do të ndajmë përvojën tone, përpjekjet e shoqërisë sonë për të ndihmuar këtë kategori dhe sfidat me të cilat ende vazhdojmë të përballemi për t’ju ofruar atyre trajtimin e merituar.

Ky Samit padyshim që do të shërbejë për të njohur ndërkombëtarisht viktimat e dhunës seksuale që la pas lufta në Kosovë, për të thyer heshtjen që ka mbizotëruar brenda dhe jashtë vendit, por padyshim për të mësuar edhe nga përvoja e të tjerëve, duke u rreshtuar përkrah vendeve demokratike të botës së lirë, që bëjnë thirrje për eliminimin e këtij mjeti mizor të luftës, dhunës seksuale ndaj civilëve të pafajshëm në konflikte.

Jam e bindur që Protokolli Ndërkombëtar, si pjesa përfundimtare zyrtare e këtij Samiti, do t’i shërbejë vendit tonë, duke asistuar në punën e institucioneve dhe mekanizmave tashmë të krijuar që synojnë dokumentimin dhe nxjerrjen përpara drejtësisë së kryesve të kësaj kategorie të krimit.

Shpresoj se Kosova, si anëtare e kësaj nisme globale, do të arrijë të ofrojë një angazhim dhe përgjigje gjithëpërfshirëse ndaj nevojave të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës.
 
Të nderuar pjesëmarrës,

Në këtë muaj kam pasur mundësinë të flas me shumë prej jush për problemet dhe sfidat me të cilat përballen të mbijetuarit e dhunës seksuale të luftës, kemi biseduar rreth nevojave të tyre dhe rreth mundësive për të gjetur një përgjigje sa më adekuate për to dhe për nevojat e tyre.

Në secilin takim kam parë nevojën për forcimin e mekanizmave ekzistues me ngritjen e kapaciteteve të tyre dhe shtimin e shërbimeve që ata ofrojnë, si dhe nevojën për shtrirjen e mëtejme të shërbimeve të ofruara, për t’ju gjendur pranë secilës viktimë, në çdo cep të shtetit tonë.

Shpresoj që me angazhimin e secilit prej jush nëpërmjet këtij Këshilli, me anë të rekomandimeve dhe aktiviteteve tuaja, do të arrijmë t’ju ofrojmë shërbimet e nevojshme psiko-sociale, ekonomike, ligjore dhe shëndetësore, këtyre viktimave civile të luftës, duke garantuar rehabilitimin e tyre të plotë në shoqëri.

Duhet të jemi të ndërgjegjshëm që kemi një rrugë të gjatë përpara nesh, për të përmbushur detyrën tonë, obligimin tonë ndaj kësaj kategorie të viktimave civile të luftës. Duke filluar me thyerjen e heshtjes, tabuve dhe stigmatizimit që ka rrethuar këtë kategori për 15 vite me radhë.

Andaj, përgëzoj Eliza Hoxhën, për projektin e saj të përkrahur nga Ministrja Çitaku dhe kurajën e treguar për të thyer tabutë e imponuara dhe për ta bërë thirrjen kundër dhunës, thirrjen për rehabilitim, një detyrë tonën të përbashkët.  Jam e bindur që së bashku do t’ia dalim.

Dhe siç kam thënë në prill të vitit të kaluar, në këtë çështje nuk ka ne dhe ato – jemi ne dhe jeni një.