Fjala e Presidentes Atifete Jahjaga në shënimin e 15 vjetorit të bashkëpunimit gjermano-kosovar

Më vjen mirë që sot së bashku po shënojmë 15-vjetorin e bashkëpunimit gjermano-kosovar, një jubile që shënon kapitullin më të rëndësishëm të historisë së miqësisë së ngushtë që popujt tanë kanë ndërtuar me dekada të tëra.

E nderuara Ambasadore e Gjermanisë, zonja Viets,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës,
Të nderuar ambasadorë të vendeve mike të Kosovës,
Të dashur qytetarë,
 
Më vjen mirë që sot së bashku po shënojmë 15-vjetorin e bashkëpunimit gjermano-kosovar, një jubile që shënon kapitullin më të rëndësishëm të historisë së miqësisë së ngushtë që popujt tanë kanë ndërtuar me dekada të tëra.
 
15 vite më parë vuri themelet mbështetja e pakursyer e popullit mik gjerman për vizionin e një Kosove në paqe dhe në liri, një Kosove shtet demokratik dhe anëtare të barabartë në familjen e popujve të lirë, duke u bërë kështu aleat kyç dhe partner strategjik i qytetarëve të Kosovës dhe avancimit të shtetit të tyre.
 
Në çdo hap të konsolidimit të shtetësisë tonë, të konsolidimit të subjektivitetit tonë ndërkombëtar, të ndërtimit të një shteti me mundësi të pafunda për të gjithë qytetarët pa dallim, ndihma dhe mbështetja e ardhur nga miqtë tanë gjermanë ka luajtur një rol qenësor.
 
Andaj, ndërsa shënojmë të arriturat dhe sukseset tona të përbashkëta në këto 15 vite, ju shpreh mirënjohjen më të thellë të qytetarëve të Kosovës dhe institucioneve të saj që qëndruat krah nesh dhe që besuat në vizionin tonë të lirisë dhe të paqes.
 
Institucionet e Kosovës sot, 15 vite pas përfundimit të luftës që la pas pasoja të rënda, mbeten të përkushtuara për të parë drejt së ardhmes, duke ndërmarrë të gjitha reformat e nevojshme për ndërtimin e një shteti të së drejtës ku mbizotëron rendi dhe ligji dhe një shteti të zhvilluar ekonomikisht që ju ofron qytetarëve të saj prosperitet dhe begati.
 
Vlerësoj lart kontributin që ndihma gjermane dhe programet e shumta të saj, për paqe, siguri dhe zhvillim vazhdojnë t’i japin zhvillimit të së ardhmes së Kosovës dhe ndërtimin të një shoqërie gjithëpërfshirëse që ju ofron mundësi të barabarta të gjithë qytetarëve pa dallim etnie, feje apo gjinie.
 
Duke ju referuar njërës ndër fushatat më të fundit, pjesë të bashkëpunimit gjermano-kosovar, që promovon qasjen e barabartë të gruas në pronësi dhe burime financiare, është “për të mirën tonë”, të ndërtojmë një shoqëri dhe një shtet ku secilit qytetar i ofrohen mundësi të barabarta.
 
Të nderuar të pranishëm,
 
Kosova mbetet e përkushtuar në rrugën e pakthyeshme drejtë integrimeve euroatlantike dhe në ushtrimin e rolit të saj si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, duke marrë përsipër të gjitha obligimet e saj si anëtare e barabartë në arenën ndërkombëtare.
 
Ne jemi të përkushtuar t’i kapërcejmë sfidat me të cilat përballemi, të udhëhequr nga parimet demokratike dhe besimi në vlerat e shtetit që duam ta ndërtojmë. Jam e bindur që në këtë rrugëtim, shteti dhe populli amerikan dhe  gjerman do të vazhdojnë të qëndrojnë gjithmonë pranë nesh, si miq të pakursyer të shtetit tonë.
 
Falënderoj të gjithë përfaqësuesit e shtetit Gjerman në Kosovë, të cilët me punën dhe përkushtimin e tyre kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë në ndërtimin e shtetit të Kosovës.
 
Ne emër të të gjitha institucioneve të Kosovës, në emër të qytetarëve të Kosovës, urime për këtë 15-vjetor, jam e bindur se do të festojmë dhe shumë vite të tjera të miqësisë sonë të përbashkët, të popullit të Kosovës dhe  të popullit gjerman.