Fjala e Presidentes Atifete Jahjaga në sesionin e grave lidere në Samitin Ekonomik të Euro-Azisë

Të dashur miq, shumë shpesh e kam dëgjuar thënien e Melinda Gates që thotë se “një grua me zë është një grua e fortë”. Jam e nderuar që sot jam në praninë e aq shumë grave të forta.

Kam një kënaqësi të madhe që m’u dha mundësia t’ju drejtohem sot dhe të ndaj me ju mendimet rreth një çështje e cila po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme – roli i grave në shoqëritë tona, roli i tyre në zhvillimin e vendeve tona dhe ndikimi i tyre në stabilitetin dhe prosperitetin global.

Do të dëshiroja t’i përgëzoja organizatorët e konferencës, të cilët në kuadër të kornizës së këtij evenimenti i dedikuan një sesion special fuqizimit të grave paralel diskutimeve të temave të rëndësishme rreth sfidave globale dhe mundësive me të cilat ballafaqohemi në të gjitha anët e botës.

Bota në të cilën jetojmë ndryshon në vazhdimësi. Ne duhet t’u adaptohemi këtyre ndryshimeve në mënyrë konstante, duke gjetur mënyrat dhe metodat më të mira për shfrytëzimin e të gjitha burimeve të cilat i kemi në dispozicion. Fuqizimi i gruas dhe shfrytëzimi i këtij burimi njerëzor mund të na ndihmojë që t’i gjejmë përgjigjet dhe drejtimet e duhura.

Jo pa arsye, fuqizimi i gruas po bëhet temë diskutimi në të gjitha skajet e globit, qoftë në shoqëritë e dala nga konflikti apo shoqëritë në tranzicion, në vendet në zhvillim apo ato të zhvilluara. Një masë jashtëzakonisht e madhe e të dhënave të dala nga hulumtimet vazhdojnë të na japin udhëzojnë që ta përdorim potencialin, i cili na ofrohet nga gratë, duke marrë parasysh se niveli i pjesëmarrjes së grave në shoqëri është i lidhur në mënyrë direkte me nivelin e zhvillimit të atij vendi.

Gratë nuk përfaqësojnë thjesht vetëm 50 % të popullatës botërore; gratë përfaqësojnë po ashtu edhe 50 % të potencialit, talentit dhe kapitalit njerëzor. Kur gratë nuk participojnë në zhvillimin ekonomik, politik dhe shoqëror të një vendi, ato ngelin si potencial dhe kapital njerëzor i pashfrytëzuar. Dështimi ynë në shfrytëzimin e këtij burimi të vlefshëm është diskriminues ndaj grave dhe reflekton në zgjedhjet e pamenduara mirë  ekonomike dhe politike nga ana e shtetit.

Hulumtimi i punuar kohëve të fundit nga Booz & Company, i cili u prezantua në Forumin Ekonomik Botëror nga Drejtoresha Ekzekutive e FMN-së, znj. Christine Lagarde, tregon se duke  e rritur nivelin  e punësimit të grave në të njëjtin nivel me atë të meshkujve, ne mund të presim një rritje të BPV-së (GDP)  rreth 5 % në SHBA, 9% në Japoni, 27 % në Indi dhe 34 % në Egjipt.

Duhet riafirmuar atë që ish-Sekretarja e shtetit e SHBA, Hillary Clinton e ka thënë në shumë raste “fuqizimi ekonomik i grave është ekonomi e mençur” dhe atë që OECD raportet e cilësojnë si “prioritet për biznes “.

Prandaj, siç cilësohet dhe në këtë të fundit, forcimi i rolit të gruas në sektorët ekonomikë, politikë dhe socialë të një shteti është thelbësore për zhvillimin ekonomik, për gjenerimin e ideve të reja dhe inovative që rrjedhin nga individë të talentuar të gjinive të ndryshme.

Atëherë kur në mënyrë serioze e kemi konsideruar vlerën që pjesëmarrja e grave në sektorin publik sjell me vete, atëherë do ta ndryshojmë  edhe mendimin që e kemi krijuar për to, duke i parë ato përtej thjerrëzave kulturore dhe tradicionale. Atëherë do të fillojmë t’i shohim gratë si pjesë e pandashme e vendimmarrjes dhe krijimit të politikave dhe do t’i gjykojmë në bazë të kompetencave dhe jo në bazë të karakteristikave fizike apo gjinore, që pa dyshim do t’i sjellë benefite ekonomisë dhe shoqërisë tonë si tërësi.

Fuqizimi i grave është jo vetëm çështje e drejtë por edhe e mençur.

Mbetet vendim i yni që të vendosim se çfarë shoqërie dhe çfarë vendi dëshirojmë të ndërtojmë dhe çfarë bote dëshirojmë të krijojmë dhe t’u lëmë në trashëgim pasardhësve tanë.

Do të dëshiroja të citoj ish-Sekretaren e shtetit Madeleine Albright e cila tha: “Demokracia është e ndryshme në secilin vend, por pa gratë, demokracia në secilin vend është e pamundur”. Patjetër që nuk mund të flasim për demokraci aty ku zëri i gjysmës së një shoqërie nuk dëgjohet.

Të gjithë ne jemi të vetëdijshëm se aftësia për marrjen për vendimeve ka të bëj me aftësinë e secilit individ. Gratë kanë aftësi të njëjta me burrat. Në të njëjtën kohë jemi të vetëdijshëm se burrat dhe gratë nuk trajtohen në mënyrë të njëjtë, nuk ju ofrohen mundësi të njëjta, që sjell deri te perceptimi se gratë kanë një pozitë më inferiore në shoqëri. Ne duhet ta ndryshojmë këtë perceptim.

Fuqizimi i grave nuk është vetëm moralisht e drejtë por edhe mënyrë e drejtë për zhvillim ekonomike dhe stabilitet politik.

Është e vërtetë se gratë gjatë këtij shekulli kanë fituar më shumë të drejta dhe kanë shfaqur mendimin e tyre me anë të votimit. Sidoqoftë, kjo nuk ka rezultuar në politika gjithëpërfshirëse sepse gratë nuk janë aq të vullnetshme që të garojnë për poste publike sa janë meshkujt.

Pjesëmarrja e grave në proceset e vendim marrjes ka një impakt të shumëfishtë. Ky proces influencon pozitën e përgjithshme të grave në shoqëri, mirëqenien e familjes dhe të shoqërisë dhe rritë vetëdijen shoqërore rreth rolit të tyre.

Pjesëmarrja e grave në politikë i sjell benefite dhe zhvillim socio-ekonomik një shteti, ndihmon në konsolidimin e demokracisë dhe në rritjen përgjegjësinë së institucioneve dhe shoqërisë ndaj secilit qytetar.

Ne duhet të shkojmë përtej roleve tradicionale të meshkujve dhe femrave dhe të krijojmë hapësirë për gratë që ato të shfaqin interesin e tyre dhe pikëpamjet e tyre. Prezenca e grave në parlamente dhe qeveri ndihmon krijimin e politikave më gjithëpërfshirëse dhe më të balancuara të cilat reflektojnë dhe adresojnë interesin e secilit qytetar në shoqëri duke i forcuar funksionet demokratike të shtetit.

Prandaj, është e rëndësishme të krijojmë kornizën e nevojshme ligjore, të hartojmë politika dhe të mobilizojmë mbështetjen e duhur që t’i inkurajojmë gratë që të marrin pjesë në mënyrë aktive në politikë dhe vendim marrje.

Në vitin 1995, në Pekin, në një konferencë të Kombeve të Bashkuara për gratë, ish-Sekretarja e shtetit, në atë kohë zonja e parë, znj. Hillary Clinton, deklaroi që: “Të drejtat e grave janë të drejta njerëzore dhe drejtat njerëzore janë të drejtat e grave, një herë e përgjithmonë”.

Ne kemi ndërtuar aq shumë mbi këto fjalë inspiruese për më shumë se dy dekada. Ne, gratë, jemi mobilizuar në tërë botën që të sjellim përpara ndryshimet dhe të krijojmë mundësi që gratë të shndërrohen në kataliste të ndryshimeve në shoqëritë tona.

Jemi udhëhequr nga personalitete udhëheqëse në mbarë botën të cilët kanë vendosur trendët dhe kanë ndryshuar standarde dhe kanë qenë zëri i grave duke i tejkaluar kufijtë e racës, etnisë, kulturës dhe prejardhjes.

Kemi parë rezultate dhe jemi inkurajuar që t’i shtyjmë këto ndryshime përpara. Por, akoma jemi duke u ballafaquar me problemet e njëjta me ato të vitit 1995. Akoma ballafaqohemi me diskriminim ndaj të porsalindurve femra, gratë dhe vajzat dhunohen në komunitetet e tyre, përdhunimi ende përdoret si armë lufte, dhuna familjare ndaj grave akoma vazhdon edhe në shoqëritë më të zhvilluara përderisa martesat e detyruara dhe aborti janë normale në disa shoqëri tjera.

Ne duhet ta ndalojmë këtë.  
Ne duhet ta kuptojmë, një herë e përgjithmonë, se dhuna ndaj gruas është dhunë ndaj gjithë shoqërisë. Siguria e gruas është siguri e fëmijës, familjes dhe e mbarë shoqërisë.

Për këtë arsye, në mënyrë që të ndërtojmë mbi trasenë e zhvillimeve pozitive që rrodhën nga Konferenca e Grave në Pekin, në tetorin e vitit të kaluar vendosa që, me ndihmën financiare të USAID-it, të organizoj Konferencën ndërkombëtare të Grave “Partneriteti për ndryshim-fuqizimi i gruas”, në Prishtinë.

Kisha kënaqësinë që të mirëpres disa nga ju dhe shumë përfaqësuese nga shtetet tuaja, me të cilat diskutuam çështjet eminente dhe pengesat me të cilat gratë ballafaqohen gjatë ushtrimit të pozitës së tyre të drejtë në shoqëri.

Ne adresuam tri çështje kryesore të ndërlidhura ngushtë më njëra tjetrën, pjesëmarrjen politike dhe pjesëmarrjen në vendim marrje, fuqizimin ekonomik  dhe qasjen në burime dhe sigurinë e grave dhe qasjen në drejtësi.

Në të gjitha bisedimet tona, ne konfirmuam se si pjesëmarrja politike ndikon në fuqizimin ekonomik të grave i cili si rrjedhojë kontribuon në sigurinë e gjithë qytetarëve. Siç u shpreh edhe ish-Sekretarja e shtetit e SHBA, Znj. Madeleine Albrigt, gjatë Samitit të Prishtinës, “mbetet si sfide e jona gjetja e mundësisë se si të lëvizim njëkohësisht në të tre frontet”.

Së bashku me pjesëmarrësit, të cilët përfaqësonin sektorë të ndryshëm, shtete të ndryshme, kombësi, mosha, kultura dhe tradita të ndryshme, dhe në solidaritet me gratë në mbarë botën e posaçërisht me ato nga shtetet e sapo dala nga konflikti, dhe me qëllim që të avancojmë sigurinë, drejtësinë dhe fuqizimin e tyre ekonomik dhe pjesëmarrjen e tyre politike, ne përpiluam një numër parimesh dhe rekomandimesh të përmbledhura në një dokument të cilin e emëruam Parimet e Prishtinës.

Përpos tjerash, nëpërmes këtij dokumenti ne afirmuam faktin se të gjitha llojet e pengesave, ato politike, shoqërore, elektorale, ligjore dhe kulturore për pjesëmarrjen e gruas në shoqëri duhet të largohen në mënyrë që të sigurohen të drejtat e pamohueshme të grave.

Faktin që të gjitha llojet e mundësive, ato ekonomike, politike, shoqërore dhe kulturore, duhen rritur dhe mbështetur në atë nivel në mënyrë që gratë të mund ti realizojnë aspiratat e tyre dhe së bashku me meshkujt ta arrijnë barazinë gjinore.

Kemi riafirmuar faktin që përfaqësimi i ulët politik i grave cenon të kuptuarit e shoqërisë të problemeve ekonomike, ato të sigurisë, të drejtësisë dhe ato sociale me të cilat ballafaqohen gratë dhe më gatishmërinë e qeverisë që t’i adresojë ato në mënyrë autentike. Në mënyrë që t’i drejtojmë politikat qeveritare dhe burimet ekonomike drejt përmirësimit të gjithanshëm të shoqërisë, është e nevojshme që më shumë gra të marrin pjesë në jetën publike.

Nga muaji tetor, dokumenti i Parimeve të Prishtinës është shndërruar në një dokument pune në shtetin tonë. Me mbështetjen time të plotë, grupi i grave parlamentare të Kuvendit të Kosovës ka arritur që të kalojë në Parlamentin e Kosovës një rezolutë mbi Parimet e Prishtinës, duke reflektuar në këtë mënyrë dedikimin institucional për të punuar drejt fuqizimit të grave. Duke pranuar se duke investuar në gra, ne investojmë në të ardhmen e shtetit tonë.

Së bashku më Ministren për Tregti dhe Industri, kemi mbështetur themelimin e Dhomës Ekonomike të Grave të Kosovës, trup ky i cili do të promovojë pjesëmarrjen e grave në sektorin ekonomik dhe do t’ju ofrojë ndihmën e nevojshme grave në mënyrë që tu garantohet qasja në burimet e nevojshme.

Ne jemi duke punuar me institucionet lokale dhe ato qendrore, me organizatat vendore dhe ato ndërkombëtare që të fuqizojmë gratë në të gjitha skajet e vendit tonë, në të gjitha fushat dhe të gjitha nivelet dhe që njëherë e përgjithmonë ta largojmë traditën e heshtjes duke e forcuar rolin e grave si kontribuese të rëndësishme në shoqërinë tonë.

Ne do të vazhdojmë të punojmë, siç e di se të gjithë nga ju do të vazhdoni, në mënyrë që ta përcjellim mesazhin se me fuqizimin e gruas ne jo vetëm që fuqizojmë një individ por të gjithë shoqërinë dhe vetë shtetin.
   
Ju faleminderit !