Fjala e Presidentes Atifete Jahjaga në Samitin e 5-të të presidentëve të rajonit të Evropës Juglindore

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, gjatë punimeve të Samitit të 5-të të Presidentëve të vendeve të rajonit të Evropës Juglindore, që po zhvillon punimet në Durrës të Shqipërisë, ka zhvilluar sot takime të veçanta me Presidentin e Republikës së Malit të Zi, Filip Vujanoviq, si dhe me Presidentin e Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov. Në takime është diskutuar për marrëdhëniet mes dy vendeve, bashkëpunimin rajonal dhe një varg temash me interes.

Dje pasdite, Presidentja Jahjaga ka zhvilluar një takim edhe me nikoqirin e këtij samiti, Presidentin e Republikës së Shqipërisë, z.Bujar Nishani.
 
Pas takimeve  të veçanta, Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq dhe Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov kanë zhvilluar takimin e tyre përbashkët, ku kanë paraqitur dhe kanë diskutuar një varg temash me interes.
 
Të katër presidentët, pas takimit, në një konferencë për media, kanë folur lidhur me rrjedhën e takimit dhe çështje të tjera.
 
Në vijim, fjala e Presidentes Atifete Jahjaga në takimin e përbashkët në samitin e 5-të të presidentëve të rajonit:
 
I nderuar President i Republikës së Shqipërisë, z. Nishani,
I nderuar President Ivanov,
I nderuar President Vujanovic,

 
Ky samit i radhës në Durrës është një vazhdimësi e takimeve tona të përbashkëta për t’iu dhënë shtytje proceseve demokratike në Evropën Juglindore dhe për të thelluar bashkëpunimin e gjithanshëm ndërmjet vendeve tona. Përpjekjet tona për një rajon të sigurt, në paqe dhe me stabilitet të qëndrueshëm është rruga dhe përkushtimi ynë drejt integrimeve euro-atlantike që hap perspektivën e qartë për qytetarët tanë dhe vendet tona.
 
Ky Samit, si shtete të rajonit, na gjen në një moment të rëndësishëm sa i përket reformave brenda vendeve tona, të përshkruara me sfida, e që kanë për objektiv transformimin e shteteve tona në anëtare të denja të Bashkimit Evropian, synim ky të cilin e kemi të gjithë bashkërisht.
 
Në këtë periudhë disavjeçare që kur ka filluar të mbahet ky Samit, ne Presidentët e vendeve të rajonit kemi kontribuar në vendosjen e urave të bashkëpunimit dhe kemi dhënë përkrahje konkrete për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore ndërmjet shteteve tona. Kanalet tona të komunikimit kanë qenë gjithnjë të hapura dhe si Presidentë po arrijmë që, falë këtij bashkëpunimi, të inkurajojmë qeveritë dhe institucionet e vendeve tona që të shfrytëzojnë të gjitha mundësitë dhe të gjejnë hapësirat, duke ofruar zgjidhje në interesin tonë të përbashkët për çështjet aktuale dhe afatgjata, dypalëshe dhe shumëpalëshe.
 
Si rezultat i këtij angazhimi sot padyshim në rajonin tonë, në Evropën Juglindore, po mbretëron një atmosferë e bashkëpunimit, mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë, e të shikuarit përpara, një pragmatizëm që na ndërgjegjëson se është përgjegjësi dhe mision yni që ta ndërrojmë kahen e historisë për qytetarët e rajonit.
 
Në këtë rrugëtim të ndërtimit të marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore, që është edhe parakusht i anëtarësimit tonë në Bashkimin Evropian dhe NATO, vendet tona në këtë proces duhet të bashkëpunojnë duke ndërtuar marrëdhënie të sinqerta dhe të barabarta.
 
Si rajon po e ndërtojmë së bashku rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian duke ndihmuar njëri-tjetrin. Si shtete mike jemi të bindur, duke shfrytëzuar përvojat tona, se e vetmja mënyrë për të krijuar klimë tolerance dhe mirëkuptimi mes nesh dhe popujve tanë është gjithëpërfshirja dhe ndihma reciproke e bazuar në sinqeritet dhe respekt të plotë. Duke hapur një dialog të sinqertë si fqinj, duke shndërruar samitet si ky i katër presidentëve të rajonit në forume tradicionale me konkluza konkrete, ne më së miri i adresojmë sfidat dhe shanset e përbashkëta.
 
Përmes kësaj gjuhe të bashkëpunimit, kam bindjen e plotë se shtetet tona janë në rrugë të rikrijimit të një shansi historik për rajonin, të ngjashëm me atë që vendet kyçe të Bashkimit Evropian e krijuan 50 vite më parë përmes pajtimit politik, njohjes së realitetit të pas Luftës së Dytë Botërore dhe ndërthurjes ekonomike që ua përcaktonte gjeografia dhe historia.
 
Vullneti për të nisur një proces të tillë integrimi tregjesh dhe njerëzish nxiti paqen e cila solli jo vetëm rritje ekonomike dhe zhvillim të jashtëzakonshëm, por solli stabilitet politik dhe një qasje të re mes popujve.
 
Në realizimin e këtij vizioni, Republika e Kosovës po e luan një rol konstruktiv duke u angazhuar për dialog me të gjithë fqinjët e saj për zgjidhjen e çështjeve të hapura bilaterale, duke u përkushtuar në vazhdimësi për respektimin e integritet territorial dhe sovranitetit të shteteve fqinje dhe duke qenë pjesë e të gjitha forumeve dhe mekanizmave ndërkombëtare që thellojnë bashkëpunimin qoftë në realizimin e projekteve madhore infrastrukturore apo në luftimin e dukurive negative.
 
Të gjithë jemi të bindur se asnjë bashkëpunim në rajon nuk do të jetë i kompletuar pa pjesëmarrjen e Republikës së Kosovës, si subjekt i barabartë dhe me të drejta të plota. Asnjë nismë  rajonale nuk do të jetë e suksesshme pa pjesëmarrjen e Kosovës. Politika e zgjerimit të Bashkimit Evropian nuk është e kompletuar pa anëtarësimin e plotë dhe të barabartë të të gjitha vendeve të Evropës Juglindore.
 
Të nderuar Presidentë,
 
Ne duam që sa më shpejt të bëhemi anëtarë të BE-së dhe jemi të gatshëm, që t’i përmbushim të gjitha kriteret e kërkuara. Republika e Kosovës nuk dëshiron rrugën e shkurtër për në BE. Ne duam që, duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin dhe duke shfrytëzuar përvojat e vendeve të tjera, t’i plotësojmë standardet për anëtarësim, duke e ditur se kjo është në interes të qytetarëve dhe të zhvillimit e konsolidimit demokratik. Ky nuk është vizion por është rrugë konkrete e një agjende të sigurt, e garantuar dhe e qëndrueshme. Ky proces i anëtarësimit duhet të jetë i pakthyeshëm, sepse vetëm si i tillë do të vazhdojë të sigurojë rezultate të prekshme për vendet e rajonit.
 
Për të arritur këtë qëllim, unë kam propozuar që bashkëpunimi ynë të marrë formën e një të ashtuquajturi "mini Schengen", i cili ndër të tjera do të krijojë nxitje për rritjen e numrit të projekteve të përbashkëta të investimeve kapitale, duke vënë në funksion fondet e Bashkimit Evropian dhe duke shfrytëzuar resurset dhe kapacitet tona.
 
Në kuadër të bashkëpunimit të gjithanshëm rajonal, demonstrimi i përkushtimit tonë për gjithëpërfshirje ka për qëllim shtrirjen jo vetëm në katër vendet pjesëmarrëse. Si nikoqire e samitit të ardhshëm të Presidentëve të shteteve të rajonit, unë do të marrë iniciativën, ashti si edhe ju, besoj këtë herë me më shumë sukses, që të zgjerojë formatin e këtij forumi të rëndësishëm me pjesëmarrjen e Bosnjë e Hercegovinës dhe të Serbisë.
 
Ky zgjerim do të ndihmojë njëkohësisht edhe iniciativën e Presidentëve slloven dhe kroat të cilët e mbajnë Procesin e Brdos, që përafron vendet të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian, duke shfrytëzuar praktikat më të mira të vendeve anëtarë të BE-së.
 
Përfshirja e Presidentëve të Serbisë dhe Bosnjës në takimet rajonale kontribuon në zhvillimin e programeve konkrete të bashkëpunimit, që rezulton me nisma të cilat janë më se të nevojshme në këtë fazë të zhvillimit tonë si rajon dhe si shtete të pavarura që zbatojmë reformat e brendshme dhe duke aspiruar që brenda kësaj dekade të bëhemi anëtarë të Bashkimit Evropian.