Fjala e Presidentes Atifete Jahjaga në përvjetorin e vdekjes së atdhetarit Fadil Vata

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga vizitoi sot Therandën dhe mori pjesë në aktivitetet e organizuara në përkujtim të atdhetarit Fadil Vata, në përvjetorin e vdekjes së tij.

Në një fjalim mbajtur me këtë rast, Presidentja Jahjaga çmoi lart jetën dhe veprën e Heroit të Kosovës, Fadil Vata:
 
I nderuar Kryetar i Komunës së Therandës, z.Kuçi,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës,
I nderuar z.Ali Ahmeti
Të nderuar bashkëveprimtarë të Heroit të Kosovës, Fadil Vata,
Të nderuar veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
Të nderuara familje të dëshmorëve,
E nderuara dhe e respektuara familje e Fadil Vatës,
Të nderuar qytetarë,
 
Ngritja e Shtatores së veprimtarit të Lirisë të njërit nga ideologët, të çështjes kombëtare shqiptare në ish-Jugosllavi, të Heroit të Kosovës, Fadil Vata, në përvjetorin e 23-të të vdekjes së tij, e nderon qytetin e Therandës, e nderon Kosovën, na nderon të gjithë neve, duke e kujtuar me pietet veprimtarinë e gjithanshme, përpjekjet e pareshtura që populli shqiptarë të fitojë lirinë dhe pavarësinë dhe vet të vendos për fatin e vet.
 
Është kjo një e drejtë themelore e kombit tonë, e munguar dhe e shtypur dhunshëm nga sistemi okupues.
 
Vrulli i Rinisë së pamposhtur të Kosovës, i udhëhequr nga Lëvizja Studentore, bëri që programi politik të formësohet si kërkesë për Republikën e Kosovës, si parakusht për të qenë të barabartë në trojet tona, që i parapriu kërkesës për liri, për pavarësi dhe për luftën çlirimtare, për të larguar një herë e përgjithmonë okupimin dhe shtypjen nga atdheu ynë.
 
Organizimi ilegal atdhetar, nxjerrja e periodikut të kohës, i hapi të vërtetat për gjendjen reale të popullit, duke e mobilizuar për kundërvënie dhe për lindjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që me luftën e lavdishme dhe me intervenimin ushtarak të NATO-s solli Lirinë dhe krijoi Republikën e Kosovës, shtet sovran dhe të pavarur, me vizionin e qartë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, në NATO, duke qenë në miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
 
E gjithë kjo rrugë i përket Heroit të Kosovës Fadil Vata, bashkëmendimtarëve dhe bashkëveprimtarëve të idealit, që u shkrinë në veprimtarinë e tyre, duke dhënë kontributin domethënës që çështja jonë kombëtare të zgjidhet drejtë. Që ne sot të gëzojmë shtetin tonë dhe të punojmë për të ardhmen e atdheut, duke pasur udhërrëfyes veprimtarinë e kësaj plejade të rinjsh që nuk pushuan kurrë deri në sakrificën më sublime, të punojnë për të mirën e popullit për të ndërtuar një shtet dhe një shoqëri demokratike në të cilën të gjithë njerëzit i realizojnë në mënyrë të barabartë liritë dhe te drejtat e tyre.
 
Koha në të cilën punoi brezi i Fadil Vatës, Afrim Zhitisë, Fahri Fazliut dhe e veprimtarëve të tjerë ishte e vështirë dhe ajo u përballua suksesshëm me punë, angazhim dhe sakrifica të mëdha, duke u bërë kështu ideja udhëheqëse e të gjitha lëvizjeve tona të mëvonshme për çlirim.
 
Lavdi e përjetshme shëmbëlltyrës dhe veprimtarisë atdhetare të Fadil Vatës, nderimi dhe respekti i përjetshëm.
 
Ta mbani me krenari dhe ta nderoni shtatoren e Heroit të Kosovës, Fadil Vata.