Fjala e Presidentes Atifete Jahjaga në përurimin e autostradës Durrës-Prishtinë

Sot po përurojmë Udhën e Kombit, të ndërtuar krejtësisht me mjetet tona, që mban emrin e udhëheqësit tonë largpamës, të njeriut që e dha idenë e ndërtimit të Autostradës që lidh Tiranën e Prishtinën, të Presidentit të Parë të Kosovës, Doktor Ibrahim Rugova.

Ne e dëshmuam se me forca vetjake jemi të aftë të bëjmë vepra të mëdha që lehtësojnë komunikimin, që nxisin bashkëpunimin, që ndërlidhin vendet, që mundësojnë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të mallrave, që me infrastrukturën e ndërtuar na bëjnë një vend të rëndësishëm jo vetëm tranzit por kontribuues në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian.
 
Të nderuar qytetarë,
 
Në manifestimet dhe në përurimet e veprave që janë fryt i punës dhe i angazhimit të qytetarëve tanë, duhet të kujtojmë se kjo është e mundshme, sepse Republika e Kosovës është shtet sovran dhe i pavarur, që vet menaxhon me resurset e veta, duke i përcaktuar politikat më të mira dhe më efikase zhvillimore në funksion të përparimit dhe të integrimit.
 
Kosova vend i lirë, i pavarur e demokratik u fitua me luftën e lavdishme të UÇK-së, me ndihmën e pakursyer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të vendeve mike të Bashkimit Evropian.
 
Të nderuar qytetarë,
 
Ne po ndërtojmë një shtet të qytetarëve të barabartë dhe shtet gjithëpërfshirës, ku sundimi i ligjit dhe rendit të jetë bazë e zhvillimit tonë të përgjithshëm dhe ku toleranca ndërmjet qytetarëve të komuniteteve të ndryshme është vlerë e shoqërisë sonë. Po ndërtojmë një shtet, ku liria e secilit qytetar do të respektohet, vlerësohet e avancohet, por në të cilin ligji dhe Kushtetuta janë bazamenti i ndërtimit të tij, dhe ku përgjegjësia e obligimet për shtetin janë të të gjithëve njësoj.
 
E ardhmja e Kosovës, ashtu si edhe e të gjithë rajonit të Evropës Juglindore, është në Evropë dhe kjo rrugë do të bëhet më e lehtë kur t’i përfundojmë reformat tona të brendshme.
 
Ne kemi dëshmuar më 3 Nëntor, në zgjedhjet komunale, pjekurinë tonë si shoqëri, duke kaluar testin e demokracisë, përmes organizimit të mirë të këtyre zgjedhjeve. Kjo është vetëm njëra pjesë e këtij testi. Më 1 Dhjetor ne duhet të dëshmojmë se vota e qytetarit të Kosovës kudo - edhe në veri edhe në jug, në secilin cep të vendit - është e shenjtë, është e lirë, e paprekshme dhe e pacenueshme. E drejta e tij për të votuar lirshëm është e drejtë kushtetuese. Procesi i zgjedhjeve komunale duhet të përfundojë i qetë dhe i ndershëm, sepse kjo do të dëshmojë se ne e kemi vendin në mesin e shteteve të lira e të pavarura në BE. Ky proces duhet të dëshmojë kompaktësinë e territorit tonë, pavarësinë e vendit tonë, integrimin e secilit qytetar të secilit komunitet në shoqërinë dhe institucionet e vendit. Ky proces është proces i Kosovës, dhe ai do të dëshmojë pjekurinë dhe demokracinë tonë.
 
Të nderuar qytetarë,
 
Në krijimin e kushteve për një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët, në ndërtimin e infrastrukturës së përgjithshme, Udha e Kombit është një vepër madhore që na lidh përjetësisht ndërmjet veti, na mundëson që të komunikojmë lirshëm e pa pengesa, të qarkullojmë mallrat dhe të shfrytëzojmë të gjitha resurset tona për zhvillimin e mirëqenien e popullit tonë.
 
Vullneti i pamposhtur dhe bashkimi i forcave tona tregon se jemi të aftë t’i përfundojmë me sukses veprat e mëdha.
 
Vetëm kështu e ndërtojmë të ardhmen e sigurt e prosperuese duke qenë autostrada një arterie komunikimi që i bashkon njerëzit, i bashkon popujt dhe vendet, duke na lidhur me rrugët dhe korridoret më të rëndësishme evropiane, duke nxitur bashkëpunimin e ndërsjellë, duke shumëfishuar përfitimet dhe duke ndikuar në forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon, në këtë shekull të integrimeve, të anëtarësimit tonë në Bashkimin Evropian.
 
Kjo autostradë moderne është simbol i përkushtimit tonë, simbol i vullnetit tonë, simbol i suksesit tonë, simbol i integrimit tonë.
 
Gëzuar Udhën e Kombit!