Fjala e Presidentes Atifete Jahjaga në paradën për nder të Ditës së Pavarësisë

Republika e Kosovës, shtet sovran dhe i pavarur, me integritet dhe sovranitet të garantuar territorial me subjektivitet të plotë ndërkombëtar si një faktor i rëndësishëm i paqes dhe stabilitetit, sot po feston 5-vjetorin e shpalljes se pavarësisë, në 14-vjetorin e jetës tonë në liri.

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Oficerë, nënoficerë dhe ushtarë,
Të nderuara familjarë të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë,
I nderuar Kryetar i Kuvendit Krasniqi,
I nderuar Kryeministër Thaçi,
Të nderuar Zv. Kryeministra dhe Ministra të Qeverisë së Kosovës,
I nderuar President i Republikës së Shqipërisë Z. Nishani,
Të nderuar ministra të mbrojtjes të Shqipërisë dhe të Maqedonisë
Të nderuar Ambasadorë dhe shefa të misioneve diplomatike në Kosovë,
Zonja dhe zotërinj,

Republika e Kosovës, shtet sovran dhe i pavarur, me integritet dhe sovranitet të garantuar territorial me subjektivitet të plotë ndërkombëtar si një faktor i rëndësishëm i paqes dhe stabilitetit, sot po feston 5-vjetorin e shpalljes se pavarësisë, në 14-vjetorin e jetës tonë në liri.

Në këtë ditë, ne i kujtojmë dhe i nderojmë të gjithë ata që punuan për atdheun. Ata veprimtarë, ata intelektualë, ata luftëtarë, ata punëtorë, ata bujq, ata qytetarë që gjatë gjithë jetës, me punën e vet të përditshme, dhanë kontribut të jashtëzakonshëm në ndërtimin e një shoqërie të drejtë. Një shoqërie të njerëzve të lirë e të qytetarëve të barabartë. Të një shteti demokratik me rend dhe sundim të ligjit, me institucione të përgjegjshme në shërbim të qytetarit.

Republika e Kosovës sot është një kontribuuese e rëndësishme për zhvillimin e marrëdhënieve fqinjësore në rajon, dhe të marrëdhënieve bilaterale, me synimin e qartë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Ne, populli i Kosovës, kemi nisur një kapitull të ri në historinë tonë – atë të paqes, të mirëkuptimit, të bashkëpunimit dhe të respektimit ndërmjet popujve dhe vendeve, të vetëdijshëm se qytetarët e Kosovës, ashtu si edhe qytetaret e gjithë botës, meritojnë një jetë të dinjitetshme duke qenë të lirë, të barabartë dhe të dinjitetshëm, duke marrë fatin në duart tona dhe duke pasur ndihmën e miqve tanë ndërkombëtarë, që kontribuuan në konsolidimin tonë si shtet demokratik.

Ne po ndërtojmë një vizion të ri për vendin dhe popullin tonë, vizionin e një të ardhmeje të qartë euroatlantike.

Ne jemi përkushtuar që të punojmë pandërprerë, duke plotësuar të gjitha kushtet dhe standardet që Republika e Kosovës të bëhet vend anëtar i Bashkimit Evropian dhe NATO-s duke pasur një miqësi të përhershme, strategjike dhe të qëndrueshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Republika e Kosovës ndjek politikën e fqinjësisë së mirë me të gjitha shtetet dhe si shtet demokratik respektojmë sovranitetin dhe integritetin e të gjitha shteteve të tjera. Ashtu sikur që edhe shtetet e tjera e respektojnë sovranitetin e Republikës së Kosovës dhe integritetin territorial të saj.

Të nderuar qytetarë,

Republika e Kosovës, kapacitetet e veta në fushën e rendit dhe të sigurisë i ka përherë në funksion rendit dhe të sundimit të ligjit, duke respektuar normat dhe standardet më të larta në fushën e mbrojtjes së të Drejtave dhe Lirive te Njeriut.

Këto kapacitete janë të ndërlidhura me NATO-n, me strukturat e sigurisë evropiane dhe ndërkombëtare, duke qenë pjesë dhe duke kontribuar në ndërtimin e arkitekturës globale të sigurisë. Në këtë mision të avancimit të strukturave tona të sigurisë dhe realizimit të rendit dhe ligjit, ne kemi përkrahjen e fuqishme të KFOR-it dhe EULEX-it, misione ndërkombëtare që i kemi ftuar në vendin tonë, të cilat i falënderojmë për përkushtimin ndaj Kosovës dhe ndihmën e tyre të pakursyer për ta siguruar paqen në shtetin tonë të ri.

Forca e Sigurisë së Kosovës, me përkushtimin dhe me ndjenjën e përgjegjësisë së lartë, me punën e palodhshme, me trajnimin dhe me aftësimin sipas standardeve më të larta të NATO-s, është një nga institucionet më të respektuara të Republikës së Kosovës.

Forca e Sigurisë së Kosovës, duke qenë një forcë profesionale, efikase, për të gjitha situatat emergjente, si edhe për pjesëmarrjen në misionet humanitare e paqeruajtëse, zë vend kyç në përpilimin dhe implementimin e politikave të sigurisë të shtetit tonë dhe në përmbushjen e qëllimeve tona strategjike drejt integrimit në BE dhe në NATO, duke vendosur themele të qëndrueshme të një force demokratike dhe paqësore, që bart në vete një të kaluar të lavdishme, një të tashme të qëndrueshme dhe një të ardhme të sigurt, në përputhje me vizionin e Republikës së Kosovës një shtet të ndërtuar mbi parimin e barazisë dhe lirisë për secilin qytetar.

Republika e Kosovës, që nga çlirimi i vendit, ka ndërtuar Policinë e Kosovës, si një institucion të besueshëm, që gëzon respektin dhe nderimin më të madh, për punën profesionale e vetëmohuese, në shërbim të të gjithë qytetarëve.

Policia e Kosovës, e aftësuar dhe e trajnuar sipas standardeve më të larta evropiane, po jep kontribut të jashtëzakonshëm në ruajtjen e rendit dhe të qetësisë publike, në parandalimin dhe luftimin e krimit të organizuar, kontrabandës dhe korrupsionit, duke zbatuar në mënyrë të paanshme ligjin.

Të nderuar pjesëtarë të Forcës së sigurisë së Kosovës,
Të nderuar pjesëtarë të Policisë së Kosovës,
Të nderuar pjesëtarë të strukturave emergjente dhe të shërbimeve civile,

Parakalimi Juaj sot e nderon punën tuaj, profesionalizmin dhe besimin tuaj të jeni në shërbim të shtetit, të jeni në shërbim të të gjithë qytetarëve. Përkushtimi në punën tuaj ju lartëson dhe ju dallon. Familjarët tuaj janë krenarë për shërbimin Tuaj. Shteti, Republika e Kosovës e vlerëson angazhimin Tuaj.

Ky parakalim është simbolik por edhe shumë domethënës, sepse e tregon se Ju jeni të aftë sot të kryeni secilën detyrë. E tregon se atdheu ka besim në Ju, e tregon se miqtë tanë ndërkombëtarë, që kanë investuar në trajnimin dhe profesionalizimin Tuaj, që kanë ndihmuar me mjete, sot janë të kënaqur me rezultatin e këtij bashkëpunimi. Me frytet që në këtë parakalim po shihen.

Ne institucionet e Republikës së Kosovës do të vazhdojmë të japim përkrahjen dhe përkujdesjen që si struktura të veçanta t’i arrini standardet më të larta në shërbim. Të jeni plotësisht të barabartë me strukturat e vendeve të Bashkimit Evropian.

Të nderuar qytetarë,

Liria dhe pavarësia e vendit është fituar me e punën pakursyer të gjithë popullit të Kosovës. Kjo fitore është arritur edhe me përkrahjen e fuqishme ndërkombëtare, të miqve tanë, para së gjithash të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të vendeve të Bashkimit Evropian, dhe me intervenimin ushtarak të NATO-s.

Kjo na obligon që të ndërtojmë shtetin dhe shoqërinë demokratike. Të krijojmë një ambient të qetë dhe të sigurt. Të ndërtojmë një vend në të cilin të gjithë qytetarët jetojnë dhe punojnë lirshëm, duke e ndërtuar të tashmen dhe duke e parë të ardhmen për vete dhe për brezat që vijnë. Ta çojmë vendin tonë përpara, duke kontribuar secili në fushën e vet, duke çmuar dhe duke vlerësuar punën e përkushtimin, duke punuar në përparimin e atdheut..

Gëzuar Dita e Pavarësisë!
Zoti e bekoftë Kosovën!
Zoti i bekoftë miqtë e saj!