Fjala e Presidentes Atifete Jahjaga në mbledhjen inauguruese të Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit

Në organizim të Presidentes së Republikës së Kosovës, zonjës Atifete Jahjaga u mbajt sot mbledhja inaugurues e Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit.

Në mbledhje mori pjesë kryetari i Kuvendit të Kosovës, z.Jakup Krasniqi, kryeministri i Republikës së Kosovës, z.Hashim Thaçi, ministra dhe zyrtarë të tjerë të institucioneve të vendit, si dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare e përfaqësues diplomatikë të akredituar në vendin tonë.
 
Në vijim po e japim fjalën e Presidentes Jahjaga në mbledhjen inauguruese të Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit:
 
I nderuari Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës,
I nderuari Kryeministër,
Të nderuar titullar të institucioneve të Republikës së Kosovës,
Të nderuar Ambasadorë të shteteve të Kuintit,
 
Ju dëshiroj mirëseardhje në mbledhjen e parë inauguruese të Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit.
 
Siç e dini, Këshillin Kombëtar Kundër Korrupsionit si Presidente e vendit e kam themeluar me dekret të veçantë duke përcaktuar edhe anëtarët, edhe qëllimet edhe mënyrën e punës.
 
Gjatë punës sonë këtu ne të gjithë do të kontribuojmë, do të propozojmë zgjidhje afatgjata dhe afatshkurta, dhe do të ndërtojmë politika për luftimin efikas të korrupsionit.
 
Kryeparlamentari dhe kryeministri janë këtu vetëm sot, në pjesën e parë të këtij takimi, të tregojmë unitetin institucional, të shprehim përkushtimin se të gjithë së bashku, dhe në kuadër të fushëveprimeve tona kushtetuese dhe ligjore, jemi të vendosur të çrrënjosim korrupsionin, këtë të keqe, që po kërcënon të përfshijë të gjitha segmentet e shoqërisë dhe të na rrezikojë në rrugën e integrimeve tona evropiane.
 
Këshilli Kombëtar Kundër Korrupsionit nuk është trup ekzekutiv dhe nuk ka rol të tillë, por ju anëtarët që jeni këtu, Ju drejtuesit e këtyre institucioneve, që të gjithë keni rol ekzekutiv, rol mbështetës dhe, në një farë forme, kur është fjala për shoqërinë civile, rol vëzhgues e monitorues, e komisionet parlamentare edhe rol mbikëqyrës.
 
Pra, po e shihni se këtu jemi të ndërthurur dhe të gjithë së bashku - Ju këtu duke raportuar në këtë Këshill për punën e Juaj - ndihmoni që të kemi një pasqyrë të qartë se ku jemi, ku kemi vështirësi, si duhet të evitohen ato, dhe si të ecim përpara.
 
Në këtë Këshill, duke pasur transparencë të plotë ndërmjet veti, i ndërlidhim punët dhe veprimet tona, sugjerojmë ndryshimet e ligjeve dhe akteve të tjera nënligjore, sugjerojmë një organizim më të mirë dhe më efikas brenda institucional, mandej caktojmë prioritetet jo vetëm në shqyrtimin e çështjeve por edhe kudo tjetër që është në funksion të luftimit të korrupsionit.
 
Kështu ne organizohemi dhe punojmë më mirë se sa ata që e bëjnë dhe e ushqejnë korrupsionin.
 
Duke e pasur mbështetjen e plotë ligjore dhe kushtetuese si institucione, duke krijuar një ambient të përshtatshëm, duke bërë një edukim të popullsisë, dhe duke krijuar të gjithë mekanizmat e nevojshëm ligjor dhe infrastrukturën që luftën kundër korrupsionit ta fitojmë përfundimisht.
 
Të nderuar,
 
Këshilli Kombëtar Kundër Korrupsionit është një nismë dhe një mekanizëm i autoritetshëm, i nevojshëm krahas të gjithë mekanizmave të deritashëm ekzistues.
 
Ky Këshill ka për synim informimin e shpejtë dhe të rregullt ndërinstitucional, harmonizimin dhe koordinimin e punëve, mandej nxjerrjen e raporteve të rregullta periodike nëpërmjet të cilave maten rezultatet tona në luftën kundër korrupsionit.
 
Të jeni të ndërgjegjshëm se unë si Presidente e vendit do të ndërmarr çdo veprim kushtetues dhe ligjor që shton efikasitet dhe efektivitetin e punës së institucioneve, të shoqërisë civile, të mediave dhe të çdo qytetari, për t’u angazhuar dhe për të dhënë kontributin konkret në luftën tonë të përbashkët kundër korrupsionit.
 
E kam vullnetin dhe përkushtimin që punët t’i çoj deri në fund - nuk do të ndalem përpara asnjë sakrifice dhe nuk do të kursehem nga asgjë.
 
Jam plotësisht e bindur se në punën tonë, pra në punën e Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit, do të kemi sukses të plotë.
 
Neve nuk na lejohet dështimi.
 
Këtë nuk na e lejojnë qytetarët e Kosovës.
 
Këtë nuk na lejojnë miqtë tanë ndërkombëtar që presin shumë dhe qe i kanë dhanë përkrahje të parezervë kësaj nisme të Presidentes.
 
Qytetarët presin qe shteti të jetë në shërbim të tyre.
 
Që ne të jemi në Shërbim të tyre.
 
Qytetarët presin që të qeverisim me duar të pastra. Qytetarët presin që plotësisht ta realizojmë parimin askush mbi ligjin. Zero Tolerancë ndaj Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
 
Qytetarët presin që t’i realizojnë të drejtat dhe liritë e tyre pa pasur nevojë të paguajnë, pa pasur nevojë të mitosin, të korruptojnë, dhe pa pasur nevojë që të mirat qe ju takojnë t’i ndajnë me parazitët që ju thithin djersën dhe mundin e punës si qytetarë të devotshëm të vendit tonë.
 
Betejën kundër korrupsionit do ta fitojmë, nuk kemi alternativë tjetër.
 
Këtë duhet ta bëjmë për të tashmen tonë, por edhe për të ardhmen e fëmijëve tanë.
 
Republika e Kosovës shtet sovran dhe i pavarur përfundimisht do të jetë vend i rendit dhe i sundimit të Ligjit.
 
Ju faleminderit!