Fjala e Presidentes Atifete Jahjaga në manifestimin Darka e Lamës 2014

Darka e Lamës, një manifestim i lashtë tradicional i popullit tonë që sivjet organizohet në Gjakovë, në Lamën e Drithit, e simbolizon festën e gëzimit të njeriut që i ka përfunduar të gjitha punët e motmotit, duke sjellë mbi të gjitha gëzimin për bereqetin e tokës sonë.

E nderuara kryetare e komunës së Gjakovës zonja Mimoza Kusari,
I nderuari Kryeministër Thaçi,
Të nderuar liderë të partive politike, dr. Mustafa dhe zotëri Haradinaj,
Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike në Kosovë,
Të nderuar krerë të bashkësive fetare,
Të nderuar përfaqësues të botës akademike, të kulturës, shkencës dhe të artit,
Të nderuar përfaqësues të Forcës së Sigurisë, të policisë së Kosovës, dhe përfaqësues të misionit paqeruajtës të KFOR-it,
Të nderuar qytetarë dhe bashkëqytetar të Gjakovës,
Të nderuar të pranishëm,
 
Darka e Lamës, një manifestim i lashtë tradicional i popullit tonë që sivjet organizohet në Gjakovë, në Lamën e Drithit, e simbolizon festën e gëzimit të njeriut që i ka përfunduar të gjitha punët e motmotit, duke sjellë mbi të gjitha gëzimin për bereqetin e tokës sonë.
 
Në këtë ditë i falënderohemi Zotit për të gjitha të mirat që na i ka sjellë, e nderojmë punën dhe angazhimin e bujkut, për prodhim cilësor dhe të bollshëm, dhe mblidhemi të gjithë rreth sofrës tonë të përbashkët, duke paraqitur secila shtëpi prodhimet më të mira që i ka dhe duke i ndarë bashkërisht me të tjerët.
 
Darka e Lamës është një festë gëzimi, sepse është siguruar buka e motmotit, është një festë e begatisë dhe e të mirave, që na i ka falë natyra, është një festë solidariteti dhe e punës së përbashkët të njerëzve që ndihmojnë njëri – tjetrin.
 
Të shtojmë përpjekjet dhe angazhimin që t’i dalim zotë kësaj toke, duke bashkëpunuar dhe duke gjetur rrugën më të mirë për ndërtimin e institucioneve të përgjegjshme, të qëndrueshme dhe demokratike, për të çuar përpara vendin, për prosperitet, zhvillim e mirëqenie.
 
Duke ruajtur traditat tona më të mira të dëshmojmë urtësi e dinjitet, të përjetësojmë idealet e të gjithë brezave që e deshën Kosovën vend të lirë e demokratik në miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vend anëtar të Bashkimit Evropian dhe i NATO-s

Le t’i shijojmë të gjithë prodhimet e tokës tonë
Të falënderojmë Zotin për të mirat që na i ka dhënë
Zot ruaje Kosovën, Zot ruaje popullin e Kosovës, Zot ruaji miqtë tanë.
Ju faleminderit dhe mirë se keni ardhë në këtë sofër tonë të përbashkët këtu në Gjakovë.