Fjala e Presidentes Atifete Jahjaga, në lansimin e Dhomës Ekonomike të Gruas në Kosovë

Vetëm para 2 muajsh e gjysmë, organizuam në Prishtinë, Samitin e Parë Ndërkombëtar të Gruas “Partneriteti për Ndryshim: Fuqizimi i Gruas” që mblodhi rreth 200 gra e burra nga e gjithë bota dhe Kosova. Gjatë këtyre tre ditëve të Samitit diskutuam për pjesëmarrjen e gruas në çdo fushë si faktor që konsolidon demokracinë, rritë mirëqenien e përgjithshme të shoqërisë dhe kontribuon në zhvillimin ekonomik të vendit.

Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës,
E nderuara Zëvendëskryeministre Kusari-Lila,
I nderuar Ministër Beqaj,
Të nderuara deputete të Kuvendit të Republikës së Kosovës,
E nderuara Zëvendësambasadore e SHBA-ve, zonja Kelly,
E nderuara Kryetare e Dhomës Ekonomike të Grave të Kosovës znj. Saraçini -Kelmendi,
Të nderuara anëtare të dhomës Ekonomike të Grave Grupi G-7, Arijeta, Ardiana, Mimoza, Linda, Dhurata, Ariana,
Të nderuar pjesëmarrës,
 
Vetëm para 2 muajsh e gjysmë, organizuam në Prishtinë, Samitin e Parë Ndërkombëtar të Gruas “Partneriteti për Ndryshim: Fuqizimi i Gruas” që mblodhi rreth 200 gra e burra nga e gjithë bota dhe Kosova. Gjatë këtyre tre ditëve të Samitit diskutuam për pjesëmarrjen e gruas në çdo fushë si faktor që konsolidon  demokracinë, rritë mirëqenien e përgjithshme të shoqërisë dhe kontribuon në zhvillimin ekonomik të vendit.
 
Në temat që shtjelluam me përfaqësues të institucioneve, botës akademike, shoqërisë civile e biznesit, ndamë përvojat më të mira dhe ndërmarrjet konkrete në shoqëritë tona në secilën fushë. Evidentuam progresin e arritur në avancimin e rolit të gruas, identifikuam sfidat e mbetura dhe mënyrat më të mira për të hequr pengesat që po e mbajnë peng përparimin e gjithëmbarshëm të saj dhe për të krijuar kushtet që gruaja ta zërë vendin e saj të merituar në shoqëri.
 
Me plot krenari e them që përparimi që Kosova e ka bërë në këtë fazë në promovimin e gruas në jetën politike ka shërbyer si një praktikë e mirë që ka dhënë rezultate të prekshme. Ndonëse kuota si mënyrë përfaqësimi – apo ta quaj më butësisht diskriminim pozitiv – për dikë mund të jetë e debatueshme, megjithatë në shoqërinë tonë ka garantuar pjesëmarrjen e femrës në jetën publike të Kosovës. Në kohën kur gruaja në Kosovë nuk është e fuqizuar ekonomikisht, nuk është e barabartë në ndarjen e pronës dhe nuk e ka sigurinë e mjaftueshme, përfaqësimi në bazë të kuotës në institucionet e Kosovës është një mënyrë për të siguruar barazinë e saj.
 
Këtë sukses të nivelit qendror duhet ta konsolidojmë më tej duke nxitur përfaqësimin e gruas edhe në nivelin lokal. Njëkohësisht, si Presidente e vendit, jam duke i shqyrtuar mundësitë për bashkëpunime me institucionet vendore dhe nismat ndërkombëtare, që të krijojmë mekanizma që do të rrisin kapacitetin e gruas dhe ngrisin pjesëmarrjen e saj në 50 % deri në 2050. Gjithashtu shpreh besimin tim se pas zgjedhjeve të ardhshme lokale, në udhëheqjet komunale, në të gjitha komunat në Kosovë, një nënkryetare do të jetë femër.
 
Në të gjitha çështjet që u ngritën gjatë diskutimeve të Samitit të Gruas, çështjet e përfaqësimit politik, juridik apo social, fuqizimi ekonomik u shqua si kontribuues esencial i avancimit të përgjithshëm të gruas në çdo fushë me efekte që shkojnë përtej arritjes së mirëqenies financiare të gruas.
 
Investimi në fuqizimin ekonomik të gruas, krijimit dhe ofrimit të mundësive për pjesëmarrjen më të gjerë të saj në sektorin ekonomik, rrit nivelin e edukimit të fëmijëve, rrit mirëqenien e familjes dhe të gjithë shoqërisë si dhe kontribuon në uljen e fenomeneve negative. Investimi në fuqizimin ekonomik të gruas, nuk është vetëm investim në individ, por është dhe investim në shoqëri dhe investim në qëndrueshmërinë tonë si shtet .
 
Gratë në Kosovë zotërojnë vetëm 8 për qind të pasurisë së patundshme dhe janë pronare të vetëm 6 për qind të bizneseve. Këto shifra tregojnë qartë nevojën për të ndërmarrë hapa konkrete për të parandaluar margjinalizimin e gjysmës së shoqërisë sonë.
 
Prandaj jo pa qëllim, iniciativa konkrete e dalë nga Samiti Ndërkombëtar i Gruas dhe Parimet e Prishtinës, ishte ballafaqimi me këtë sfidë. Krijimi i grupit të grave të biznesit në Kosovë që morën mandatin për të përcaktuar formën se si do t’i vinin në ndihmë gruas kosovare në fushën e ekonomisë.
 
Ndërsa pjesëmarrja e përgjithshme e grave në sektorin ekonomik është akoma shumë e ulët, gjithsesi kemi gra të cilat ia kanë dal, i kanë kapërcyer sfidat dhe tani janë udhëheqëse të bizneseve që radhiten ndër më të suksesshme në vend. Prandaj në bashkëpunim me Ministren e Tregtisë dhe Industrisë, znj. Mimoza dhe USAID Znj. Maureen, ju kërkuam pikërisht këtyre grave të jenë udhëheqëse të ndryshimeve pozitive në fushën e ekonomisë.
 
I përgëzoj të shtatë gratë, G7 –tën, të cilat që në momentin e parë kanë treguar gatishmëri për ta çuar këtë ide përpara dhe për ta kthyer këtë iniciativë në realitet. Dhe sonte, në saj të përkushtimit të tyre inaugurojmë lansimin e krijimit të Dhomës Ekonomike të Gruas në Kosovë që do të ofrojë mundësi të reja për të gjitha gratë, që tashmë janë pjesë e botës së biznesit apo aspirojnë të jenë, duke ju ofruar ndihmë të munguar deri më tani. 
 
Të nderuara pjesëmarrëse,
 
Dua t’ju përkujtoj arsyen e këtij angazhimi dhe vullneti politik që po bëjmë përpjekje ta konkretizojmë me rezultate të prekshme. Dhe për ta bërë këtë po i referohem një thënie personale të mikes tonë të madhe, Sekretares Amerikane të Shtetit Hillary Clinton, e cila me një rast pat deklaruar se: “ndjejë dhimbje të thellë kur udhëtoj nëpër vende të ndryshme të botës dhe më presin burrështetas vetëm pse jam Sekretare Amerikane e shtetit duke injoruar faktin se jam grua.”
 
Dhe ky fakt se ne jemi gra nuk duhet të na bëjë më të dobëta dhe as më të nënshtruara. Zëri ynë duhet të jetë zë i fuqishëm sepse ne jemi nëna, sepse ne jemi shtylla e familjes, dhe sepse ne kemi treguar aftësi për ta rimëkëmbur shoqërinë tonë dhe për t’i rivendosur vlerat dhe idealet tona në këto vite të vështira tranzicioni.
 
E njëjta vlen edhe për kategoritë tjera në këtë shoqëri. Gjatë ditëve të fundit kemi qenë dëshmitarë të ngjarjeve të shëmtuara që shkelin të drejtat kushtetuese dhe liritë themelore të qytetarit. Në shoqërinë të cilën po e ndërtojmë nuk ka vend për diskriminimi mbi asnjë bazë dhe ne duhet të jemi të pakompromis për ta mbrojtur këtë parim. Të gjithë duhet t’i gëzojnë të drejtat e barabarta që garantohen me Kushtetutën e Republikës së Kosovës pavarësisht përkatësisë etnike, gjinore, fetare dhe orientimit seksual.
 
Si institucione dhe si shoqëri, duhet të mendojmë se si veprimet tona të sotme ndikojnë në ndërtimin e vendin tonë, në shërbim të secilit qytetar duke krijuar e ofruar, mundësi dhe kushte ku secili prej tyre të mund të përmbush potencialin e tij.
 
Siç ka thënë dhe Nancy Pelosi, ish kryesuesja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, “ne duhet të ndërmarrim mundësinë për të sjellë ndryshimin e nevojshëm në mënyrë që të tjerët të mos kenë nevojë të luftojnë këtë luftë përsëri”.
 
Zelim sada da se obratim vama zenama preduzetnicama iz razlicitih opstina na Kosovu.
 
Vi ste jedan jako dobar primer ne samo u razvoju vase porodice, vase opstine i drustva u mestima gdje vi zivite nego i most saradnje na Kosovu za dobrobit celog naseg drustva i za bolju buducnost novih generacija. Ova iniciativa je i za vas  i ohrabrujem vas da istrajete sa vasim idejama i zahtevima jer samo tako mozemo doprineti blagostonju nasih porodica.
 
G7-she Afërdita, Arijeta, Ardiana, Mimoza, Linda, Dhurata, Ariana ju uroj suksese  duke shpreh përkushtimin dhe mbështetjen e institucionit që drejtojë për Dhomën Ekonomike të Gruas së Kosovës, dhe të gjitha iniciativave të tjera që kanë si qëllim të ndërtojnë një shtet në shërbim të qytetarit.
 
Ju faleminderit dhe suksese