Fjala e Presidentes Atifete Jahjaga në Kongresin e 11-të Ndërkombëtar të Vjenës

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, mbajti sot një fjalë në temën “Vizioni për Evropën” në Kongresin e 11-të Ndërkombëtar të Vjenës (11-th International Vienna Congress – Com-Sult).

Në Kongres po marrin pjesë politikanë, diplomatë, ekspertë të fushës së ekonomisë, nobelistë të njohur ndërkombëtarë dhe personalitete të njohura botërore.

Në vijim fjala e plotë e Presidentes Jahjaga:

Është kënaqësi të jem sot me ju këtu dhe të ndajmë me ju zhvillimet e fundit në Kosovë.

Më lejoni të filloj duke thënë se sa e nderuar ndihem që jam në Vjenë, në këtë shtet mik, i cili e ka ndihmuar Kosovën dhe rajonin ta lë pas të kaluarën e hidhur.

Sot do të dëshiroja të flasë me ju rreth një nisme të rëndësishme, të ndërmarrë nga institucionet dhe populli i Kosovës me qëllim normalizimin e marrëdhënieve me fqinjët tanë dhe hapjen e kapitujve të ri të bashkëpunimit.

Kur filluam të ndjekim anëtarësimin në BE, ne u ballafaquam me një të vërtetë të rëndësishme. BE-ja nuk do të importojë konflikte. Marrëdhëniet në Ballkan, në mes të shteteve, vazhdojnë të mbesin të brishta, të vështira dhe me mosbesim.

Ne akoma nuk kemi arritur të ndërtojmë ura lidhëse mes nesh, përkundër disa hapave të rëndësishëm të ndërmarrë gjatë dekadës së fundit me qëllim ndryshimin e perceptimit për njëri tjetrin.

Por, përkundër kësaj, ajo që ishte e paimagjinueshme para një viti- dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë- arriti të bëhet suksesi më i madh, për shkak se ideja e integrimit evropian - ideja e bashkëpunimit dhe marrëveshjes mbizotëroi.

Edhe pse ekzistojmë si shtete të veçanta dhe jemi të zotë të fateve tona, të ardhmet tona janë të ndërlidhura, posaçërisht pasi aspirojmë t’i bashkohemi një Bashkimi i cili simbolizon bashkëjetesën paqësore dhe ndërvarshmërinë ekonomike.

Ne u desh të gjejmë forcën dhe kurajën që të adresojmë atë që ishte gjëja më e vështirë gjatë dekadës së kaluar, hapjen e kapitullit të pajtimit politik me Serbinë dhe të akomodojmë komunitetin serb që jeton në pjesën veriore të Kosovës, i cili mbahej peng nga refuzimi i Serbisë që ta pranojë realitetin e një Kosove të pavarur.

Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja dhe i mbështetur nga SHBA-ja është mënyra e vetme për t’i rinisur marrëdhëniet në mes nesh si të barabartë.

Dialogu ka për qëllim të sigurojë stabilitet dhe të ulë tensionet në rajon nëpërmes zgjidhjeve të cilat janë në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira evropiane.

Ne i kemi hyrë procesit të dialogut, të bindur se vetëm nëpërmes këtij procesi ne mund ta arrijmë stabilitetin e nevojshëm për konsolidimin e shteteve tona, rikëndelljen e ekonomive tona dhe të ndërtojmë marrëdhënie fqinjësore të cilat do ta sigurojnë të ardhmen tonë evropiane.

Në këtë proces, ne kemi kërkuar gjithëpërfshirje politike dhe shoqërore. Sepse ky ishte një investim madhor, i cili tejkalon kufijtë ideologjikë dhe politikën ditore dhe unë besoj fuqimisht se përcakton rrugën e vendit tonë dhe prek jetën e secilit qytetar.

Gjatë përpjekjeve për të ndërtuar konsensus, ne kemi hasur në skepticizëm, i cili duhet të kuptohet në kontekst të kaluarës sonë me Serbinë dhe një numri të madh të marrëveshjeve të dështuara të cilat i kanë shkaktuar shumë vuajtje qytetarëve të vendit tim.

Dhe, përderisa kujtimet mbi luftën dhe pasojat e saj janë akoma të freskëta, siç na rikujton edhe zbulimi i një varreze masive, jo larg nga kufiri ynë, në Serbi, në të cilën besohet se gjinden trupat e civilëve shqiptarë.

Si lidere e institucionit më të lartë në vendin tim, unë kam mbështetur dialogun në mes të dy vendeve të pavarura, përfshirë edhe takimin tim me Presidentin e Serbisë vitin e kaluar në Bruksel, të vendosur që ta kthejmë një faqe të re në ndërtimin e një vizioni për të ardhmen e gjithë rajonit.

Asnjë shtet nuk mund ta mbajë peng të ardhmen e qytetarëve tanë. Vetëm gjatë vitit të kaluar kemi përfunduar marrëveshjet për shpërndarjen e strukturave ilegale serbe, të cilat kanë vepruar në veri.

Me sukses i kemi përfshirë anëtarët e këtij komuniteti në Policinë e Kosovës. Ne i kemi mbajtur zgjedhjet lokale për herë të parë në mbarë territorin e Kosovës, duke zgjedhur kryetarë komunash dhe asambleistë, të cilët, ne besojmë, përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve të Kosovës.

Po ashtu, kemi arritur marrëveshje për energjinë, menaxhimin e integruar të kufijve, transport, tatime dhe dogana, dokumente, si dhe kemi hapur zyra ndërlidhëse në të dy kryeqytetet, marrëveshje të cilat sigurojnë stabilitet dhe gjithsesi marrëveshje të cilat ofrojnë siguri më të madhe për mbarë rajonin.

Këto marrëveshje duhet të zbatohen në tërësi. Dhe progresi i procesit të normalizimit në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të vlerësohet kapitull pas kapitulli dhe hap pas hapi!

Duke e vlerësuar implementimin e secilit aspekt të marrëveshjes dhe duke siguruar përfundimin e suksesshëm të secilës periudhë implementuese derisa të arrijmë në fund. Kosova dhe Serbia duhet të ndërtojnë një partneritet, të bazuar në njohje të dyanshme, si hap përfundimtar drejt integrimit në BE.

Asnjë shtet i cili aspiron integrimin në BE nuk duhet të lejohet që ta pengojë ndonjë shtet tjetër në këtë proces dhe kjo vlen posaçërisht për rastin e Kosovës dhe Serbisë. Për këtë arsye, njohja e dyanshme në mes të dy shteteve, nëpërmes një traktati me bazë ligjore, duhet t’i hapë rrugën për anëtarësim në BE të dyja shteteve.

Bashkimi Evropian nuk duhet të lejojë vendosjen e pengesave në rrugëtimin e shteteve aspiruese, sepse një akt i tillë do të bllokonte zhvillimin e mëtutjeshëm dhe do të krijonte një periudhë të re mospajtimesh në Ballkanin Perëndimor, duke sjellë edhe një ndalesë tjetër në procesin e progresit të përgjithshëm të këtij rajoni. Për këtë arsye rrugëtimi ynë drejt BE-së duhet të kushtëzohet me çimentimin e paqes në vendet tona.

Ne duam të shohim vazhdimin e dialogut të strukturuar përderisa të ketë nevojë për të, por me një afat kohor të paracaktuar dhe të udhëhequr nga rezultatet. Por, më së shumti duam një dialog i cili do të vazhdonte të lehtësohet nga BE-ja dhe të mbështetet nga SHBA-ja, i cili po ashtu do të garantonte implementimin e plotë të marrëveshjeve të arritura deri tani.

Ne kemi investuar shumë në procesin e dialogut dhe duhet ta shtyjmë përpara vendosmërinë për gjetjen e zgjidhjeve të pranueshme për qytetarët e Kosovës, për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve, sepse kemi para vetes detyra urgjente, pjesë e madhe e të cilave përfshijnë forcimin e institucioneve demokratike në vend dhe përmbushjen e nevojave të qytetarëve tanë.

Zhvillimi ekonomik, posaçërisht mundësia për të krijuar vende të reja pune dhe për të ringjallur ekonomitë tona, duhet të zënë vend parësor, sepse kjo nevojë paraqitet si emërues i përbashkët edhe i shqiptarëve edhe i serbëve, është brengë e tyre e përbashkët.

Por, ne e kuptojmë se të dy çështjet janë të ndërlidhura, siç është edhe dialogu në mes të qytetarëve tanë, besimi i të cilëve në njëri tjetrin është lëkundur që nga periudha e represionit dhe luftës në Kosovë, besim i cili gradualisht po rindërtohet në mes nesh, qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët dëshirojnë të jetojnë në paqe dhe që dëshirojnë një jetë më të mirë. Pra, puna jonë nuk ka përfunduar akoma. Nëpërmes dialogut ne kërkuam të ndërtojmë një shtet demokratik dhe përfshirës, të ndërtuar nga qytetarët e Kosovës, me ndihmesë të madhe të dhënë nga komuniteti ndërkombëtar.

Kosova nuk është një vend i cili do ta ndajë sovranitetin e saj me ndonjë shtet tjetër. Po ashtu, nuk është një vend i cili ushqen ambicie territoriale ndaj ndonjë vendi fqinj. Ne synojmë të ndërtojmë një vend gjithëpërfshirës, në të cilin kulturat e ndryshme koekzistojnë, në të cilin punojmë shumë për riforcimin e besimit të lëkundur në mes komuniteteve dhe rithemelimin e lidhjeve komunikuese të cilat ishin shkëputur më herët.

Ne duam të sigurohemi se kemi rifilluar dialogun në mes qytetarëve tanë në secilin cep të vendit, me të gjitha komunitetet, sepse duam që Kosova të jetë një vend i qytetarëve të barabartë dhe një vend i cili ka si gurthemel të punës sonë sundimin e rendit dhe ligjit, tolerancën dhe respektin.

Republika e Kosovës nuk është një projekt interim, por një fakt i përhershëm dhe një realitet i pamohueshëm, dhe integriteti territorial i saj nuk mund të komprometohet.

Serbia duhet të heqë dorë nga ideja e ndarjes së Kosovës në vija etnike. Duhet të heqë dorë nga kërkesa që Kosova të shkëmbejë një pjesë të territorit të saj dhe duhet të heqë dorë nga ideja e një konflikti të ngrirë.

Askush nuk mund të vendosë në emër të Kosovës përpos qytetarëve të saj dhe përfaqësuesve të saj legjitimë. Askush nuk ka të drejtë të vendosë për fatin e Kosovës pos tyre. Pamundësia jonë për të ndërtuar këtë gjithëpërfshirje ishte e imponuar nga influenca e vazhdueshme e Serbisë në komunitetin serb në Kosovë, duke  komplikuar kuptueshmërinë e realitetit në të cilin gjenden dhe duke bllokuar përfaqësimin e tyre në institucionet e Kosovës. Gjë e cila më sjell tek çështja e sigurisë, si element kyç në zhvillimin e një shteti dhe sigurisht një nga parimet që sigurojnë progres të shoqërisë, duke i bashkuar njerëzit e komuniteteve të ndryshme, përfshirë edhe skeptikët.

Siguria është gurthemel i bashkëpunimit të ndërsjellë në mes të kombeve dhe shteteve, sepse garanton paqe dhe i hap rrugë progresit.

Për një periudhë kohore, Evropa Juglindore ishte një vatër e pasigurisë që gjeneronte jostabilitet, zhvendosje dhe largim të qytetarëve drejt vendeve te Bashkimit Evropian.

Neve ende na duhet ta shtrijmë sigurinë në secilin cep të vendit. Një ambient të sigurt për qytetarët tanë, posaçërisht në pjesën veriore të Kosovës, ku elemente kriminale vazhdojnë të jenë aktivë dhe ku strukturat ilegale, të mbështetura nga Serbia, kanë operuar që nga përfundimi i luftës. Vendosja e sundimit të ligjit në tërë Kosovën është e nevojshme, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të parandalojmë rindezjen e tensioneve ndëretnike. Vetëm nëpërmes vendosjes së sundimit të ligjit mund ta parandalojmë shfaqjen e skenave të dhunës gjatë zgjedhjeve dhe instancave të panumërta të frikësimit.

Fatkeqësisht, siç dëshmon vrasja e asambliestit dhe ish kandidatit serb për kryetar komune që ndodhi javën e kaluar, pasojat do të jenë të rënda nëse secilës palë nuk i ushtrohet presion për të dhënë rezultate në sundimin e ligjit.

Të nderuar pjesëmarrës,

Rrugëtimi ynë drejt BE-së është rrugëtim i cili i bashkon të gjithë qytetarët e vendit tim, pa marrë parasysh prejardhjen e tyre, është objektiv dhe prioritet kryesor i secilit qytetar të Republikës së Kosovës dhe unë fuqimisht besoj se ky qëndrim i njëjtë për të gjithë qytetarët e Evropës Juglindore.

Na është bërë shpesh herë pyetja se çfarë na ofron ne Evropa dhe çfarë i ofrojmë ne Evropës. Bashkimi Evropian është projekti i vetëm dhe i pazëvendësueshëm, i cili ka shpërndarë ndikimin e tij të madh dhe ka luajtur një rol transformativ, jo vetëm në ekonomitë e vendeve anëtare por edhe për vendeve aspiruese dhe shoqëritë tona në tërësi.

Për dekada të tëra Evropa ka shënuar progres të madh dhe ka tejkaluar dallimet në mes të vendeve. Ideja e Bashkimit Evropian vazhdon të jetë projekti më i madh që ka bashkuar njerëz në paqe dhe prosperitet dhe ju ka sjellë lirinë e lëvizjes, stabilitetin politik dhe ekonomik si dhe mirëkuptimin e ndërsjelltë.

Për këtë arsye BE-ja është objektiv i yni i përbashkët, i vendeve të Evropës Juglindore, dhe ky projekt mund të përmbyllet vetëm më përfshirjen e secilit në mesin e tij. Tërësia evropiane do të arrihet me integrimin e vendeve tona, të cilat duhet të punojnë që të bëhen pjesë e kësaj ideje të madhe.

Ne jemi të vetëdijshëm se rrugët tona, rrugët e vendeve tona respektive drejt BE-së, janë të kushtëzuara. Fillimisht me ndërtimin e marrëdhënieve ndërfqinjësore të mira dhe të kujdesshme si dhe duke respektuar standarde dhe norma të caktuara.

Ne jemi të vetëdijshëm se ky rrugëtim është i vështirë, sepse kërkon nga ne përmbushjen e reformave të brendshme, të cilat nuk duhet të ndërmerren për shkak të Evropës por për shkak të qytetarëve tanë dhe mirëqenies së përgjithshme. Gjithsesi se do të na ndihmonte në përafrimin e qytetarëve tanë dhe do të garantonte një stabilitet të tërësishëm në rajon, i cili vazhdon të mbetet i varur nga procesi integrues.

Perspektiva e qartë dhe e hapur është e nevojshme. Kosova dhe fqinjët e saj janë pjesë e pandashme e Bashkimit Evropian. Integrimi në BE nuk është vetëm vizion por një realitet i pamohueshëm dhe opsioni më i mirë dhe i vetmi për rajonin.