Fjala e Presidentes Atifete Jahjaga në Konferencën “Fuqizimi i grave ndërmarrëse në Kosovë”

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga mori pjesë sot në Konferencën e Grave “Fuqizimi i grave ndërmarrëse në Kosovë” organizuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.

Në një fjalim të mbajtur në këtë konferencë, Presidentja Jahjaga tha:
 
E nderuar zëvendëskryeministre Kusari- Lila,

I nderuar zëvendësministër i Kroacisë, z. Pros,

Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike,

Të nderuar pjesëmarrës,


Kosova çdo ditë e më shumë po bëhet kryeqendër e rajonit për avancimin edhe promovimin e barazisë gjinore, vend nga i cili po dalin shembuj dhe praktika të mira që po shërbejnë si udhërrëfyes dhe për shoqëritë e tjera, të cilat ndajnë eksperienca të ngjashme me ato si tonat.

E përshëndes këtë iniciativë të Ministres së Tregtisë dhe Industrisë dhe më vjen mirë që tashmë është kthyer në traditë promovimi i grave në biznes, plasimi i suksesit të tyre dhe diskutimi për të pasuruar përvojat dhe për të ndërmarrë hapa konkretë të vazhdueshëm për t’i ofruar mundësi gruas kosovare të zërë vendin që asaj i takon në shoqërinë tonë.

Më vjen mirë të shoh gra të fuqishme nga  çdo fushë të jetës dhe që ky event ka një dimension rajonal, duke portretizuar fuqizimin e gruas si një qëllim të përbashkët që na bashkon përtej kufijve, përtej ndryshimeve që mund të kemi.

Mbi të gjitha, më vjen mirë të shoh se është pikërisht kjo temë që jo rrallë herë shihet me skepticizëm, që po shërben në ndërtimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet sektorit publik dhe atij privat dhe ndërmjet shteteve të rajonit, duke sjellë përfitime që shkojnë përtej fuqizimit të një pjese të shoqërisë sonë – gruas, vajzës.

Kemi parë fuqinë transformuese që gratë posedojnë dhe kontributin që ato kanë dhënë dhe mund të japin sa herë që bëhen pjesë aktive të shoqërisë. Kemi parë si investimi në grua, nuk është vetëm investim në një individ por është investim dhe në të ardhmen e fëmijëve tanë. Dhe kemi qenë dëshmitarë se si, duke promovuar talentin e grave, ne në fakt promovojmë talentin e secilit anëtar të shoqërisë.

Prandaj, sa herë që flasim për fuqizim të gruas, ne në fakt flasim për mënyrat se si t’i forcojmë familjet tona, shoqëritë tona dhe shtetin tonë.

Pasi nuk mund të flasim për përparim dhe të ardhme të sigurt kur margjinalizojmë një pjesë të potencialit të shoqërisë sonë, duke i ofruar më pak mundësi, më pak qasje apo duke hequr dorë prej avancimit të saj. Përparimin mund ta arrijmë vetëm me politika gjithëpërfshirëse.

Në Kosovë ne përballemi me realitete të ndryshme rreth emancipimit dhe pjesëmarrjes aktive të gruas në proceset shoqërore, qofshin ato politike apo ekonomike.

Në Kosovë kemi gra sipërmarrëse shumë të suksesshme, që udhëheqin biznese të rëndësishme në vend, ndërsa akoma përballemi me shifra shumë të ulëta madje alarmante, të pronës apo bizneseve që janë nën pronësi të grave.

Kemi ligjin që garanton barazinë në trashëgimin e pronës, ndërsa implementimi i tij akoma sfidohet nga tradita që i imponon gruas të heqë dorë nga trashëgimia që asaj i takon.

Kemi pjesëmarrje të kënaqshme të gruas në vendimmarrje në nivel qendror dhe përfaqësim mbi 30 për qind në Kuvend të Kosovës, ndërsa në nivel lokal përfaqësimi i gruas mbetet në nivel mjaft të ulët dhe shqetësues.

Ndërsa kemi rezultate të mirë në avancimin e barazisë gjinore, që ne me krenari i ndajmë me shoqëritë e tjera të rajonit dhe më gjerë, kemi akoma shumë punë për të bërë që këto rezultate pozitive t’i zbatojmë edhe aty ku përfaqësimi i gruas ka mbetur akoma i ulët.

Dhe ndërsa po vazhdojmë të bëjmë hapa të rëndësishëm dhe vendimtarë në konsolidimin e shtetit tonë dhe në ndërtimin e institucioneve gjithëpërfshirëse e të një shoqërie demokratike, përfshirja e gruas në secilën qelizë të saj duhet të mbetet pjesë qenësore e këtij rrugëtimi tonë të përbashkët. Vetëm në këtë mënyrë do të arrijmë të përmbushin synimin tonë.

Duhet ta kemi të qartë se fuqizimi i gruas është thelbësor për arritjen e ndryshimeve shoqërore, ekonomike e politike për të cilat vendet tona kanë nevojë, si pjesë të shoqërive globale.

Duhet ta kemi të qartë se fuqizimi i gruas është qenësor për paqe dhe demokraci; është qenësor për zhvillim të qëndrueshëm dhe drejtësi sociale, është qenësor për uljen e varfërisë dhe rritjen ekonomike të një vendi.

Dështimi ynë për ta ndryshuar këtë realitet që mbizotëron në shoqërinë tonë nuk do të jetë vetëm diskriminim ndaj grave por reflektim i zgjedhjeve tona, ekonomike dhe politike, të pamenduara mirë.

Duhet të vazhdojmë të mbetemi të hapur për të ndërmarrë hapa drejt arritjes së një shoqërie, ku roli i gruas do të jetë i padiskutueshëm duke thyer barrierat dhe paragjykimet që konsiderojnë rolin e gruas në shoqëri si dytësor.

Duhet të mbyllim hapësirën në mes të ambicieve dhe mundësive, në mes ëndrrave dhe mundësive për t’i realizuar ato. Duhet të vazhdojmë të mbyllim hapësirat që ekzistojnë ndërmjet gruas dhe arsimit, gruas dhe vendimmarrjes, gruas dhe biznesit. Duke qëndruar vigjilent ndaj implementimit të ligjeve, vigjilent ndaj shtetit që duam t’ua lëmë pas gjeneratave në vazhdim.

Prandaj, duhet të vazhdojmë të trasojmë rrugën që gratë e fuqishme dhe të pandalshme të Kosovës kanë hapur për ne, që ne sot  të ndërtojmë mbi arritjet e tyre.

Dhe të krijojmë një shoqëri dhe një shtet ku më nuk diskutojmë për barazi gjinore por për vlera, aftësi, potencial që ju ofroni.

Ju përgëzoj të gjithave ju prezente sot, dhe të gjitha gratë që me punën dhe përkushtimin e pandalshëm kanë bërë ëndrrat realitet, duke ndryshuar pozitivisht jetën e shumë të tjerëve. Puna juaj ka dëshmuar se gratë mund të jenë lëvizëse kyçe drejtë progresit në shoqëri, rezultate të cilat po i shohim çdo ditë.

Ju uroj diskutime të mbara. Jam e bindur që së bashku do t’ia dalim.

Ju faleminderit!