Fjala e Presidentes Atifete Jahjaga në hapjen solemne të ekspozitës së stolive artistike "Hyjneshat" të artistes Suzana Mushkolaj

Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës,
Të nderuar ambasador dhe përfaqësues të misioneve diplomatike,
Të dashur artistë
Zonja dhe zotërinj,

Hapja e kësaj ekspozite me stoli artistike të motivuara nga “Hyjneshat” tona, këtu në Muzeun Arkeologjik të Kosovës, nuk është vetëm një rastësi, sepse ju e dini shumë mirë që “Hyjnesha në fron”, motivi i së cilës është kjo ekspozite, është eksponati më i rëndësishëm i arkeologjisë së Kosovës, si dhe simboli i identitetit tonë jo vetëm kulturor por edhe historik i vendit tonë dhe i qytetarëve tanë. 
 
Në këtë ekspozitë të veçantë të stolive artistike, janë gërshetuar në mënyrë të jashtëzakonshme, në mënyrë të veçantë dhe të shkrira në një, trashëgimia jonë e çmuar kulturore të cilën e kemi trashëguar me dekada dhe me shekuj me radhë me elementet e modernes. Pikërisht ky gërshetim  e bënë këtë vepër artistike dhe i bën këto punime të jenë më të veçanta, të jenë më të çmuara, sepse tregon se kush jemi ne dhe çfarë synojmë në të ardhmen. Dhe duke qenë në shënimin e javës së trashëgimisë kulturore evropiane, ne përmes këtyre simbolikave që jemi sonte këtu, jemi duke përçuar edhe një mesazh që Kosova ka qenë dhe vazhdon të jetë një popull dhe një shtet që ka kultivuar dhe ka ruajtur në mënyrë të vazhdueshme traditën e saj dhe trashëgiminë e saj kulturore. Në vendin tonë ka vend për vlera kulturore dhe ka vend për trashëgiminë e secilit komunitet i cili jeton në shtetin tonë.
Një punë e tillë, një vepër e tillë që vjen në një formë apo në një gjuhë universale, që është gjuha e artit , e artistes së mirënjohur Suzana Mushkolaj i prezanton botës vlerat dhe traditat tona kulturore, por njëherit edhe kreativitetin e një gruaje dhe një artisteje të mirënjohur të shtetit tonë.
 
Artistes i dëshiroj fat dhe suksese në të ardhmen. Dëshiroj që ta përgëzoj për idenë e saj dhe për projektin jashtëzakonisht të rëndësishëm, jo vetëm si pjesë e artit, por edhe për shkak të kuptimit dhe domethënies që ka. Uroj që kjo të vazhdoj të prezantoj kulturën tonë, trashëgiminë tonë jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë në botë.
 
Arti dhe artistët tanë, ju keni dëgjuar disa herë që kam thënë se kanë qenë ambasadorët tonë më të vyer nëpër botë, që nganjëherë mesazhin të cilin ne nuk kemi mundur ta përçojmë, ju e keni përçuar në mënyrën më të mirë, në gjuhën e artit, ajo gjuhë e cila tejkalon kufijtë e ndryshëm të botës.
 
Zyra ime gjithmonë ka qenë dhe vazhdon të jetë pranë jush dhe të mbështes artistët dhe veprat e tyre të artit, dhe të përcjellim traditën, diversitetin tonë kulturor dhe ëndrrat e gjeneratave të reja për të nesërmen dhe bashkimin e familjes tonë me familjet e avancuara evropiane dhe të zhvilluara.
 
Sot e patëm një hap të rëndësishëm,  kalimin e Kosovës në agjendën e UNESCO-s, dhe kështu  Kosova  vazhdon te jetë  në agjendat ndërkombëtare.
 
Edhe njëherë uroj artisten, uroj drejtorin, keni pas përkrahjen time dhe do të keni përkrahje edhe më të fuqishme . 
 
Ju faleminderit!