Fjala e Presidentes Atifete Jahjaga në hapjen e rezidencës franceze në Prishtinë

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga mori pjesë sot në ceremoninë e hapjes së rezidencës franceze në Prishtinë.

Në vijim po e japim fjalën  saj të mbajtur me këtë rast:
 
I nderuari Ambasador Fitou,
Të nderuar zonja dhe zotërinj,

 
Më jep kënaqësi të veçantë të mirëpres hapjen e rezidencës franceze në Prishtinë.

Kjo rezidencë, krahas ambasadës tuaj këtu në Kosovë, është me të vërtetë testament i partneritetit tonë dhe miqësisë së çmuar mes dy vendeve dhe popujve tonë.
 
Franca ka qenë përkrahëse e fuqishme e pavarësisë së Kosovës, shtetësisë tonë, sovranitetit e integritetit territorial dhe konsolidimit tonë si shtet. 

Krahas aleatëve tanë të tjerë, Franca ka bërë përpjekje të mëdha diplomatike dhe ushtarake të na ndihmojë ta fitojmë lirinë tonë.

Populli i Kosovës do ta mbajë mend gjithmonë imazhin e Presidentit Sarkozy një ditë para shpalljes së pavarësisë së Kosovës derisa po u shpjegonte studentëve francezë në hartë krijimin e një shteti të ri demokratik dhe multietnik në zemër të Ballkanit. 

Ne e kemi mbajtur këtë premtim. Kosova sot është shtet i të gjithë qytetarëve të saj, të drejtat dhe liritë e të cilëve respektohen, që jetojnë me dinjitet dhe në paqe. Është rrëfim i përbashkët i suksesit i bashkësisë ndërkombëtare dhe popullit të Kosovës. Është një vend ku shpresa dhe optimizmi për të ardhmen dominojnë gjithherë.

Por, na mbetet shumë për t’u bërë. Ambasador, ne llogarisim në përkrahjen tuaj të vazhdueshme për të na ndihmuar t’ia zbulojmë botës Kosovën e re, për t’i promovuar të talentuarit e ri, si Ditën, për ta treguar rrëfimin e thesarit dhe traditave të pasura që i ka vendi ynë.
 
Ne llogarisim në mbështetjen tuaj tani kur po i ndërmarrim reformat e nevojshme për të përshpejtuar integrimin tonë në Bashkimin Evropian dhe në NATO, qëllim ky që na bashkon të gjithëve dhe që nuk ka alternativë.
 
Bashkimi Evropian ka shumë për t’i ofruar Kosovës, por edhe Kosova ka çfarë t’i ofrojë BE-së. Ne ndërmorën hapin e parë këtë javë me lansimin e Studimit të Fizibilitetit, të cilin do ta përmbyllim me sukses.
 
Ju faleminderit, dhe ju lutem pranoni mirënjohjen time personale dhe atë të popullit të Kosovës.