Fjala e Presidentes Atifete Jahjaga në fillimin e punimeve të Samitit Ndërkombëtar të Gruas

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga ka mbajtur një fjalë sot, në fillimin e punimeve të ditës së dytë të Samitit Ndërkombëtar të Gruas, të cilin po e sjellim në vijim.

Mirëmëngjesi zonja dhe zotërinj,

Pjesëmarrës të konferencës,

 
Shpresoj të keni kaluar një natë të mrekullueshme mbrëmë dhe ju ka pëlqyer hapja e Samitit Ndërkombëtar të Gruas “Partneriteti për Ndryshim: Fuqizimi i Gruas”, aq sa edhe mua.
 
Është një nder i madh që kam rastin t’ju mirëpres të gjithë ju në Kosovë, dhe ishte e jashtëzakonshme që t’ju shoh në një numër kaq të madh në hapjen solemne. Kishte aq shumë energji në atë sallë!
 
Ishte një mundësi e mirë për t’u lidhur me kolegët, për të marrë inspirim dhe për të zhvilluar lidhje dhe rrjete të reja. Por ishte vetëm fillimi. Sot nis një hap i ri i rrugëtimit tonë për të gjetur përgjigjet dhe zgjidhjet.
 
Secili nga panelet tona ka një detyrë të veçantë në duart e tij. Çështjet që duhet t’i adresojmë dhe të përballemi nuk janë të reja. Ato e kanë munduar gruan për shekuj të tërë, por ne po ndërtojmë bazat dhe strukturën që do të na mundësojnë që të sigurojmë një të ardhme solide për gruan sot dhe për gjeneratat e ardhshme.
 
Kosova dhe rajoni kanë shumë për të ofruar, prandaj Samiti do të shërbejë si një mundësi unike për ta shndërruar Evropën Juglindore në një qendër të zhvillimeve pozitive, por gjithashtu për t’ju hapur një mundësi grave të pranishme në Samit që të përfitojnë nga perspektivat globale dhe rajonale përmes një shkëmbimi përvojash që unë shpresoj do të prodhojnë rezultate të prekshme dhe partneritete të reja.
 
Kosovës dhe rajonit i është dhënë një mundësi për t’u bërë nismëtarë të nismave të reja që garantojnë avancimin e mëtejmë të gruas si faktor kyç për zhvillim.
 
E inkurajon secilën nga ju që ta shfrytëzojnë këtë mundësi, që të shfrytëzojnë kohën dhe bëjnë përpjekje për zgjerimin e njohurive dhe të vizionit. Sikur e thash mbrëmë, që të tregojmë së bashku një lloj kurajë që ka transformuar shoqëritë tona.
 
Diskutimi për punën dhe kontributin që secila nga ju keni dhënë personalisht në avancimin e rolit të gruas në shoqëritë tuaja, në panelet e këtij Samiti do të jenë me vlerë sepse do të ofrojnë një rast të mirë për të gjithë ne që të mësojmë nga përvojat tuaja dhe do të na ndihmojnë që të krijojmë mekanizma dhe të vendosim standarde që do të garantojnë një pjesëmarrje më aktive të gruas në proceset e vendim marrjes dhe do të sigurojnë barazinë gjinore.
 
Në këtë rrafsh, gjatë ditës do të jemi të nderuar të dëgjojmë adresimet e disa nga njerëzve të veçantë: Elisabeth Rehn, Jane Harman, Vesna Pusic, Mimoza Kusari-Lila, Christopher Dell, Anne-Marie Neyts-Uyttebroeck, Tracey Ann Jacobson, Ulrike Lunacek, Vlora Çitaku dhe Hajredin Kuçi.
 
Pastaj së bashku do të shqyrtojmë fuqizimin ekonomik, të drejtën pronësore dhe qasjen në burime, barrierat për pjesëmarrjen politike, kundër korrupsionin dhe reformën e sektorit të sigurisë.
 
I jemi qasur në mënyrë analitike sepse, sikundër e dini nga përvoja juaj, këto çështje janë të ndërlidhura dhe nuk mund të adresohen si të izoluara ose si të veçanta.
 
Fuqizimi ekonomik është baza fondamentale e fuqizimit të gruas gjithandej në botë. Çështjet me të cilat përballet Evropa Juglindore nuk janë vetëm të saj. Gratë në gjithë botën janë të nënvlerësuara dhe më pak të paguara.
 
Gratë duan të bëhen ndërmarrëse por mungesa e financimit, e trajnimit afarist ose edhe arsyet personale, mund t’i dekurajojnë ato nga fillimi i një projekti afarist. Nuk ka të bëjë me mungesë të inovacionit: studimet kanë treguar se gratë janë njëlloj inovative si edhe burrat. Dhe kur gratë bëhen pjesë vitale e procesit ndërmarrës, ato kontribuojnë në rritjen ekonomike dhe zhvillim, inovacion dhe vlera të komuniteteve të tyre. Çështja është se si mund të lehtësojmë zhvillimin e grave ndërmarrëse.
 
E drejta pronësore dhe qasja në burime është e drejtë themelore për secilin. Gratë, posaçërisht në pjesët rurale, me punën e tyre luajnë një rol integral në prodhimin e ushqimit dhe të mallrave. Sikundër shumë prej jush e dini dhe e keni përjetuar, gratë shumë shpesh nuk kanë të drejtë në tokë. Kjo nuk është një çështje me të cilën përballemi ne në Evropën Juglindore por gjithandej botës. Çështja është se si ta ndryshojmë këtë trend? 
 
Pjesëmarrja politike është një element jetik në këtë proces. Ndërtimi dhe mbajtja e një demokracie nuk është e mundur pa 50 për qind të popullatës. Si e përmirësojmë përfaqësimin politik?
 
Gjithashtu do të provojmë që të mësojmë nëse ka një korrelacion ndërmjet fuqizimit të gruas dhe zvogëlimit të korrupsionit, dhe gjithashtu do të diskutojmë strategjitë përmes së cilave gratë mund të kërkojnë mbrojtje dhe shpagim nga të gjitha format e dhunës dhe nëse diçka mund të bëhet për të forcuar ligjet që ofrojnë më shumë ndihmë për viktimat e dhunës.
 
Këto janë çështjet që duhet t’i përballim, t’i diskutojmë dhe të gjejmë përgjigje për to. Kemi një rast unik që të kombinojmë të gjitha përvojat dhe dijenitë tona kolektive si dhe burimet për të gërmuar për përgjigje. Kur ta bëjmë atëherë do të çlirojmë gjithë potencialin dhe dijeninë nga e cila do të përfitojë i gjithë rajoni i Evropës Juglindore. 
 
Ne nuk kemi ende përgjigje.
 
Por me përqendrim në një qëndrim bashkëpunimi, të ideve të reja dhe qasjeve inovative zgjidhjet për problemet e vjetra mund të gjenden.
 
Ne si një komunitet kemi potencial është koha që të ndajmë këtë bollëk të pasurive. Dhe atë e sillni ju.
 
Ju dëshiroj diskutim konstruktiv dhe fat të mbarë në shqyrtimin e këtyre çështjeve.
 
Ju faleminderit!