Fjala e Presidentes Atifete Jahjaga në ceremoninë e zbulimit të shtatores së Isa Boletinit në Isniq të Deçanit

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga mori pjesë sot në ceremoninë e zbulimit të shtatores së Isa Boletinit, në Isniq të Deçanit.
Në ceremoni ishin të pranishëm edhe kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi e zyrtarë të tjerë të lartë.

Në vijim, fjala që Presidentja Jahjaga mbajti në këtë manifestim:

I nderuar Kryeministër Berisha,
I nderuar Kryeministër Thaçi,
I Nderuar Kryetar i Komunës, Selmanaj,
Të nderuar pasardhës të udhëheqësit Isa Boletini,
I nderuar baca Ilmi,
E nderuar familje e Edmond Hoxhës,
E nderuar familje e Rrustem Bruçit,


Të nderuar banorë të Isniqit, vend i fjalës, i zakonit, i traditës dhe i besës. Vend i trimërisë dhe i atdhedashurisë, vend që e lindi Isa Boletinin.

Ngritja e shtatores së prijësit të kryengritjeve shqiptare, për liri dhe pavarësi për ta bërë Shqipërinë shtet të përparuar dhe demokratik. Vend të tolerancës dhe respektimit fetar, shtet me sy kah Evropa.

Është nderim për brezin tonë që po respektojmë të parët tanë, që po vlerësojmë sakrificën e bërë ndër shekuj për ruajtjen dhe zhvillimin e kombit tonë, për mbrojtjen e tërësisë territoriale.

Isa Boletini shkundi një perandori, por i vuri në lëvizje edhe gjithë Ballkanin edhe gjithë Evropën, duke i bërë publike dhe të ligjshme kërkesat për Liri, për Pavarësi dhe për Shtetndërtim.

Isa Boletini, bashku me ideologun e pavarësisë, Hasan Prishtinën, dhe me babanë e Shtetit Ismail Qemajlin dhe me shumë atdhetarë dhe intelektualë të brumosur me idetë atdhetare dhe me idetë përparimtare të Evropës, e vunë në lëvizje historinë, i kthyen sytë e botës kah Shqiptarët.

Falë këtij angazhimi, Shqipëria u bë komb, u zhvillua, dhe ne sot, udhëheqësit nga të gjitha krahinat tona, e nderojmë këtë vepër të madhe duke pasur në zemër dhe në mendje idealet e tyre.

Heroizmin dhe sakrificën e cila me dinjitet u përjetësua në luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në miqësinë e përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në përkrahjen e vazhdueshme të vendeve të Bashkimit Evropian. Ne sot ecim me hap të fuqishëm dhe të sigurt në rrugën e integrimeve euroatlantike. Si komb i lirë, i barabartë dhe i dinjitetshëm.

Ta mbani me nder dhe krenari këtë përmendore, ta gëzojmë të gjithë së bashku.

Isa Boletini ky trim dhe udhëheqës popullor ashtu si dikur u kthye përjetësisht në oxhakun e madh të Isniqit.