Fjala e Presidentes Atifete Jahjaga në ceremoninë e vënies së gurthemelit të xhamisë në Prishtinë

Kosova është vend ku kulturat, traditat e fetë janë gërshetuar përgjatë shumë shekujve dhe ku bashkëjetesa mes tyre ka qenë e vazhdon të jetë virtyt dhe vlerë e saj. Është vend i besimit në njeriun dhe i mirësisë mes njerëzve, vend i tolerancës dhe respektit fetar.

Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës,
Të nderuar drejtues të Bashkësisë Islame të Kosovës,
I nderuari Myfti Tërnava,
Të nderuar përfaqësues të bashkësive të tjera fetare,
Të nderuar pjesëmarrës, besimtarë
Qytetarë të nderuar,

 
Kosova është vend ku kulturat, traditat e fetë janë gërshetuar përgjatë shumë shekujve dhe ku bashkëjetesa mes tyre ka qenë e vazhdon të jetë virtyt dhe vlerë e saj. Është vend i besimit në njeriun dhe i mirësisë mes njerëzve, vend i tolerancës dhe respektit fetar.

Ky gërshetim vlerash fetare e kulturore i ka dhënë Kosovës dhe qytetarëve të saj një vlerë më të madhe: atë të guximit të bashkëjetesës në diversitet dhe të punës së përbashkët drejt të ardhmes më të zhvilluar.

Shteti ynë është shtet laik, i ndërtuar mbi parimin qytetar që garanton çdo të drejtë të secilit individ dhe komunitet, dhe lirinë fetare si një të drejtë demokratike. Është shtet multikulturor e multifetar, shtet gjithëpërfshirës, që respekton vullnetin e qytetarëve të tij dhe njëkohësisht vlerëson edhe përgjegjësitë dhe kontributin e secilit, për një jetë më të mirë dhe të lirë të çdo qytetari.

Feja në Kosovë, sot është një promotor i paqes dhe urtësisë, i bashkëjetesës dhe solidaritetit mes njerëzve, është urë lidhëse mes të gjitha komuniteteve. Ajo mund të ndërtojë të sotmen e përbashkët, duke hapur rrugë të së ardhmes për shtetin tonë gjithëpërfshirës.
 
Këto themele që sot po vihen, janë jo vetëm themele të një objekti të kultit, por më shumë se kaq: themele të një objekti që do të ndihmojë besimtarët në rrugën e tyre të fesë, por edhe të gjithë qytetarët e Kosovës që duan të nxënë dijen për fenë.

Ju përgëzoj ju besimtarë për fillimin e ndërtimit të kësaj xhamie me urimin që devotshmëria juaj dhe solidariteti që tregoni ndaj njëri tjetrit të shpërblehet me gjetje të paqes shpirtërore.