Fjala e Presidentes Atifete Jahjaga në ceremoninë e ndërrimit të komandantit të KFOR-it

(Presidentja Jahjaga e dekoroi gjeneralin Buhler me “Medaljen Ushtarake për Shërbim në Kosovë”).

Të nderuar Përfaqësues të Institucioneve të Republikës së Kosovës,
Ushtarë dhe oficerë të forcave të KFOR-it në Republikën e Kosovës,
Të nderuar oficerë dhe përfaqësues të Forcës së Sigurisë se Kosovës,
Të nderuar ambasadorë dhe shefa të misioneve diplomatike në Kosovë,
Të nderuar përfaqësues të misioneve ndërkombëtare në Kosovë,
I nderuari Admiral Samuel Locklear III, komandant i forcave të Armatosura të NATO-s në Napoli,
I nderuari sekretar i Mbrojtjes i Gjermanisë, Thomas Kossendey,
I nderuari gjeneral major Erhard Drews,  
I nderuari gjeneral major Erhard Buhler,

 
Ndërrimi i komandave të misionit të forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë është një ngjarje e rëndësishme për Kosovën, për KFOR-in dhe për misionin paqeruajtës në këtë pjesë të Evropës.
 
Burrat dhe gratë - pjesëtarë të KFOR-it - kanë luajtur një rol të veçantë në ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në Kosovë, të mirëkuptimit ndëretnik dhe të ruajtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, që ndikoi në krijimin e kushteve të bashkëpunimit dhe kooperimit në periudhën e pas konfliktit.    
 
Misioni i KFOR-it që erdhi natyrshëm pas intervenimit të NATO-s për të ndalur konfliktin dhe për të parandaluar gjenocidin është tejet human. Ju që keni lënë familjet dhe më të afërmit Tuaj për të ardhur këtu, për të shërbyer në vendin tim, jeni shumë të nderuar dhe të respektuar për përmbushjen e detyrave të parandalimit të akteve të dhunës, të sanimit të pasojave të luftës, të ndihmës dhënë popullsisë, të pjesëmarrjes dhe të dhënies së kontributit në rindërtimin e vendit, në aftësimin dhe krijimin e kapaciteteve të strukturave të emergjencës dhe të mbrojtjes e të sigurisë dhe shumë vepra të mira të bëra edhe në bashkëpunim me komunitetin lokal.
 
KFOR-i është institucioni më i përkrahur, me besueshmërinë më të lartë dhe me respektin e pamohueshëm që e gëzon tek të gjithë qytetarët e Kosovës.
 
Përkushtimi i KFOR-it për qytetarët e Kosovës dhe për sigurinë e tyre është shembull i angazhimit ndërkombëtar të NATO-s si forcë paqeruajtëse që ndihmon në konsolidimin e demokracive në periudhën e tranzicionit, dhe  si forcë parandaluese  për të gjithë ata ekstremistë që nëpërmjet dhunës dëshirojnë realizimin e qëllimeve politike ose që kanë synim destabilizimin duke vënë në rrezik jetën dhe pasurinë e qytetarëve.
 
I nderuari gjenerali Buehler,
 
Ashtu si edhe komandantët e tjerë të KFOR-it, ju punuat në kohë dhe rrethana të veçanta, mirëpo me mençurinë, përvojën dhe profesionalizmin tuaj arritët që të kapërceni vështirësitë dhe që të gjeni zgjidhje për tejkalimin e gjendjes, për parandalim të eskalimit të konfliktit dhe për arritjen e një marrëveshjeje, e cila e kthen normalitetin e gjendjes dhe mundëson jetën dhe punën e qetë të qytetarëve. Këto veti të një komandanti sprovohen në situata krizash dhe ju dëshmuat se jeni për mbrojtje të rendit dhe të ligjit, se keni aftësi negociuese dhe se rasti i juaj do të merret si shembull i zbatimit të doktrinave dhe taktikave të NATO-s në situata krizash.

Gjenerali George S. Patton pat thënë: “A leader is a man who can adopt principles to circumstances”.
 
Komandanti i ri i KFOR-it gjeneral majori Erhard Drews do të ndjekë traditat e lavdishme të grave dhe burrave të KFOR-it në Republikën e Kosovës do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet dhe me qytetarët e Kosovës pa dallim race, gjinie, besimi apo përkatësie etnike.

Republika e Kosovës, shtet sovran dhe i pavarur, në sfidat e veta në rrugën e saj drejt integrimeve euroatlantike, komponentin e forcave paqeruajtëse e sheh si të rëndësishme në bashkëpunimin dhe bashkëveprimin institucional si dhe në angazhimin në dobi të komunitetit, në trajnimet dhe aftësimin e strukturave të veçanta vendore që mundësojnë që Kosova në një të ardhme të jetë anëtare e NATO-s dhe e BE-së.
 
Republika e Kosovës për shumë vjet e barti ndihmën ndërkombëtare dhe unë dëshiroj që edhe ne të japim kontributin konkret në misionet e përbashkëta për ruajtjen e paqes dhe për ndihmë popullsisë në rajonet e krizave. Në këtë mënyrë edhe ndërtohet partneriteti, në këtë mënyrë secili vend, pavarësisht numrit dhe madhësisë, e jep kontributin në arkitekturën e sigurisë, në misionet paqeruajtëse dhe në paqen dhe stabilitetin si politikë globale.
 
Të nderuar ushtarë dhe oficerë,
 
Ju në ngjarjet e fundit që ndodhën në Kosovë i dëshmuat aftësitë tuaja dhe treguat se mund të punoni dhe të kryeni me sukses objektivat në kushte dhe rrethana të veçanta, në kohë më të gjatë duke dëshmuar profesionalizmin dhe gatishmërinë e angazhimit në zbatimin e detyrave.
 
Unë si Presidente e vendit ato ditë isha me ju dhe me familjarët e të afërmit tuaj, duke pasur brengën për jetët tuaja dhe për suksesin e misionit që ishin të ndërlidhura.
 
Suksesi juaj dëshmon se ia vlen të luftohet për parime të drejta dhe humane dhe se nuk ka asnjë sfidë së cilës nuk mund t’i bëjmë ballë.
 
Ju dëshiroj suksese duke ju garantuar mbështetjen dhe përkrahjen institucionale dhe duke iu krijuar të gjitha kushtet e bashkëpunimit për një punë dhe qëndrim në Republikën e Kosovës, nga e cila dëshiroj që të largoheni me kujtimet e pashlyeshme dhe që këtu të ktheheni çdo herë si miq që keni kaluar një pjesë të jetës dhe që keni krijuar lidhje me njerëzit dhe vepra që kanë mbetur si dëshmi e angazhimit tuaj human.
 
Ju Faleminderit.
 
 
*****
 
Presidentja Jahjaga e dekoroi gjeneralin Buhler me “Medaljen Ushtarake për Shërbim në Kosovë”
 
Në ceremoninë e sotme të ndërrimit të komandantit të KFOR-it, Presidentja Atifete Jahjaga e dekoroi komandantin e deritashëm të KFOR-it, gjeneralin Erhard Buhler me “Medaljen Ushtarake për Shërbim në Kosovë”.
 
Kjo Medalje u jepet ushtarakëve të Kosovës e të huaj që kontribuojnë në cilësinë e aftësive ushtarake e të mbrojtjes së vendit.