Fjala e Presidentes Atifete Jahjaga në Ceremoninë e Hapjes së Mini Olimpiadës 2013 për të rinjtë me aftësi të kufizuara

Kam kënaqësi të jem në mesin tuaj sot dhe së bashku të hapim Mini Olimpiadën e këtij viti. Kjo ngjarje që mbahet për të nëntin vit me radhë, shënon rëndësinë e përfshirjes dhe ofrimit të mundësive të barabarta për secilin anëtarë të shoqërisë sonë.

I nderuar ambasador Schlumberger,
I nderuar z. Smakiqi,
Znj. Emini,
I nderuar ambasador Cliff,
I nderuar zëvendësministër Abazi,
E nderuara znj. Qekaj - Muharremi
Të nderuar prindër,
Të nderuar ju garues dhe pjesëmarrës të Mini Olimpiadës,

 
Kam kënaqësi të jem në mesin tuaj sot dhe së bashku të hapim Mini Olimpiadën e këtij viti. Kjo ngjarje që mbahet për të nëntin vit me radhë, shënon rëndësinë e përfshirjes dhe ofrimit të mundësive të barabarta për secilin anëtarë të shoqërisë sonë.
 
Dua të falënderoj OSBE-në për përkrahjen e vazhdueshme që i ka dhënë organizimit të kësaj Mini Olimpiade ndër vite gjithashtu dhe Akademinë e Kosovës për Siguri Publike që me kontributin e saj po arrin gjithnjë e më shumë të ndërtojë një shoqëri të sigurt dhe gjithëpërfshirëse. Dhe Komitetin Paraolimpik të Kosovës që ka marrë iniciativën për një organizim të tillë.
 
Në mënyrë të veçantë dua të falënderoj dhe të përshëndes të afërmit e të rinjve që marrin pjesë në këtë Olimpiadë, nënat dhe baballarët e tyre, të cilët përkujdesen për fëmijët e tyre dhe i rrisin ata me ndjenjën e të qenit të barabartë duke sfiduar paragjykime e tabu me të cilat përballen çdo ditë.
 
Është pikërisht kjo punë e tyre e palodhshme që i motivon këta të rinj, pavarësisht sfidave, të mos ndalen asnjëherë, dhe të punojnë drejt realizimit të ëndrrave të tyre, për një të ardhme më të mirë dhe më të sigurt.  
 
Sot çdo i ri pjesëmarrës në këtë Olimpiadë, nëpërmjet sportit, po përçon mesazhe të kurajës njerëzore dhe të përkushtimit, të cilat po i mbartin me krenari mbi supet e tyre akoma të njoma.
 
Ata sot po përçojnë mesazhin se me vullnet të fortë, mund të thyhen të gjitha barrierat dhe të tejkalohet çdo vështirësi, kur ekziston vendosmëria për të arritur çdo synim dhe për t’iu gëzuar secilës mundësi që ofron jeta.
 
Ata sot po na mësojnë shumë!
 
Mbi të njëjtat baza po mëtojmë të ndërtojmë shtetin tonë, një vend demokratik dhe një shoqëri ku secilit qytetar i garantohen dhe i sigurohen të drejta të barabarta dhe mundësi për të qenë pjese aktivë e shoqërisë, për të pas mundësi të zgjedhjes dhe për të shfrytëzuar potencialin e vet.
 
Ne po punojmë dhe jemi shumë të vendosur të ndërtojmë një shoqëri gjithëpërfshirëse, jo përjashtuese, që ofron mundësi të barabarta dhe i përgjigjet kërkesave dhe nevojave të të gjithë qytetarëve të saj pa dallime.
 
Ne jemi të përkushtuar të ndërtojmë një shtet në shërbim të qytetarit, ku secili nga ju të mos hezitojë të ëndërrojë dhe të përpiqet t’i bëj ato realitet.
 
Unë sot në sytë tuaj shoh guximin, shpirtin luftarak dhe padurimin për të filluar sa më parë lojërat. Prandaj po e zgjatur më tej dua t’ju them që të gjithë jeni fitues. Suksese.