presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Sejdiu, Topi e Ivanov takohen në Ohër, diskutojnë për bashkëpunimin rajonal

Ohër, 12 korrik. – Bashkëpunimi rajonal, angazhimi i përhershëm drejt integrimeve euro-atlantike të vendeve të rajonit, vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Maqedonisë kanë qenë disa prej temave që kanë dominuar takimin e përbashkët të Presidentit të Republikës së Kosovës, dr.Fatmir Sejdiu, Presidentit të Republikës së Shqipërisë, dr.Bamir Topi dhe Presidentit të Republikës së Maqedonisë, dr.Gjorgji Ivanov, sot në Ohër, ku Presidenti Sejdiu po qëndron në vizitë dyditore.

Presidenti Sejdiu takimin e sotëm e ka quajtur një takim të rëndësishëm, një vazhdimësi e mirë pas takimeve në Vlorë. Ai gjithashtu ka vlerësuar lart ftesën e bërë nga presidenti Ivanov, me të cilin ka diskutuar një varg çështjesh të bashkëpunimeve sa më intensive edhe në takimin të shtunën në mbrëmje. 

“Ne do të vazhdojmë një traditë të mirë të takimeve dhe të bashkëpunimeve mes vendeve tona. Është një dëshmi e mirë e gatishmërisë sonë për të lëvizur në procese të rëndësishme integruese. Në një fqinjësi të mirë, krijohen rrethana edhe të lëvizjeve të mira, gjithmonë në përputhje me vizionin e përbashkët që e kemi, të standardeve evropiane”, tha Presidenti Sejdiu.

Në një deklaratë për media, Presidenti Sejdiu ka folur edhe për çështjen e vendosjes së marrëdhënie diplomatike mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë.

“Unë e kam shtruar edhe një herë në bisedë çështjen e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Qeveria e Maqedonisë do të veprojë, momentin se si do ta zgjedhin është çështje e tyre. Ne jemi të gatshëm. Kontributet janë të përbashkëta dhe kujtoj se nuk do të jetë periudhë e gjatë kohore kur do të vendosen edhe marrëdhëniet diplomatike”, theksoi Presidenti Sejdiu, duke shtuar se me rëndësi është se kemi raporte të mira praktike.

Më herët gjatë ditës, Presidenti Sejdiu ka vizituar disa objekte kulturo-historike të qytetit të Ohrit, ndërsa vonë në mbrëmje ka marrë pjesë në manifestimin qendror të “Verës së Ohrit”.

This site is registered on wpml.org as a development site.