presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Atifete Jahjaga në Samitin e liderëve të Evropës Qendrore

Varshavë, 27 maj 2011 – Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga po merr pjesë në Samitin e liderëve të Evropës Qendrore, që po mbahet në Varshavë.

Në sesionin e pasdites, ajo u është drejtuar me një fjalim pjesëmarrësve të samitit.Në vijim po e sjellim të plotë fjalimin e Presidentes Jahjaga:Të nderuar Presidentë të Shteteve,Të nderuar shkëlqesi,Zonja dhe zotërinj,Është nder imi t’i drejtohem këtij takimi të Presidentëve të Shteteve të Evropës Qendrore dhe Lindore. Formati i këtij takimi pasqyron ndryshimet e thella nëpër të cilat gjysma e kontinentit tonë ka kaluar në dy dekadat e fundit.Një hap i rëndësishëm në transformimin e Evropës ishte ndërhyrja e NATO-s në Kosovë. Kjo shënoi intervenimin e parë “jashtë zonës” së Aleancës, për të mbrojtur jetët e njerëzve dhe për të promovuar normën ndërkombëtare të së drejtës për të mbrojtur. Për shkak të NATO-s dhe të BE-së dhe si rezultat i politikave të tyre të dyerve të hapura, Evropa Juglindore e ka mbyllur kapitullin e konflikteve dhe vendet e Ballkanit Perëndimor janë në fazën përfundimtare të tranzicionit. Në ditët e sotme, NATO dhe BE po dëshmojnë se janë gjeneratorë të paqes, sigurisë dhe i tranzicionit demokratik përtej kufijve të Evropës.Përderisa vendet e tjera në tranzicion po përqendroheshin në reformat strukturore dhe krijimin e shoqërive demokratike, Kosova duhej të ndërtonte shumë gjëra nga fillimi, pas rrënimit të institucioneve të saj, strukturave shoqërore dhe bazës ekonomike.Të nderuar Presidentë të Shteteve,Shkëlqesi,Republika e Kosovës po dëshmon të jetë një histori suksesi e shtet-ndërtimit demokratik dhe shumëkombësh. Në këtë rrugëtim të suksesit Kosova nuk ishte e vetmuar. Ajo u përkrah bujarisht nga miqtë e saj nga të gjithë cepat e botës. Përfitoj nga ky rast t’ju falënderoj për mbështetjen që qeveritë dhe qytetarët tuaj i kanë dhënë vendit tim.Sot, Kosova i ka të krijuara institucionet e saj funksionale shumetnike të shtetit. Kosova, si një anëtar i përkushtuar i komunitetit transatlantik, zotohet për të njëjtat ideale dhe parime të larta të lirisë, paqes, demokracisë dhe respektimit të të drejtave të njeriut dhe të drejtave të pakicave, me të cilat udhëhiqen demokracitë e tjera.Megjithatë, ne përballemi me një numër sfidash që rrjedhin nga tranzicioni ynë i vonshëm dhe arritja e vonuar e shtetësisë, si dhe problemet e mbetura me Serbinë. Kosova ka nevojë për të forcuar kapacitetet e veta institucionale në fushën e sundimit të ligjit, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Siç mund të jeni në dijeni, në karrierën time të mëparshme, kam qenë një profesioniste në zbatimin e ligjit dhe kam bërë që forcimi i sundimit të ligjit të jetë një nga prioritetet e presidencës sime. Unë përfitoj nga ky rast të falënderoj BE-në, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kontribuuesit e tjerë për mbështetjen e misionit të tyre të përbashkët për sundimin e ligjit në Kosovë – EULEX. Ndërsa jemi duke punuar për të konsoliduar institucionet tona, të forcojmë sundimin e ligjit dhe të zhvillojmë ekonominë tonë, ne jemi gjithmonë në dijeni për rrugën evropiane të Kosovës. Kështu Republika e Kosova është e përkushtuar plotësisht për të përmbushur kriteret e anëtarësimit dhe për vlerat e përfaqësuara nga Bashkimi Evropian dhe NATO. Në ndërtimin e të ardhmes së saj,  Kosova do të ndjekë reformat e brendshme në përputhje me kriteret e pranimit të BE-së dhe të anëtarësimit në NATO.Kosova ka marrëdhënie të shkëlqyera me shumicën e fqinjëve të saj, dhe ne jemi duke bërë çmos për ta kthyer një faqe të re në marrëdhëniet me Serbinë. Përkundër të kaluarës sonë, Kosova dhe Serbia duhet të jenë fqinj dhe një ditë ne gjithashtu do të jemi miq. Kjo është e ardhmja jonë dhe unë me padurim e pres atë ditë. Në Evropën e shekullit 21, nuk ka vend për ide të vjetra që kërkojnë të ndajnë njerëzit në bazë të përkatësisë etnike. Kosova dhe Serbia për këtë arsye duhet të ndihmojnë njëra-tjetrën drejt përparimit dhe të mbyllin një herë e përgjithmonë të kaluarën e vështirë dhe të dhembshme.Sot, qytetarët e Kosovës gëzojnë një jetë të lirë dhe sigurt, të mbrojtur me ligj, me përparim individual dhe shoqëror. Përvoja e veçantë e vendit tim dëshmon se janë disa kushte që duhen plotësuar për një tranzicion të suksesshëm: paqe dhe siguri; institucione demokratike të përgjegjshme, transparente, dhe shumëkombëshe, një respekt të thellë për sundimin e ligjit, një ekonomi tregu me konkurrencë të lirë, siguri për pronën private dhe publike, dhe marrëdhënie të mira me fqinjët. Kjo është ajo që duhet ta kemi në dijeni kur kemi të bëjnë me demokracitë e reja në fqinjësi me Evropën.Shkëlqesi të nderuara,Zonja dhe zotërinj,Evropa do të jetë e tërë dhe e bashkuar atëherë kur të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Republikën e Kosovës, të jenë plotësisht të integruara në BE dhe NATO. Një  Evropë e tërë dhe e bashkuar, me një politikë kohezive të jashtme dhe të sigurisë, do të jetë një aleat i besueshëm që ndan përgjegjësi globale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Së bashku ne jemi një komunitet i vlerave, i cili siguron paqe dhe siguri ndërkombëtare, dhe ndihmon demokracitë e reja në fqinjësi me Evropën dhe më gjerë. Vendi im pret me padurim që të japë kontributin e tij brenda komunitetit transatlantik dhe të BE-së në arritjen e këtij qëllimi.Faleminderit për vëmendjen tuaj. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR

This site is registered on wpml.org as a development site.