presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e Presidentit Sejdiu, në akademinë përkujtimore për Fadil Feratin

Presidentii Republikës sëKosovës, dr. Fatmir Sejdiumori pjesë sot në ceremoninëe varrimit tëkryetarit të komunës sëIstogut, nënkryetarit tëLDK-së e bashkëpunëtorittë tij të ngushtë, FadilFerati, i cili ndërroi jetëkatër ditë më parë, nëmoshën 50 vjeçare. Nëvijim po japim fjalën qëPresidenti Sejdiu mbajtisot në akademinë përkujtimorepër Fadil Feratin.

Në akademinë përkujtimore mbajtur sot në Istog, para varrimit të z.Ferati, Presidenti Sejdiu mbajti një fjalë rasti, në të cilën theksoi edhe një herë kontributin e pazëvendësueshëm që ka dhënë Fadili si kryetar i Istogut, i zgjedhur në të gjitha zgjedhjet e mbajtura pas lufte, si dhe punën e tij të palodhshme si nënkryetar i LDK-së për ndërtimin e institucioneve të nivelit qendror.E nderuara familje Ferati, Të nderuar deputetë dhe ministra në Qeverinë e Kosovës Të nderuar këshilltarë komunalë të Istogut, Të nderuar bashkëvendës, miq dhe bashkëpunëtorë të Fadil Feratit, Qytetarë të dashur të Republikës së Kosovës, Zonja dhe zotërinj, Sot po e përcjellim në botën e amshueshme Fadil Feratin, kryetar i Komunës së Istogut e nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Gjatë këtyre katër ditëve, prejse zemra e tij pushoi së rrahuri, ne kemi kujtuar me mall e me dhembje çastet e punës sonë me të, kemi veçuar punët dhe sukseset që ai ka arritur si udhëheqës i Komunës së Istogut dhe si nënkryetar i LDK-së. Fadil Ferati udhëhoqi Komunën e Istogut në tri mandate. Besimi i qytetarëve të kësaj komune iu dha atij edhe në zgjedhjet e para lokale të mbajtura në Kosovën e pavarur e sovrane. Fitorja e tij e katërt është pothuajse unikate jo vetëm në këto zgjedhje, po në gjithë historikun e zgjedhjeve demokratike që ka mbajtur Kosova. Sëmundja e rëndë ia pamundësoi Fadilit të mbante fushatë zgjedhore. Në rrethanat e konkurrencës së lirë e demokratike, në të cilat secili kandidat përpiqet të marrë mbështetje sa më të gjerë të elektorëve, kandidimi për postin e kryetarit të Komunës pa bërë asnjë ditë fushatë, është një lloj utopie. Por, rasti i tij ishte tjetër, i veçantë.Me punën e tij në tri mandatet e kaluara si udhëheqës komune, si dhe me veprimtarinë e gjatë e të palodhshme njëzetvjeçare në shërbim të lirisë dhe prosperitetit të vendit, Fadili Ferati e kishte fituar besimin e qytetarëve, ndaj doli fitues edhe për të katërtën herë, ndonëse nuk arriti të paraqiste vizionin e tij për qeverisjen e Istogut gjatë katër vjetëve të ardhshëm. Vizioni i tij dihet. Fadil Ferati ishte etabluar ngadalë, por sigurt si prijës i Istogut, si zëri i parë i qytetarëve të kësaj komune. Ai ishte kryetar i Istogut dhe nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, kështu që fryma e veprimit dhe e mendimit të tij politik patjetër reflektoi edhe në kryeqendrën e Kosovës, në Prishtinë. Sot, kur po ndahemi përfundimisht prej tij, mund të theksojmë pa hezitim se Fadil Ferati ishte njeri që gëzonte njëkohësisht besimin e bashkëvendësve të tij në Komunën e Istogut dhe respektin e institucioneve qendrore të Republikës. Rruga e ngritjes së tij politike ishte fryt i punës së gjatë e konkrete për përmirësimin e jetës dhe të mirëqenies sociale të qytetarëve të Istogut, në njërën anë, si dhe i angazhimit të pareshtur për forcimin e institucioneve të shtetit tonë, në anën tjetër. Ndaj, duke shikuar prapa drejt viteve të mëdha të veprimtarisë, s’kemi se si të mos i vërejmë gjurmët e punës së tij si këtu në Istog, ashtu edhe në Prishtinë. Së këndejmi, ndarja e tij nga jeta është dyfish më e rëndë; ai la Istogun pa prijës, ndërsa Prishtinën pa një personalitet që kishte mbështetjen e fuqishme të bazës nga vinte, veçori kjo që e bënte atë të autoritetshëm kudo. Që nga krijimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës Fadil Ferati punoi për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Si në vendlindjen e tij, në Gurrakoc, si në Istog a në Prishtinë, ai tregoi besim të patundur në misionin të cilit i ishte bashkuar. Lëvizja jonë e madhe për liri, pavarësi dhe demokraci, së cilës i printe vizionari Ibrahim Rugova, pati themele të fuqishme pikërisht në veprimtarët e devotshëm, besnikë e përherë të qëndrueshëm si Fadil Ferati. Lidhja Demokratike e Kosovës dhe partitë e tjera që vepruan në Kosovë gjatë viteve nëntëdhjetë nuk kishin asnjë mjet të ekzekutimit të pushtetit. Mirëpo, ato kishin besimin e madh të qytetarëve, të cilin nuk mund ta vriste asnjë lloj arme e pushtetit përbindësh të Millosheviqit. Ky besim plebishitar i një populli të tërë në udhëheqësit e vet bëri që ata të kenë qëndrim të palëkundur në kërkesën e shenjtë: liri, pavarësi dhe demokraci për Kosovën. Nga perspektiva e sotme, kur Kosova po përmbyll dyvjetorin e funksionimit të saj të suksesshëm si shtet i pavarur dhe sovran, mund të vlerësohet se sa e rëndësishme, në fakt, sa esenciale ka qenë për faktorin tonë politik mbështetja që ka pasur kudo në Kosovë, në çdo shtëpi, në çdo lagje, në çdo fshat e qytet. Nuk ka asnjë dyshim, kjo mbështetje e këtyre përmasave gati të pabesueshme për ato rrethana s’do të ishte e tillë, sikur Lëvizja jona të mos kishte njerëz si Fadil Ferati, të cilët ditën t’i qëndrojnë pranë qytetarit të Kosovës në çdo situatë. Ne u kemi shumë borxh këtyre njerëzve, që sakrifikuan gjithçka për ta jetësuar ëndrrën tonë shekullore për shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës. Si institucione, si qytetarë, si njerëz… ne duhet të bëjmë çmos që vepra të mos shuhet kurrë, por të kujtohet e të nderohet ashtu siç i ka hije një vendi që s’i harron asnjëherë bijtë e vet. Fadil Ferati, prind i urtë, mik i mirë dhe njeri me ideale e synime të qarta meriton kujtimin dhe nderimin tonë të gjithmonshëm. Ai ishte njeri i Istogut dhe i Kosovës dhe punoi me gjithë shpirt për ta parë më të përparuar vendlindjen/atdheun e vet. I qoftë i lehtë dheu i nënës Kosovë! Qoftë i përjetshëm kujtimi për të! Për të përjetshmin, njeriun e mirë të Kosovës, Fadil Ferati. 

This site is registered on wpml.org as a development site.