presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e Presidentes Jahjaga në konferencën shkencore “Siguria në Kosovë dhe refleksionet rajonale”

Ju dëshiroj punë të mbarë gjatë kësaj konference shkencore, duke pasur bindjen se me punimet Tuaja do të jepni kontribut në trajtimin e temës të sigurisë dhe të refleksioneve rajonale.

Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës,Të nderuar mysafirë nga Republika e Shqipërisë, Republika e Maqedonisë, Republika e Malit të Zi,Të nderuar pjesëmarrës, Ju dëshiroj punë të mbarë gjatë kësaj konference shkencore, duke pasur bindjen se me punimet Tuaja do të jepni kontribut në trajtimin e temës të sigurisë dhe të refleksioneve rajonale. Republika e Kosovës, shtet sovran dhe i pavarur, është një realitet i pakthyeshëm dhe faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon. Shteti ynë i kushton rëndësi të veçantë politikave të sigurisë  në kuadër të politikave të përgjithshme që ndikojnë në stabilitetin e vendit si dhe në stabilitetin e rajonit. Republika e Kosovës që nga viti 1999 ka një prezencë të konsiderueshme të misioneve ndërkombëtare civile dhe ushtarake dhe një prezencë dhe një ndihmë në fushën e rendit dhe të sundimit të ligjit. Kjo prezencë që me shpalljen e pavarësisë së vendit, është bërë me kërkesë të institucioneve të Republikës së Kosovës, ka dhënë kontribut në ndërtimin e kapaciteteve shtet-ndërtuese dhe në krijimin e kushteve për zhvillimin dhe për përparimin e marrëdhënieve demokratike . Republika e Kosovës si në çdo vend tjetër i lirë e i pavarur ka krijuar kapacitetet e veta për sundimin e ligjit dhe ka bërë transformimet dhe reformat në sistemin e gjyqësisë, ka krijuar nga e para Policinë e Kosovës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës.  Këto kapacitete të ndërtuara sipas standardeve më të larta evropiane dhe amerikane, janë bërë institucione shumë të respektueshme dhe të besueshme për të gjithë qytetarët pa dallim që me profesionalizmin dhe përkushtimin e vet janë bërë faktor në luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit, duke ndikuar që në vendin tone të sundoj parimi i ligjit dhe të kemi politika të efektshme të sigurisë. Të nderuar pjesëmarrës,Ndërtimi i politikave të sigurisë së një vendi është një sistem kompleks dhe i ndërthurur jo vetëm në planin e brendshëm por edhe në atë të jashtëm.  Në periudhat moderne politika e sigurisë së një vendi detyrimisht është e lidhur me politikat e sigurisë rajonale dhe globale. Për këtë Kosova ka nevojë të jetë anëtare me të drejta të plota në të gjitha strukturat ndërkombëtare të sigurisë, se vetëm kështu i jepet kontribut paqes dhe stabilitetit në rajon, dhe vetëm kështu ndërtohen politikat e mira parandaluese, që ju mundësojnë qytetarëve jetë normale dhe të qetë. Politikat e sigurisë së vendit janë të lidhura edhe me politikat e shkollimit dhe të edukimit, të shëndetësisë, me reformat në drejtësi dhe gjyqësi si dhe në ndërtimin e kapaciteteve të strukturave emergjente, të policisë, sigurisë dhe ato ushtarake.  Me politikat e sigurisë janë të lidhura përpjekjet dhe kundërvënia efikase ndaj kontrabandës, korrupsionit dhe krimit të organizuar, dukuri këto tejet të dëmshme që me pasojat e tyre rrënojnë bazën e shoqërisë dhe të shtetit dhe krijojnë terren të përshtatshëm për veprimet nga pozitat e terrorizmit ndërkombëtar. Republika e Kosovës ka arritur rezultate në të gjitha fushat sidomos në proceset e zhvillimit të demokracisë, në realizimin e të drejtave dhe të lirive të njeriut, ndërsa  sundimi i ligjit dhe luftimi i korrupsionit, kontrabandës dhe krimit të organizuar, duhet të jetë angazhim yni permanent, që Kosova ashtu siç nuk është më burim e as eksportues i krimit, të mos jetë as vend transit i kontrabandës dhe i krimit të organizuar.  Republika e Kosovës do t’i realizojë të gjitha politikat e saj që në një të ardhme të afërt të bëhet shtet anëtar i OKB-së, i Bashkimit Evropian dhe vend anëtar i NATO-s. Ju faleminderit dhe Ju dëshiroj punë të frytshme në këtë konferencë. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR

This site is registered on wpml.org as a development site.