presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Viti i mbarë i dëshmimit

Viti 2008 do të jetojë në kujtesën e brezave të ardhshëm të Kosovës si viti i shpalljes së pavarësisë. Më 17 shkurt 2008, përfaqësuesit legjitim të popullit të Kosovës e shpallën Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik. Ky akt madhor i historisë sonë, u arrit falë sakrificave pothuajse njëshekullore të popullit të Kosovës, si dhe ndihmës së përhershme të prijatarëve të demokracisë dhe të lirisë së kombeve, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian dhe vendeve të tjera demokratike nga të katër anët e globit.

Shkruan: Dr. Fatmir Sejdiu

Viti 2008 do të jetojë në kujtesën e brezave të ardhshëm të Kosovës si viti i shpalljes së pavarësisë. Më 17 shkurt 2008, përfaqësuesit legjitim të popullit të Kosovës e shpallën Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik. Ky akt madhor i historisë sonë, u arrit falë sakrificave pothuajse njëshekullore të popullit të Kosovës, si dhe ndihmës së përhershme të prijatarëve të demokracisë dhe të lirisë së kombeve, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian dhe vendeve të tjera demokratike nga të katër anët e globit. 

Gjatë vitit të parë të pavarësisë së saj, Republikën e Kosovës e njohën 54 shtete, në mesin e të cilave, ndër të parat, ShBA-të, vendet më me ndikim të BE-së, Turqia, Japonia, Australia, Kanadaja, Emiratet Arabe etj. Për ne, janë shumë të rëndësishme dhe domethënëse njohjet nga vendet tona fqinje, Republika e Shqipërisë, Republika e Maqedonisë dhe ajo e Malit të Zi, me të cilat kemi marrëdhënie të shkëlqyeshme bashkëpunimi e miqësie. Njohja nga këto vende është një tjetër dëshmi se pavarësia e Kosovës jo që nuk e ka trazuar rajonin, siç trumbetonin kundërshtarët e saj, por ka krijuar mundësi të reja për përparimin e përgjithshëm të kësaj pjese të Evropës Juglindore. 

Populli i Republikës së Kosovës është i përkushtuar që tragjikën e përjetuar ta mbajë në kujtesë, sepse vendi ynë është i vendosur për të ecur përpara drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Na gëzon fakti se edhe vendet e tjera të rajonit kanë po këtë përkushtim. Sukseset e tyre ne i çmojmë si një mundësi më shumë për rajonin dhe për synimin tonë për paqe, stabilitet dhe ardhmëri më të mirë për të gjithë popujt tanë. Në këtë kontekst, ne presim që edhe fqinji ynë verior, Republika e Serbisë, t’u bashkohet sa më parë përpjekjeve të përbashkëta për krijimin e një fryme të re të bashkëpunimit e të mirëkuptimin rajonal. Në fund të fundit, të gjithë jetojmë nën të njëjtin diell dhe nuk kemi udhë tjetër përveçse t’ia shtrijmë dorën e pajtimit njëri-tjetrit, në mënyrë që fëmijët tanë të jetojnë në një botë më normale e më të lumtur sesa jetuam ne dhe baballarët tanë.

Republika e Kosovës, gjatë vitit të parë të pavarësisë, shënoi përparime të prekshme në të gjitha fushat e jetës. Në aspektin e formësimit të legjislacionit dhe të strukturave shtetërore janë arritur rezultate të rëndësishme. Më 15 qershor 2008 u miratua Kushtetuta moderne e Republikës së Kosovës, e cila ka përfshirë në vete ligje të rëndësishme që dalin nga Propozimi i Presidentit Ahistari, të cilat japin garanci të fuqishme për respektimin dhe mbrojten ligjore të komuniteteve pakicë, të kulturës dhe të trashëgimisë së tyre shpirtërore. Ndonëse jo pa vështirësi, është bërë punë e madhe edhe në procesin e krijimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, e cila do të punojë sipas standardeve dhe parametrave të NATO-s, për të qenë një ditë edhe vetë e gatshme të japë kontributin e saj për sigurinë dhe paqen globale. Së fundi, janë themeluar edhe Agjencia e Inteligjencisë e Kosovës dhe Këshilli Kombëtar i Sigurisë, që do të punojnë me profesionalizëm për të krijuar një mjedis të qetë e të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim etnie apo besimi.

Institucionet tona janë të vendosura të punojnë edhe më tej, me kujdes dhe në bashkëpunim të ngushtë me EULEX-in, KFOR-in, Policinë e Kosovës dhe me FSK-në, me qëllim që vendi ynë ta mbajë këtë stabilitet të përgjithshëm që ka, pavarësisht se në Veri ende ekzitojnë struktura jolegale që po përpiqen të mbjellin anarki dhe të rrënojnë imazhin e mirë të Kosovës në botë. Ne u bëjmë thirrje atyre që të tërhiqen nga këto përpjekje të padobishme, sepse ato nuk janë në të mirën e askujt, aq më pak të qytetarëve të pakicës serbe në Kosovë, pjesëtarë të shumtë të së cilës po japin çdo ditë ndihmesë të veçantë për forcimin e intitucioneve të Republikës së Kosovës dhe thellimin e besimit ndërmjet të gjitha komuniteteve të saj.

Edhe në aspektin ekonomik ka pasur suksese të ndjeshme. Buxheti i Kosovës sivjet është 15 për qind më i lartë sesa ai i vitit të kaluar, sektori privat dita-ditës po arrin të rigjallërohet, ndërsa vendet tona mike, si gjithmonë, vazhdojnë ta mbështesin Kosovën qoftë me donacionet e dhëna veç e veç, qoftë me zotimin e verës së kaluar në Konferencën e Donatorëve për Kosovën. Pra, është krijuar një rrafsh i mirë zhvillimi, i cili na bën optimistë se e ardhmja do të jetë edhe më e mirë. 

Natyrisht, para nesh mbesin sfida të tjera të mëdha, për të cilat  jemi të vetëdijshëm të gjithë. Vendi ynë ende ballafaqohet me një shkallë të lartë papunësie. Zbutja e kësaj gjendjeje duhet të jetë prioriteti kryesor i Qeverisë së Kosovës, e cila edhe në periudhën e ardhshme do të ballafaqohet me vështirësitë e përditshme në arsim, në shëndetësi, në infrastrukturë etj. Por, besojmë që angazhimi i të gjithëve nuk do të mungojë, në mënyrë që këto çështje të ndjeshme të zgjidhen me radhë në të mirë të përmirësimit të standardit jetësor të qytetarëve tanë.

Në fund, duke ju përgëzuar të gjithëve në përvjetorin e parë të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, si President juaji, konstatoj pa hezitim se viti 2008 ishte vit i mbarë i dëshmimit tonë si shtet i pavarur, demokratik, funksional e ligjor. Kosova sovrane po bëhet një faktor përcaktues i sigurisë dhe i paqes në rajon, duke u bërë shembull i gatishmërisë për bashkëpunim dhe miqësi në këtë pjesë të Evropës dhe të botës. 

This site is registered on wpml.org as a development site.