presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Sejdiu: Kosova është shtet i pavarur i të gjithë qytetarëve të saj të barabartë përpara ligjit

“Republika e Kosovës ka hyrë në vitin e dytë të dëshmimit si një shtet i pavarur dhe sovran, në të cilin mbisundon paqja, stabiliteti dhe rendi ligjor, pavarëisht sfidave të ndryshme dhe pengesave që ndokush mundohet të na shkaktojë në rrugën tonë të forcimit të demokracisë dhe të sigurisë së përgjithshme në vend”, tha Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, gjatë një takimi që pati sot me z. Tomas Hammarberg, komisar për të Drejtat e Njeriut i Këshillit të Evropës.

Duke e ritheksuar zotimin e institucioneve dhe të popullit të Kosovës për zbatimin e plotë të obligimeve që burojnë nga Propozimi i Ahtisarit, të cilat janë përfshirë edhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Presidenti Sejdiu pohoi se të drejtat dhe liritë e njeriut janë prioritet i të gjitha institucioneve tona. “Janë arritur rezultate të konsiderueshme në integrimin aktiv dhe në pjesëmarrjen e plotë të komuniteteve pakicë në jetën shoqërore dhe politike të vendit, mirëpo ka disa probleme me një pjesë të komunitetit serb, për shkak të presionit të vazhdueshëm që po bën Beogradi zyrtar për pengimin e përfshirjes së pjesëtarëve të kësaj pakice në institucione e Kosovës”, vijoi Presidenti Sejdiu. Megjithatë, vijoi ai, edhe në institucionet qendrore, edhe në ato lokale ka një numër të madh të qytetarëve serbë të Kosovës, të cilët, përkundër presionit që u bëhet, kanë dhënë dhe po dhënë kontributin e tyre të përditshëm. Gjithashtu, Presidenti Sejdiu kërkoi nga z. Hammarberg që bashkësia ndërkombëtare ta shtojë presionin e saj ndaj Serbisë, me qëllim të zbardhjes së fatit të mbi 1.900 shqiptarëve të pagjetur të Kosovës, të cilët Beogradi zyrtar, dhjetë vjet pas mbarimit të luftës, vazhdon të mos i dorëzojë. Ndërkaq, z. Tomas Hammarberg, shprehu inkurajimin e tij për institucionet e Kosovës, duke theksuar se priste që të punohej edhe më shumë për kthimin e të gjithë qytetarëve të Kosovës në shtëpitë e veta. Me këtë qëndrim u pajtua edhe Presidenti Sejdiu, i cili rikujtoi se institucionet e Republikës së Kosovës u kanë bërë thirrje disa herë të gjithë qytetarëve që e kanë Kosovën atdhe të vetin, pa dallim përkatësie etnike, të kthehen në shtëpitë e veta, sepse Kosova është një shtet i pavarur i të gjithë qytetarëve të saj të barabartë përpara ligjit. 

This site is registered on wpml.org as a development site.