presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Sejdiu: Kosova është një storie e suksesit

Nju-Jork, 21 shtator. – Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, Kryeministri Hashim Thaçi dhe Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, dr. Sali Berisha morën pjesë sot në një takim me anëtarët e APEN-it, organizim që përmbledh rreth vetes profesionistë dhe ndërmarrës shqiptarë që jetojnë e veprojnë në SHBA.

“Puna e bërë gjatë viteve të fundit, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë shpreh këmbëngulësinë e institucioneve dhe qytetarëve të dy vendeve tona për të ecur në progres me hapa shumë të shpejtë”, theksoi Presidenti Sejdiu, duke folur para pjesëmarrësve të shumtë.

Duke u fokusuar në zhvillimet në Kosovë, Presidenti Sejdiu theksoi se nga shpallja e pavarësisë e këndej, Kosova është një storie e suksesit.

Në këtë rrugëtim, ai tha se ndërmarrësit shqiptarë në SHBA mund të ndihmojnë në zhvillimin e vendit tonë, edhe me ide edhe me iniciativa konkrete.

Ai tha se puna më e madhe që duhet bërë nga institucionet e vendit është që Kosova të sigurojë sa më shumë njohje të reja dhe të bëhet sa më shpejt anëtare e institucioneve ndërkombëtare, sikur  edhe vendet e tjera të familjes së vendeve të lira.

“Përkundër përpjekjeve për të ndalur rrugën tonë, ngjarjet e tre-katër muajve të fundit janë shumë të favorshme për Kosovën. Mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë është një vulë e veçantë e vendimit të madh të 17 shkurtit 2008”, tha Presidenti Sejdiu, duke shtuar se miratimi më vonë i rezolutës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së ishte “një miratim i konsensusit, një miratim dhe vlerësim i stories së suksesshme që kemi kapërcyer deri tash”.

Kosova ka shumë sfida, theksoi Presidenti Sejdiu, por është në të njëjtën kohë përkushtimi që t’i kapërcejmë me të gjithë miqtë tanë. “Dua të shpreh falënderimin për SHBA, vendet e Bashkimit Evropian dhe të shpreh falënderimin e gjithmonshëm dhe të natyrshëm për Republikën e Shqipërisë për punën e madhe që bën në përkrahje të Kosovës”, tha Presidenti Sejdiu.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR

This site is registered on wpml.org as a development site.