presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Sejdiu u priti sot, në ambientet e Vilës 30, në Tiranë, nga Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha.

Pas bisedimeve, Presidenti Sejdiu dhe Kryeministri Berisha mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp transkriptin e së cilës po e japim në vijim:

Kryeministri Berisha: Sapo përfunduam një takim vëllazëror me Presidentin e Kosovës z. Fatmir Sejdiu. Vetëkuptohet se në agjendë pikë e parë e diskutimit ishte vlerësimi për vendimin e Gjykatës së Hagës mbi bazën legale, bazuar mbi të Drejtën Ndërkombëtare, të pavarësisë së Kosovës. Unë e përshëndeta përzemërsisht Presidentin Fatmir Sejdiu për këtë arritje të madhe dhe historike të shqiptarëve në tempullin e drejtësisë botërore. Ky vendim është i një rëndësie dhe vlere të jashtëzakonshme, jo vetëm për Kosovën, por të Drejtën Ndërkombëtare në tërësi. Rrallë ndonjëherë në historinë e botës mund të ketë pasur përputhje më të madhe midis vendimit apo ligjit dhe të drejtës, si kësaj radhe. Vendimi ishte një vlerësim i të vërtetave të mëdha të Republikës së Kosovës. Kam bindjen se vendimi është një kontribut madhor për paqen, stabilitetin në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanin. Ky vendim është i bazuar, vlerësojmë me Presidenti Sejdiu, fund e krye, nga alpha te omega, në Kosovën si rast sui generis, si rast unik, si rast i paprecedent. Gjykatësit panë me sytë dhe me mendjen e ligjit se realiteti në Kosovë ishte tërësisht në përputhje me frymën dhe germën e ligjeve ndërkombëtare, e rezolutave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e kornizës Kushtetuese. Në këtë kontekst, mbetet që ky vendim të mishërohet me përpjekje të mëdha në njohje të reja, në mënyrë që Kosova të marrë sa më shpejtë vendin e merituar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Ne do të bëjmë përpjekje të përbashkëta. Sigurisht, qeveria e Kosovës, udhëheqja e saj, Presidenti, qeveria, do të bëjnë përpjekjet dhe do të udhëheqin procesin e njohjeve të reja. Shqipëria do të japë mbështetjen më të madhe të mundshme në këtë proces. Sigurisht, jemi të hapur se ky vendim ka krijuar kushte dhe bazë të fuqishme ligjore ndërkombëtare edhe për marrëdhëniet e reja midis Prishtinës dhe Beogradit, midis Tiranës dhe Beogradit. Ne shpresojmë që gradualisht, pasi t’i bëhet një vlerësim objektiv vendimit, të ketë një përgjigje dhe nga Beogradi ndaj këtyre qëndrimeve. Natyrisht, në takim u diskutua për të gjitha marrëdhëniet midis dy vendeve tona, Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe për situatën në rajon. Ne mbetemi të vendosur dhe të bindur se kusht për paqe dhe stabilitet është respektimi i kufijve aktual në rajonin e Ballkanit. Çdo përpjekje për modifikim të kufijve është një përpjekje e rrezikshme për të krijuar një spiral të ri, i cili bie ndesh tërësisht me idealin evropian të popujve të rajonit, i cili është dhe aktualisht interesi jetik më i rëndësishëm kombëtar i tyre.  Për ta mbyllur këtë konferencë, për ta falënderuar Presidentin Sejdiu për këtë vizitë dhe për këtë takim në një moment shumë historik, mbetemi të vendosur për respektimin e plotë të kufijve ekzistues. Nuk duhet të ketë asnjë përpjekje. Është tërësisht e papranueshme që për 3 komuna të mbahen tensione në një kohë kur situata të tilla analoge ekzistojnë me dhjetëra, në Ballkan, në Evropë dhe kudo. Mund të bëhen disa përmirësime në statusin ligjor, në Mitrovicë dhe 3 komunat e veriut, por gjithnjë duke ruajtur të paprekshëm kufijtë. 3 komunat  shqiptare të jugut të Serbisë, çfarë mund të kenë probleme për të vendosur standarde evropiane. Kjo do të ishte zgjidhja përfundimtare, sepse tjetra është copëza të Serbisë së Madhe. Ajo ka marrë fund. Nuk shkohet më drejt ndryshimit të kufijve.Presidenti Sejdiu: Faleminderit! Unë ndihem me të vërtetë shumë i lumtur që takohemi në një kohë dhe në një kontekst jashtëzakonisht të pozitiv të zhvillimit të ngjarjeve. Sot kam ardhur, them, me kënaqësi edhe për të parë mrekullinë e investimit të madh të shtetit shqiptar, të qeverisë shqiptare, në përfundimin e një rruge që lidh jo vetëm Shqipërinë dhe Kosovën, por që lidh vizionin tonë, paralelisht, që lidh Evropën, që lidh këtë pjesë të botës. Them në kontekst pozitiv, sepse mbështetet në një taban të rëndësishëm të zhvillimeve që kanë të bëjnë me të ardhmen dhe perspektivën tonë, në veçanti  të Kosovës. Mendimi i urtë i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ishte përgjigja më e mirë e studiuar dhe e thënë, për të gjithë atë që ne kemi kapërcyer, si dhe për të gjithë atë që ne kemi marrë vendime të mëdha në Kosovë, them gjithnjë, si artikulim i vullnetit politik të njerëzve të Kosovës, por edhe si mbështete e koordinuar ndërkombëtare, ku rol të veçantë ka pasur, ka dhe do të ketë Republika e Shqipërisë, në mbështetje të vazhdueshme të zhvillimeve të reja. Për ne është me rëndësi se mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare do të kundrohet në dy rrafshe esenciale dhe të pashkëputshme: në rrafshin juridik dhe të së Drejtës Ndërkombëtare, për çka dhe u kërkua mendimi për tu dhënë dhe ai mendim u dha. Mendimi është i drejtë, është i paanshëm, është mendim i pakontestuar, sado që dikush mund të mundohet me qasje irracionale ta kontestojë për ata vetë që e kërkuan. Dhe iluzioni po të ishte një situatë tjetër e dhënies së mendimit, se çfarë do të ishte pjesa e propagandës përcjellëse. Mendimi i tillë është përgjigje për të gjitha proceset që kemi kapërcyer. E dyta është në rrafshin e zhvillimit të hapjes së një perspektive të re të Kosovës dhe të kundrimit edhe të shumë vendeve që them se në arsye të caktuara kanë pritur verdiktin e Gjykatës për të proceduar me procesin e njohjes së këtij realiteti pozitiv që ka bërë Kosova. Ndaj, ne jemi shumë të interesuar që kjo të jetë e shpejtë dhe e barazvlefshme në kuptimet e njohjes së Kosovës me zhvillimet pozitive që kemi pasur. Ju them dhe e përsëris gjithmonë se storia më e suksesshme e kallëzimit apo e errësimit të Kosovës, përgjithësisht, pas shpalljes së pavarësisë është oponenca reale pozitive karshi të gjitha prognozave ogurzeze të kundërshtarëve të pavarësisë së Kosovës, duke thënë se do të ndodhë kjo apo ajo. Nuk ka ndodhur asnjë e keqe. Ka ndodhur e mira në vazhdimësi. Janë hapur rrugë të përzishme  për prosperimin e të gjithë njerëzve, pa dallim etnie. Është shpalosur më parë dhe është në realizim vizioni ynë se Kosova është e të gjithë qytetarëve, se Kosova dëshiron të zhvillojë marrëdhënie të shkëlqyeshme edhe me Republikën e Serbisë, sikurse kemi marrëdhënie të shkëlqyeshme me të gjithë vendet e tjera të fqinjësisë së parë, por edhe të rajonit. Prandaj, kjo peshë e punës dhe përcaktimit që ne kemi. Dhe gjithë ato zhvillime, bashkë  me sfidat, janë një kallëzim i suksesit edhe të investimit ndërkombëtar, të investimit të mbështetësve të Kosovës që nuk na janë ndarë në asnjë kohë, në kuptim të mbështetjes së fuqishme. Unë bëra ftesë më herët, edhe gjatë takimit me Presidentin Topi, por e përsëris edhe tani se rruga e mbarë dhe e përbashkët e vendeve të rajonit është në bashkëpunim. Adresimi është edhe tek Republika e Serbisë, që të heqë dorë nga kjo qasje, them në zbutje, irracionale që ka karshi edhe vetë qytetarëve të vetë brenda Republikës së Serbisë. Urdhëroni dhe shihni opinionet pas këtij mendimi. Se si qytetarët e zakonshëm e shohin  ecjen tjetër që duhet ta bëjë ky vend, jo në tërheqje pas dhe përtej logjikës që pa prezantuar deri më tani, flas në kuptim negativ. Do të vijë dita që ky interes real edhe i Republikës së Serbisë të prezantohet drejt, por sa  më shkurt, në kuptimin kohor, do të jetë  i interesit të përbashkët. Ne do të zbatojmë Kushtetutën dhe ligjet tona që janë të standardeve ndërkombëtare, do të realizojmë me përpikmëri zotimet e dhëna me projektin Ahtisari. Dhe, qytetarët serbë në Kosovë, edhe ajo pjesë që heziton, do të jenë partnerë të përbashkët në ndërtimin e sallmës dhe, gjithmonë e quaj, të atdheut të përbashkët që është Kosova. Ne do të lëvizim në këtë vizion me realizim të vullnetit për të drejtat dhe liritë njerëzore dhe të komuniteteve. Janë storie të shkëlqyeshme këto që kanë ndodhur së fundi me riorganizimin e zgjedhjeve lokale, me daljen si demant i drejtpërdrejtë të qytetarëve serbë në këto zgjedhje, 65 për qind, 55 për qind, që është një rezultat  i mirë për standardet e bashkëkombësve evropianë. Prandaj, në ne është që të bashkëpunojmë thellë me njerëzit e Kosovës, të bashkëpunojmë me vendet përreth, të bashkëpunojmë në vizionin tonë me Republikën e Serbisë. Absolutisht dhe natyrisht të jemi ndërtues të mirë të Kosovës, e cila duhet të shkurtojë lëvizjet e saj drejt anëtarësimit edhe në NATO, edhe në Bashkimin Evropian. Integriteti i saj është i pacenueshëm. Cdo ide tjetër që mendon ta cenojë integritetin e Kosovës hap diçka që është, absolutisht, tepër e rrezikshëm. Prandaj ne çmojmë këtë kontekst të ndërtuar në vullnetet politike dhe këtë realitet të mirë të bashkëpunimit si me vende të tjera. Përvojat  janë të shkëlqyeshme dhe, natyrisht, në këtë kompozicion kujtojmë se do të lëvizim edhe përtej. Faleminderit shumë!- Pyetje: Ju thatë se mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ka refleksione pozitive brenda rajonit dhe më gjerë. A mendoni se ky vendim mund të mënjanojë ideatorët e projekteve, në skenë apo në prapaskenë, për shkëmbim të territoreve shqiptare me territore shqiptare? Si e shihni ju këtë frymë që në prapaskenë, faktikisht, përflitet?Presidenti Sejdiu: Në e thamë një përgjigje që nuk është përgjigje e këtij momenti, por është e vazhdueshme. Dhe çdo ide që ka për qëllim të destabilizojë rajonin në forma çfarë prezanton, absolutisht, është e papranueshme. Rruga jonë e përbashkët është rruga në integrimet euroatlantike. Shansin e madh Shqipëria e ka shfrytëzuar dhe është anëtare e NATO-s, për këtë gëzohemi të gjithë dhe, natyrisht, është në procese të tjera të mëdha të përmbushjes së kritereve. Për ne është po ashtu të shpejtojmë dhe të arrimë atë që është pjesë e realizimit të perspektivave të zhvillimit të përgjithshëm edhe të dy vendeve, Shqipërisë dhe Kosovës, në politikat e përbashkëta nën kulmin evropian. Kryeministri Berisha: Së pari,vendimi i Gjykatës së Hagës i jep përgjigjen ligjore më të shkëlqyer pyetjes suaj dhe mbështetjen më të fuqishme qëndrimit të autoriteteve të Kosovës, Shqipërisë dhe më gjerë. Gjykata shpalli legale Kosovën e pavarur dhe kjo nënkupton territorin, kufijtë, himnin, autoritetet dhe të gjitha. Së dyti, historia e trojeve shqiptare është një histori jashtëzakonisht tragjike. Nuk mund të mohohet. Por një gjë është e sigurt, se shqiptarët nuk kanë qoftë edhe një varr të vetëm në tokat e askujt. Çfarë kanë varrosur në 2000 vjetët e fundit i kanë në trojet e tyre. Në këtë aspekt, në qoftë se historia e shekullit të kaluar ishte historia e copëtimit dhe e bërjes së tyre si plaçke shpërblimi për nacionalizma të tjera përreth tyre, ky kapitull është mbyllur. Ndaj rindarje të tjera, pazare mbi trojet e shqiptarëve nuk ka shqiptar që ka autoritetin për ta bërë. Nuk ka askush të drejtë tu kërkojë shqiptarëve një gjë të tillë dhe sigurisht s’do e pranojmë. Por ky qëndrim përputhet plotësisht, fatmirësisht, me qëndrimin e shkëlqyer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat, për hir të së vërtetës, meqenëse jam tani e 20 vjet në këto historira hartash, kanë qenë kundërshtarët më të vendosur. Dhe po kështu fuqitë e mëdha evropiane. Rri e mendoj, qëndron pikërisht në këtë, një nga shkaqet më kryesore në të cilat ata parandaluan katastrofa shumë herë më të mëdha se sa ajo që ne kemi parë në jugun e Ballkanit. Ndaj le të punojmë. Presidenti bëri këtu një deklaratë jashtëzakonisht të veçantë, ftoi për marrëdhënie të shkëlqyera me Serbinë. Unë mbetem, përsëri, i bindjes më të thellë se ideali evropian i kombeve të këtij rajoni është ideal kryesor dhe se është interesi i tyre kombëtar jetik. Ndaj le të punojmë të gjithë, të shkojmë drejt Bashkimit Evropian; tu garantojmë qytetarëve, pavarësisht nga përkatësitë etnike të drejtat që meritojnë, të barabartë para ligjit dhe Kushtetutës; të ndërtojmë vendet tona, të cilat kanë humbur shumë nga koha dhe konfliktet. Këtë kërkojnë qytetarët, këtë duhet të bëjmë ne!P.S. (Transkripti është publikuar në ueb-faqen e Kryeministrit Berisha)

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR

This site is registered on wpml.org as a development site.