presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

PRESIDENTI SEJDIU PRITI GJENERALIN KATHER DHE GJENERALIN DE MARNHAC

Pa marrë parasysh vështirësitë me të cilat mund të ballafaqohet, KFOR-i është i gatshëm që ta garantojë sigurinë në tërë territorin e Kosovës.

Ky qe mesazhi kryesor që mori sot Presidenti i vendit, dr. Fatmir Sejdiu, nga dy gjeneralët e KFOR-it, komandanti i tanishëm i kësaj trupe, Rolan Kather, dhe pasuesi i tij, Xavier Bout de Marnhac.“Çështja kryesore tani për të gjithë ne është statusi. Jemi të bindur se angazhimi i fuqishëm i bashkësisë ndërkombëtare, në radhë të parë i ShBA-ve dhe i Bashkimit Evropian, do të rezultojë me përmbylljen e suksesshme të këtij procesi, ndërsa vendet që hezitojnë ta pranojnë pavarësinë tonë do të binden me kohë se kjo është zgjidhja me e mirë jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin”, tha Presidenti Sejdiu. Ai e falënderoi gjeneralin Kather për punën e jashtëzakonshme të KFOR-it gjatë këtyre tetë vjetëve në Kosovë, si dhe e përgëzoi gjeneralin francez Xavier Bout de Marnhac për detyrën e re që i është besuar, duke e siguruar atë se institucionet dhe qytetarët e Kosovës do të jenë të përkushtuara edhe më tej për bashkëpunim të plotë me KFOR-in në të mirë të paqes dhe të stabilitetit në vend.“Të gjithë jemi duke e pritur vendimin për Kosovën.Ne shohim që qytetarët tani janë të lumtur me dinamikën e këtij procesi dhe ne ju sigurojmë që pavarësisht sfidave që mund të na dalin përpara, do ta mbajmë gjendjen nën kontroll në mbarë territorin e Kosovës, pra edhe në veriun e saj”, theksoi komandanti i KFOR-it, gjenerali Kather.Ndërsa, komandanti i ardhshëm, Xavier Bout de Marnhac, i cili këtë detyrë do ta marrë nga data 1 shtator 2007, pohoi se KFOR-i do ta vazhdojë punën e vet të deritanishme, duke e thelluar edhe më shumë bashkëpunimin me të gjitha strukturat e sigurisë në Kosovë, si edhe me qytetarët e Kosovës. Po ashtu, ai pohoi se e njihte mirë Kosovën dhe se ndihej i nderuar që do ta trashëgonte nga gjenerali Kather detyrën e komandantit të KFOR-it.

This site is registered on wpml.org as a development site.