presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Sejdiu dënoi dhunën kundër policisë së UNMIK-ut dhe KFOR-it në Mitrovicë

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, e ka dënuar fuqishëm dhunën e sotme të protestuesve serbë kundër policisë së UNMIK-ut dhe ushtarëve të KFOR-it, si dhe ka kërkuar nxjerrjen sa më të shpejtë të fajtorëve para drejtësisë. Më poshtë po e japim në tërësi deklaratën e Presidentit Sejdiu:

Aktet e sotme të dhunës në Mitrovicë kundër policisë së UNMIK-ut dhe pjesëtarëve të KFOR-it, janë tërësisht papranueshme për institucionet dhe popullin e Kosovës. Sulmi brutal i protestuesve ndaj mbrojtësve të rendit dhe të ligjit dëshmoi botërisht se uzurpatorëve të Gjyqit të Qarkut në Mitrovicë u pengon së tepërmi ligjshmëria, paqja dhe stabiliteti në Kosovë. Gjuatja me gurë, me kokteje molotovësh, madje edhe me armë zjarri, kundër policisë dhe forcave paqeruajtëse ndërkombëtare, nuk ka si të cilësohet ndryshe veçse si një akt i ligë, që nuk është në të mirën e askujt në Kosovë, pra as në të mirën e pjesëtarëve të komunitetit serb, të cilëve u bëjmë thirrje që të mos bien pre e nxitjeve të ndryshme, të cilat mund të vijnë nga kushdoqoftë, por t’i kthehen jetës dhe angazhimeve të përditshme, me qëllim që të gjithë të punojmë së bashku për një Kosovë demokratike, të prosperuar dhe të integruar në familjen e gjerë evropiane.Dëshirojmë të përshëndesim edhe një herë vendosmërinë e KFOR-it, UNMIK-ut dhe mekanizmave të tjerë ndërkombëtarë për ta mbrojtur rendin ligjor, duke i siguruar ata se gëzojnë përkrahjen tonë të plotë, si dhe nderimin e përhershëm të popullit të Kosovës. Me këtë rast, urojmë që policët dhe ushtarët e plagosur të shërohen sa më shpejt, kurse organeve të hetuesisës u bëjmë thirrje që t’i nisin menjëherë procedurat ligjore për zbardhjen e kësaj ngjarjeje të shëmtuar dhe vënien e fajtorëve para drejtësisë.Po ashtu, u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të ridëshmojnë pjekurinë e tyre politike, të ruajnë gjakftohtësinë dhe të mos bien nën ndikimin e provokimeve apo dezinformatave të ndryshme, që kanë për qëllim ta prishin stabilitetin në vend. 

This site is registered on wpml.org as a development site.