presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Sarkozy uroi Presidentin Sejdiu me rastin e përvjetorit të parë të Ditës së Pavarësisë

Presidenti i Francës, Nikolas Sarkozy, i ka dërguar një mesazh urimi Presidentit Fatmir Sejdiu dhe Kryeministrit Hashim Thaçi, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Në mesazh thuhet:Zoti PresidentZoti KryeministërKosova feston sot ditëlindjen e parë të pavarësisë së saj. Dëshiroj që në këtë ditë të veçantë t’ju adresoj, në emrin tim dhe në emrin e popullit francez, të gjitha urimet e mia.Deklarata e pavarësisë e 17 shkurtit 2008 ka hapur një etapë të re drejt paqes dhe stabilitetit në Ballkan. Kosova i ka treguar tërë botës se mund t’i dilte ballë sfidës së pavarësisë dhe të krijojë një Shtet të ri ku çdo bashkësi do ta kishte vendin e vet, ku normat dhe vlerat evropiane do të ishin njëkohësisht një qëllim dhe një kornizë aksioni. Kushtetuta të cilën e keni adoptuar më 15 qershor 2008 dhe ligjet e votuara që nga ajo kohë nga Parlamenti kosovar e dëshmojnë edhe vetë këtë gjë. Pavarësia, tashmë e njohur prej shumicës dërmuese të evropianëve dhe prej më shumë se pesëdhjetë shteteve anembanë botës, është e pakthyeshme.E di se mund të llogaris në aksionin tuaj të vendosur për t’i vënë rrënjët e Kosovës, me tërë larminë e saj, në gjirin e Evropës. E çmoj vullnetin tuaj për të punuar për bashkimin e të gjithë qytetarëve të Kosovës, dhe funksionimin e dialogut. Për të fashuar plagët e së kaluarës, pajtimi në mes të Serbisë dhe Kosovës, sikur dikur ai në mes të Francës dhe Gjermanisë, është i domosdoshëm. Vetëm ai pajtim do t’i mundësojë Kosovës dhe Serbisë të punojnë në një të ardhme të përbashkët që i pret në gjirin e Bashkësisë Evropiane. Sikurse tërë Evropës, Kosovës i duhet ndër të tjera që të përballojë sfidat ekonomike dhe sociale, dhe t’i sigurojë popullatës së vet një nivel zhvillimi adekuat.Të jeni të sigurt se përballë këtyre të gjitha sfidave, nesër sikurse edhe dje, Franca do të jetë përkrah jush.Ju lus pranoni, Zoti Kryetar, Zoti Kryeministër, shprehjen e konsideratës time më të lartë.Përzemërsisht,Nikolas Sarkozy

This site is registered on wpml.org as a development site.