presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e Presidentit Sejdiu me rastin e dekorimit të Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut me Medaljen e Artë të Lirisë

Kam ardhur sot me ndjenjën e veçantë të respektit dhe të vlerësimit për dy personalitete të shquara të historisë së re të vendit dhe kombit tonë, Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut, si dhe për të çmuar përkushtimin dhe kontributin që dhanë familja Zhitia dhe Fazliu për lirinë e Kosovës dhe të shqiptarëve.

Të nderuara familja Zhitia dhe Fazliu,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve dhe partive politike,
Të nderuar pjesëmarrës,

Kam ardhur sot me ndjenjën e veçantë të respektit dhe të vlerësimit  për dy personalitete të shquara të historisë së re të vendit dhe kombit tonë, Afrim Zhitisë dhe  Fahri Fazliut, si dhe për të çmuar përkushtimin dhe kontributin që dhanë familja Zhitia dhe Fazliu për lirinë e Kosovës dhe të shqiptarëve.

Dua të theksoj nga ky tubim nderimi në këtë ditë të rivarrimit të Afrimit dhe të shpalimit të memorialit se qëllimi i tyre i lartë, ishte t’i shihnin njerëzit të bashkuar dhe të dinjitetshëm, sepse kjo ishte rruga e vetme që do të mund të sillte lirinë e  vendit tonë.

Puna për lirinë e atdheut ishte moto që u shndërrua në parim të veprimit politik dhe kombëtar dhe që i frymëzoi ata deri në çastin e fundit të jetës së tyre.
 
Nga ky vend nderimi, si president i Republikës së Kosovës, i shtetit tonë të pavarur dhe sovran, në themelet e të cilit është edhe flijimi dhe vepra e Afrimit dhe Fahriut, dua të potencoj se  Kosova fitoi, sepse u punua, u luftua dhe u  sakrifikua nga breza të tërë. 

U punua nga individë, grupe, lëvizje, duke dhënë secili prej tyre pjesën e vet të qenësishme të kontributit të përbashkët për pavarësinë dhe sovranitetin e shtetit tonë tashmë të njohur nga 69 vende të botës.

Ne duhet të jemi krenar se bota ka vlerësuar punën dhe përkushtimin e popullit tonë për të mos jetuar i nëpërkëmbur dhe i persekutuar.

Por, tani është në detyrën tonë të çdoditshme, veçmas të institucioneve tona, të punohet shumë që vendi ynë të jetë i zhvilluar dhe qytetarët të  kenë mundësinë të bëjnë një jetë të mirë dhe dinjitetshme dhe të bëhemi pjesë e familjes së zhvilluar të vendeve evropiane.
 
Të nderuar pjesëmarrës,
 
Një çështje që po kështu do të dëshiroja ta theksoj është edhe kërkesa për të punuar më shumë që në shtetin tonë të ketë respekt dhe vlerësim institucional të plotë për luftëtarët, të rënët, veteranët, invalidët e luftës dhe po  kështu edhe për familjet e tyre.

Ne po punojmë për të pasur ligjet që do të japin zgjidhjet më të mira për këtë çështje. Kështu do të kryejmë një borxh të madh që ua kemi të gjithë atyre që  punuan, u flijuan dhe sakrifikuan për këtë ditë.

Të dashur pjesëmarrës,

Në Republikën e Kosovës duhet të kultivojmë mirëkuptimin, tolerancën dhe  respektin për gjithësecilin, që ishin  thesare në traditën e popullit tonë, dhe që tashti janë edhe vlerat më të çmueshem të qyetërimit bashkëkohor.

Në këtë kontekst, është koha të ketë respekt dhe vlerësim me pietet, dinjitet dhe  pa dallime për të kaluarën, për të gjithë luftëtarët dhe dëshmorët, për të gjithë atdhetarët dhe të përkushtuarit e përjetshëm që punuan, me dije dhe djersë, që Kosova dhe shqiptarët të jenë të lirë, krenar për të kaluarën dhe me vizion të qartë për të ardhmen. 

Është koha të marrin fund ndarjet dhe pjesëtimet që nuk kanë ekzistuar asnjëherë në qenien e njerëzve që sakrifikuan në beteja, burgje dhe izolime, sepse liria për të cilën ata dhanë gjakun dhe jetën e tyre, nuk mund të ndahen asnjëherë.

Të gjithë dëshmorët dhe njerëzit që punuan me devotshmëri për liri, i përkisnin të kaluarës së përbashkët, i përkasin të tashmes së përbashkët dhe do t’i përkasin të gjithë si një, të ardhmes së përbashkët.

Të nderuar pjesëmarrës,

Në këtë ditë të shënuar, unë si president i Republikë së Kosovës, në bazë të kompetencave që më jep Kushtetuta e Republikës së Kosovës, kam marrë vendim për dekorimin e Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut me Medaljen e Artë të Lirisë, për kontribut të veçantë dhënë për lirinë e Kosovës dhe të shqiptarëve.
Ky dekorim është vlerësim institucional për rolin e tyre të veçantë  në një periudhë të kthesave të mëdha historike të vendit tonë. Afrimi dhe Fahriu, që jetuan, punuan dhe ranë bashkë në moshë të re, u bënë shembull i trimërisë dhe dashurisë për atdheun. Ata treguan me veprën e tyre se si duhet të mbrohet e drejta e popullit për të jetuar i lirë dhe për të qeverisur veten.

Nga këtu,  theksoj  se prindërit, familjarët, po edhe gjithë vendi dhe shqiptarët do të jenë prore krenarë për veprën e Afrimit dhe Fahriut,

Lavdi përjetë Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR

This site is registered on wpml.org as a development site.