presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Jahjaga në REL: Nuk ka status për veriun

“Nuk ka status të veçantë dhe nuk ka Ahtisari plus. Nuk ka ndarje as të Kosovës e as të Serbisë…”, thotë presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë, gjatë vizitës që i ka bërë selisë qendrore të Radios në Pragë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja presidente, po shohim këto ditë sërish disa përpjekje të Bashkimit Evropian për të rivendosur dialogun në mes të Prishtinës dhe Beogradit. Në anën tjetër, ka pasur kërkesa në skenën politike në Kosovë që të braktisen fare këto bisedime. Shikuar nga zhvillimet e deritashme, a ka ndonjë kuptim sipas jush dialogu me Serbinë?

ATIFETE JAHJAGA
Po, sigurisht që ka kuptim, madje edhe mjaft. Dialogu, jo vetëm që është rruga më e mirë, por – këtë e kam thënë edhe herëve të tjera – është rruga e vetme që dy vende, të cilat kanë pasur një fazë të luftës dhe të konfliktit të armatosur, të mund t’i normalizojnë marrëdhëniet mes tyre dhe t’i zgjidhin të gjitha konfliktet dhe çështjet mes tyre.

Edhe Republika e Kosovës, edhe Republika e Serbisë duhet të vendosin marrëdhënie normale mes vete. Po ashtu duhet të vendosin marrëdhënie diplomatike dhe duhet t’i zgjidhin të gjitha çështjet, duke aplikuar apo duke vendosur marrëveshje ndërshtetërore – proces tanimë që Kosova e ka realizuar apo e ka kryer me të gjitha vendet e rajonit, veçanërisht me shtetet fqinje, si me Malin e Zi, me Maqedoninë dhe vende të tjera.

Edhe Serbia, edhe Kosova, në rregullimin e këtyre çështjeve duhet t’i marrin për bazë të gjitha praktikat dhe standardet më të mira të Bashkimit Evropian, sepse, tekefundit, e ardhmja apo synimi i dy vendeve është që të jenë vende anëtare të BE-së.

Pra, dialogu duhet të vazhdojë deri në arritjen e marrëveshjeve, ashtu siç është paraparë edhe me Rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, deri në gjetjen e zgjidhjeve që janë në të mirë dhe hyjnë në funksion të jetës së qytetarëve të të dyja vendeve.

RADIO EVROPA E LIRË
Mirëpo, mospajtimet kryesore ndërmjet palëve ndërlidhen me veriun e vendit. Këto probleme u patën bërë një lloj molle sherri edhe për dialogun në raundin e fundit. A mendoni se ka ndonjë rrugëdalje rreth veriut të Kosovës, me të cilën do të mund të qetësoheshin gjakrat sikurse në Prishtinë, ashtu edhe në Beograd?

ATIFETE JAHJAGA
Problemi në tri komunat në veri të Republikës së Kosovës është një problem që ka ekzistuar apo ka qenë nga fillimi. Problemi gjithnjë qëndron në mospranimin e pushtetit legal dhe legjitim të institucioneve të Republikës së Kosovës, edhe përkundër faktit që Republika e Kosovës e ka të garantuar sovranitetin dhe integritetin e saj territorial.

Doganat në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë nuk kanë funksionuar që nga fillimi. Këto dy pika kufitare janë përdorur si një portë e hapur për kontrabandim të mallrave dhe për realizimin e të gjitha aktiviteteve të grupeve të krimit të organizuar.

Kjo, në masë, ka bërë dëmtimin e buxhetit dhe të ekonomisë si të Kosovës, po ashtu edhe të Serbisë. Veçanërisht, ka bërë që grupet kriminale të përfitojnë në dëm të qytetarëve në këtë pjesë të Republikës së Kosovës.

Rrugëdalja e vetme është implementimi apo zbatimi i plotë i Planit të Ahtisarit dhe sigurisht mbajtja e zgjedhjeve në këto tri apo katër komuna në veri të Republikës së Kosovës, me qëllim që t’i kemi përfaqësuesit e zgjedhur, legalë dhe legjitimë të institucioneve të Republikës së Kosovës, të cilët do t’i përfaqësonin interesat e qytetarëve në këto komuna, në këtë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës, të cilët, njëherësh, do të zbatonin apo do të respektonin Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja presidente, janë përmendur disa opsione për veriun që nuk janë në përputhje me Pakon e Ahtisarit. Është përmendur një mbikëqyrje ndërkombëtare për veriun – ndonëse jozyrtarisht. A do ta mbështesnit një ide të tillë, një plan të tillë për veriun?

ATIFETE JAHJAGA
Jo. Jam fuqimisht kundër kësaj, sepse Kosova është një shtet i pavarur tanimë dhe është e pranuar nga 84 shtete të tjera të botës dhe ka marrëdhënie të vendosura diplomatike me të gjitha shtetet më të fuqishme të botës. Është në proces e sipër të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike edhe me shtete të tjera për interesa të përbashkëta.

Unë nuk jam dhe asnjëherë nuk kam qenë e gatshme që një pjesë të sovranitetit territorial të Republikës së Kosovës ta bart për një mbikëqyrje ndërkombëtare.

Nuk duhet të harrojmë që në Kosovë kemi misionin e UNMIK-ut dhe misionin e EULEX-it si misione ndërkombëtare, të cilat kanë pasur për detyrë sundimin e rendit dhe të ligjit. Këtë, gjatë gjithë kohës, e kanë bërë duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës dhe po ashtu duke i mbajtur të gjitha rregullat ndërkombëtare dhe duke bashkëpunuar gjatë tërë kohës me institucionet e Republikës së Kosovës.

Unë nuk besoj që ndonjë vend në botë, pa marrë parasysh se çfarë problemesh territoriale ka, do të kishte lejuar që një pjesë e territorit të tij t’i hiqet nga sovraniteti. 

RADIO EVROPA E LIRË
Ju thatë se në veri do të mbahen zgjedhjet sipas Planit të Ahtisarit, mirëpo a mund të jetë statusi i veriut të Kosovës temë e dialogut me Serbinë – nëse jo e këtij dialogu teknik, atëherë e ndonjë dialogu politik me palën serbe?

ATIFETE JAHJAGA
Jo, sepse duhet të jemi të qartë se nuk ka status për veriun. E vetmja autonomi që parashihet në Republikën e Kosovës është ajo në nivel komunal, ashtu siç parashihet edhe në kuadër të Planit të Marti Ahtisarit dhe të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Ky plan nuk parasheh ndonjë nivel tjetër të autonomisë, as për serbët, as për boshnjakët, as për turqit, madje as për shumicën e qytetarëve shqiptarë që jetojnë në territorin e Kosovës, sepse Kosova është shtet i qytetarëve; është e ndërtuar në parimin e qytetarëve, ku të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh a i përkasin kombësisë shqiptare apo të tjerave, kanë obligime dhe të drejta të barabarta.

Nuk ka status të veçantë dhe nuk ka Ahtisari plus. Nuk ka ndarje as të Kosovës e as të Serbisë dhe nuk ka shkëmbim as të territoreve e as të qytetarëve apo popullsisë – as për Kosovën e as për Serbinë.

Në qoftë se do t’i kishim dy nivele të autonomisë për serbët – një në Mitrovicë dhe një në Graçanicë, atëherë do të nxisnim shpërnguljen e komunitetit serb nga komuna e Graçanicës në komunën e Mitrovicës, duke menduar se do t’i realizonin më lehtë të drejtat e tyre kombëtare.

Mirëpo, nuk qëndron ashtu, sepse Kosova është një shtet unik, ku të gjitha komunitetet kanë të drejta të barabarta në realizimin e të drejtave të tyre kolektive dhe individuale.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju i përmendët disa probleme aktuale në mes të Kosovës dhe Serbisë. Si i vlerësoni raportet e përgjithshme në mes të dyja vendeve dhe çfarë mund të bëhet për t’i ndryshuar raportet me Beogradin zyrtar?

ATIFETE JAHJAGA
Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe i pranuar ndërkombëtarisht; është një realitet që ka një pranim ndërkombëtar; ka qenë dhe është një shembull i mirë i paqes dhe stabilitetit në rajon dhe ka marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjitha vendet e rajonit.

Interesimi ynë është që këto marrëdhënie fqinjësore t’i promovojmë dhe t’i avancojmë me të gjitha shtetet e tjera të rajonit. Kjo është një ndër rregullat e arta të Bashkimit Evropian.

Kurse, me Serbinë kemi pasur një gjendje lufte dhe të konfliktit të armatosur, që është zgjidhur me intervenimin ndërkombëtar të forcave të NATO-s – pra, përveç luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Është e kuptueshme që të gjitha ato vende që kanë pasur një fazë të luftës apo konfliktit, duhet t’i normalizojnë raportet apo marrëdhëniet e tyre. Kjo bëhet me vendosjen apo paraqitjen para ligjit të të gjithë kriminelëve në zhdëmtimin e popullsisë dhe në shpagimin e dëmeve të luftës.

Po ashtu, dihet që Kosova ka ende mbi 1,800 persona të pagjetur që u përkasin grupmoshave, gjinive dhe nacionaliteteve të ndryshme të Kosovës. Serbia ka një përgjegjësi të madhe në zbulimin e fatit të këtyre personave dhe të familjeve të tyre.

Opinioni po ashtu e di që njerëzit gjatë luftës në Kosovë janë marrë të gjallë dhe janë dërguar në territorin e Republikës së Serbisë, ku nga atje janë kthyer nëpër thasë mbetjet e tyre mortore.

Opinioni po ashtu e di që ende në territorin e Serbisë ka varreza masive dhe unë nuk mendoj që udhëheqja demokratike e Serbisë mund të fle e qetë mbi varrezat e qytetarëve të Kosovës, të cilët janë marrë të gjallë nga territori i Kosovës dhe janë dërguar gjatë luftës në territorin e Serbisë, vetëm me qëllim të mbulimit apo fshehjes së gjurmëve apo evidencave të krimit.

Kosova është e gatshme që të vendosë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe raporte ndërshtetërore me të gjitha shtetet, gjë që tanimë e ka bërë me të gjitha vendet e rajonit.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja presidente, i përmendët këto raporte me Serbinë, me rajonin, por edhe me botën. Ju vetë keni pasur, kohëve të fundit, mjaft udhëtime nëpër shumë vende të botës, në kuadër të fushatës lobuese për pavarësinë e Kosovës. Mirëpo, me diplomaci po merret edhe zëvendëskryeministri i parë, Behxhet Pacolli, pastaj dhe ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj…

Ka pasur mjaft kritika nga opozita, por edhe në përgjithësi skena politike në Kosovë, se diplomacia kosovare, siç thuhet, ka mbetur pa adresë. Mund të flitet për një gjendje të tillë?

ATIFETE JAHJAGA
Shikoni, Kosova është një vend i vogël edhe sa i përket numrit të popullsisë, edhe sa i përket territorit. Dhe, në kushte normale nuk do të kishim pasur nevojë për një numër apo për një kërkesë të vazhdueshme të njohjeve dhe vendosjes së marrëdhënieve diplomatike apo bilaterale me shumicën e shteteve.

Dihet që synimi i Kosovës është që të jetë pjesë e të gjitha organizatave rajonale dhe iniciativave rajonale ndërkombëtare dhe globale; synim i Kosovës është po ashtu edhe të qenët pjesë apo të bërit anëtare e organizatës ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara.

Dihet që ne kemi paraparë si një numër simbolik rreth 100 shtete, nga 194 shtete anëtare të OKB-së, që ta njohin Kosovën dhe kjo është njëfarëlloj, jo shtytje, por një obligim moral për këto shtete, edhe pse ne e dimë që procesi i anëtarësimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara është një proces mjaft kompleks, sepse kërkon propozimin nga ana e Këshillit të Sigurimit, ku Kosova ende nuk e ka votën e dy shteteve me të drejtë të vetos – që janë Rusia dhe kina.

Por, përkundër kësaj, ne vazhdojmë procesin tonë të mëtutjeshëm të rritjes së njohjeve, me qëllim që të jemi vend anëtar, sidomos tek ato shtete ku kërkohet shumica e votave dhe jo konsensusi.

Po ashtu dihet që njohjet janë akte individuale të shteteve, ku nuk ka mekanizëm tjetër, përveç shprehje e vullnetit të atyre shteteve që ta njohin apo të mos e njohin një shtet tjetër.

Kosova do të bëhet pjesë e procesit të liberalizimit të vizave; Kosova do të ketë një agjendë të qartë të integrimeve evropiane apo integrimeve euroatlantike dhe Kosova nuk do të vazhdojë të jetë dhe të veprojë në izolacion, siç ka qenë deri tani, por do ta ketë një agjendë të qartë sa u përket integrimeve evropiane.

Kosova ka një politikë mjaft unike sa i përket politikës së jashtme dhe të koordinuar jashtëzakonisht mirë. Dihet që presidenti është bartësi kryesor i politikës së jashtme për Republikën e Kosovës dhe vetë vizita jonë e fundit në Nju Jork është dëshmi e qartë e bashkëpunimit dhe koordinimit të të gjitha këtyre institucioneve, që janë bartëse, në njëfarë mënyre, të politikës së jashtme.

Mund të them se kritikat e tilla, që është diplomaci pa adresë, nuk qëndrojnë dhe nuk mund të qëndrojnë për këtë drejtim. 

This site is registered on wpml.org as a development site.