presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Intervistë e Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, për RTK, me rastin e vizitës në Gjermani

Themi në këtë kohë të zhvillimeve se Gjermania qëndron e palëkundur në raportet mbështetëse për Kosovën, për pavarësinë e saj, për integritetin dhe sovranitetin e saj të plotë, një angazhim i veçantë me përkushtim për ndikim tek vendet mike që ka, për të shtuar numrin e njohjeve dhe po kështu një garanci e mirë e Gjermanisë për mbështetje të zhvillimit ekonomik, sikur edhe të rrugës sonë të integrimeve euroatlantike.

Berlin, 6 maj 2010

RTK: Jeni pritur sot me nderime të larta nga zyrtarët më të lartë të shtetit gjerman, nga Kryetari, nga kryetari i Bundestagut, nga Kancelarja, nga ministri i punëve të Jashtme. Cila ka qenë tema që është biseduar në këto takime?

Presidenti Sejdiu: Po, unë them se është në radhë të parë një shprehje e respektit të madh për Kosovën dhe qytetarët e saj, dhe natyrisht edhe për mua me bashkëpunëtorë si përfaqësues të tyre në këtë ditë të rëndësishme për të gjithë ne.

Ajo që ka qenë temë e përgjithshme e bisedave me të gjithë zyrtarët më të lartë të shtetit, duke filluar nga Presidenti, Kancelarja e shtetit, Ministri i Jashtëm dhe Kryetari i Parlamentit, ka qenë në radhë të parë një falënderim i përzemërt për punët e mëdha që Gjermania ka bërë për Kosovën. Një mbështetje e fuqishme që Gjermania i ka dhënë proceseve të mëdha dhe mbështetje me përkushtim në proceset që kemi para vetes, një garanci po ashtu shumë e fuqishme për ne. Themi në këtë kohë të zhvillimeve se Gjermania qëndron e palëkundur në raportet mbështetëse për Kosovën, për pavarësinë e saj, për integritetin dhe sovranitetin e saj të plotë, një angazhim i veçantë me përkushtim për ndikim tek vendet mike që ka, për të shtuar numrin e njohjeve dhe po kështu një garanci e mirë e Gjermanisë për mbështetje të zhvillimit ekonomik, sikur edhe të rrugës sonë të integrimeve euroatlantike.

Pra, ne bëmë një kallëzim të themi të përgjithshëm të zhvillimeve pozitive që kemi, të sfidave që kemi para vetes si shoqëri dhe si vend dhe në të njëjtën kohë një përkushtim të veçantë që vërtetë Kosovën me gjithë gamën e madhe dhe të sfidave që kemi para vetes do ta ndërtojmë një Kosovë të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie, me garanci të veçanta për komunitetet pakicë ashtu siç garantohet me Pakon e Ahtisarit dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Të njëjtën kohë një përkushtim i thellë i yni për të përmbushur kriteret e nevojshme që lypen për aspektet e integrimeve, duke filluar nga pjesa e liberalizimit të vizave si një proces paraprak që besoj se për Kosovën duhet të shpejtohet dhe proceset e tjera që kanë të bëjnë me integrimet.

RTK: Si e kanë vlerësuar ecjen e Kosovës nëpër këto procese?
Sejdiu: Vlerësimi i përgjithshëm është pozitiv dhe gjithmonë mund të them se gjithmonë bëhet një analizë e asaj çfarë kemi pasur para vetes. Duke pasur parasysh një ekonomi të shkatërruar dhe një shoqëri thjeshtë të traumave të mëdha dhe të tragjikes së përjetuar, por, të njëjtën kohë, themi një përgjigje e mirë ndaj prognozave të këqija.
Pra, Kosova ka mbajtur stabilitetin e saj dhe kjo vlerësohet shumë, ka bërë një lëvizje të mirë në aspektin e zhvillimit ekonomik, një lëvizje të mirë në aspektin e ndërtimit të institucioneve të saj dhe garancive kushtetuese që ka dhënë për qytetarët e vet.

Të njëjtën kohë ka edhe pjesë të sfidave që i kemi prezente tek ne që kërkohet thjeshtë të lëvizin më shpejt, duke marrë shembull edhe vendet e tjera të tranzicionit apo të Evropës Juglindore që është dashur t’i plotësojnë për të qenë anëtare të Bashkimit Evropian.

RTK: Është përmendur ndonjë segment se ku Kosova apo institucionet e Kosovës duhet të fokusohen më shumë apo të punojnë më shumë?
Sejdiu: Veçanërisht është përmendur çështja e zhvillimit ekonomik dhe partneritetit që duhet të ndërtohet me investime edhe të jashtme, pra, me mundësitë e një konkurrence të mirë. Është përmendur edhe ajo që është pjesë prezente dhe fokus i EULEX-it në Kosovë, çështja e sundimit të ligjit.

Pra, Kosova duhet të dëshmojë ende plus, pra një qasje edhe më proaktive për të pasur një rregullsi në punën e institucioneve të veta, duke pasur parasysh atë që edhe ne e kemi shprehur si nevojë imediate çështjen e reformës së gjyqësorit dhe sistemit prokurorial, por, edhe sistemeve tjera që komplementohen apo bashkëpunojnë, pavarësisht se janë pushtete të ndara.

RTK: Është biseduar edhe për riatdhesimin e banorëve?
Sejdiu: Jo, nuk ka qenë temë që të bisedohet. Më tepër ka qenë temë të themi e pjesës falënderuese për mbështetjen e madhe që i është dhënë njerëzve. Është biseduar në segmente të caktuara për qytetarë që vërtetë duan të kthehen në Kosovë që të krijohen mundësi. Dhe ne natyrisht s’mund të themi jo, për asnjë njeri të Kosovës, pavarësisht se i cilës etni do të jetë dhe në këtë kuadër për ne është vërtetë e nevojshme që të bëjmë kushte më të mira.

Në një nga takimet është biseduar edhe për çështjen e romëve, ne e shpjeguam qasjen tonë që para pak ditësh edhe kemi filluar ndërtimin e një kompleksi të ri për vendbanimet e tyre, por, edhe për integrim aktiv në jetën e përditshme.

This site is registered on wpml.org as a development site.