Fjala e Presidentes Jahjaga në pritjen zyrtare me rastin e shënimit të 28 Nëntorit

Po e festojmë këtë ditë të shënuar në historinë e popullit tonë, të ngritjes së flamurit në Vlorë, të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, që i dha fund okupimit, për t’u bërë sovran në trojet tona, ashtu sikur të gjithë popujt e tjerë të rajonit.

I nderuari President i Shqipërisë, zotëri Nishani,
I nderuar Kryeministër i Shqipërisë, zotëri Sali Berisha,
I nderuari President i Malit të Zi, zotëri Filip Vujanovic,
I nderuar Kryeparlamentar i Kosovës, zotëri Krasniqi
E nderuar Kryeparlamentare e Shqipërisë, zonja Topalli,
Të nderuar ambasadorë,
Të nderuar përfaqësues nga Presheva, Maqedonia e Mali i Zi,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
 
Sonte jemi mbledhur këtu, bashkë me miqtë tanë ndërkombëtarë,  me të cilët na lidhë historia jonë shumë shekullore në rrugëtimin tonë për liri, pavarësi dhe demokraci.
 
Po e festojmë këtë ditë të shënuar në historinë e popullit tonë, të ngritjes së flamurit në Vlorë, të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, që i dha fund okupimit, për t’u bërë sovran në trojet tona, ashtu sikur të gjithë popujt e tjerë të rajonit.
 
Në këtë 100-vjetor, e kthejmë kokën prapa për të nderuar sakrificën dhe punën e të gjithë brezave, për të vlerësuar angazhimin tonë të përbashkët dhe për ta bërë hapin e sigurt përpara, për arritjen e synimit tonë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO, në miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
 
Ky shekull nisi me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë dhe u përmbyll me lirinë e Kosovës. Shqiptarët me ngritjen e flamurit fuqishëm u rikthyen në familjen evropiane dhe rivendosën vlerat tradicionale të civilizimit perëndimor.
 
Kombi shqiptar sot është i lirë kudo që jeton, në të gjitha trojet e veta, duke realizuar aspiratat për të qenë i barabartë me popujt e  tjerë.
 
Ne si asnjëherë më parë në histori e kemi rastin të punojmë për ardhmëri më prosperuese, si faktor stabiliteti, në bashkëpunim dhe në fqinjësi të mirë me të gjithë popujt dhe vendet. Në paqe!
 
Koha e hegjemonisë, e imponimit dhe e ideologjisë së urrejtjes përgjithmonë ka përfunduar.
 
Ky shekull është shekulli i integrimeve dhe i mirëkuptimit, i ndihmës së ndërsjellë për përparimin tonë të gjithëmbarshëm.    

Në këtë përvjetor uroj për mirëqenien dhe përparimin e kombit shqiptar, të vendeve dhe të popujve miq.
 
Falënderoj Shqipërinë për gjithë ndihmën dhe përkrahjen që e dha gjatë gjithë periudhave, si shtet dhe vend që zhvilloi marrëdhënie të mira me të gjithë, duke qenë faktor paqeje dhe stabiliteti, nxitës i bashkëpunimit rajonal, të sinqertë dhe ndërmjet të barabartëve.
 
Urime 100-vjetori i Pavarësisë!
 
Zoti na bekoftë!

Agjenda