FJALIMI I PRESIDENTES ATIFETE JAHJAGA NË DITËN E FORCËS SË SIGURISË SË KOSOVËS

Sot me krenari po shënojmë ditën e Forcës së Sigurisë së Kosovës, e cila falë punës së palodhshme të pjesëtarëve të saj është institucioni më i respektuar i Republikës së Kosovës.

I nderuar kryeministër Thaçi,
I nderuar ministër Çeku,
I nderuari komandant i FSK-së, Gjenerallejtënant Kastrati
Të nderuar udhëheqës dhe përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës,
Ambasadorë dhe krerë të misioneve ndërkombëtare në Kosovë,
Të nderuara familjarë të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë,
Oficerë, nënoficerë dhe ushtarë,
Zonja dhe zotërinj,
 
Sot me krenari po shënojmë ditën e Forcës së Sigurisë së Kosovës, e cila falë punës së palodhshme të pjesëtarëve të saj është institucioni më i respektuar i Republikës së Kosovës. Sot po e festojmë suksesin tonë të përbashkët të arritur me shumë mund dhe sakrificë, por mbi të gjitha po i përkulemi përkushtimit të pashembullt të pjesëtarëve të kësaj force për t’iu vënë në shërbim qytetarëve të vendit tonë dhe për t’u bërë kontribuues i paqes në Kosovë dhe rajon.
 
Rezultatet e përkushtimit, suksesit dhe avancimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë të prekshme dhe ato po i shohim qartë këtu para nesh. Brenda një kohë të shkurtër, Forca e Sigurisë së Kosovës u shndërrua në institucionin më të besueshëm të Republikës së Kosovës, duke iu dalë në ndihmë qytetarëve të vendit, pa dallim.
 
Përmes Forcës së Sigurisë së Kosovës – misionit dhe qëllimit - ne kemi nisur një kapitull të ri në historinë tonë – atë të paqes dhe sigurisë për të gjithë, të vetëdijshëm se qytetarët e Kosovës meritojnë një jetë të dinjitetshme, të bindur se pa to nuk mund të realizojmë përparimin që e synojmë. Me të njëjtin përkushtim, të palëkundur dhe të sigurt në rrugëtimin tonë, ne po ndërtojmë të ardhmen, po dëshmojmë se jemi faktor stabiliteti dhe rrëfim suksesi.
 
Ne po ndërtojmë një vizion të ri për vendin dhe popullin tonë, vizionin e një force të qëndrueshme me një të ardhme të qartë dhe prosperuese
 
Kosova ka për synim integrimin në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Si shtet ne synojmë të ndërtojmë dhe forcojmë partneritetin tonë strategjik dhe të përhershëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse bashkërisht ndajmë përkushtimin për vlerat e përbashkëta të lirisë dhe demokracisë.
 
Republika e Kosovës ndjek politikën e fqinjësisë së mirë me të gjitha shtetet dhe si shtet demokratik respektojmë sovranitetin dhe integritetin e të gjitha shteteve tjera. Aq sa edhe shtetet e tjera duhet ta respektojnë sovranitetin e Republikës së Kosovës dhe integritetin territorial të saj. E kemi të normuar në Kushtetutë që Kosova nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë vendi tjetër, të bindur se politikat e hegjemonisë, të kërcënimeve për përdorim të dhunës dhe ideologjive të urrejtjes kanë kaluar.
 
Për profesionalizmin e FSK-së dhe ndërtimin e kapaciteteve të saj e shkollimin e kuadrove të reja që janë rreshtuar në radhët e saj, e falënderojmë në mënyrë të posaçme NATO-n dhe forcën e saj paqeruajtëse në Kosovë si dhe Gardën Kombëtare Amerikane, në veçanti atë të shtetit amerikan të Iowas. Nën mbikëqyrjen e tyre Forca e Sigurisë së Kosovës jo vetëm që ka përmbushur pritjet, por i ka tejkaluar ato duke u aftësuar, që në një të ardhme të afërt të bëhet pjesë e Partneritetit për Paqe dhe anëtare me të drejta të plota e NATO-s.
 
Në përmbushjen e qëllimeve tona strategjike drejt integrimit në BE dhe në NATO, Forca e Sigurisë së Kosovës zë vend kyç në përpilimin dhe implementimin e politikave të sigurisë së shtetit tonë dhe në kontributin që ne synojmë ta japim në misionet ndërkombëtare të ndërtimit dhe ruajtjes së paqes.
 
Brenda Kosovës ju jeni mishërim i idealeve të shtetit tonë, ndërsa në rajon dhe botë ju përbëni mekanizmin përmes të cilit ne si shtet do të lidhim aleanca bashkëpunimi në interes të sigurisë globale.
 
Oficerë, nënoficerë, ushtarë të FSK-së,

Ju keni vendosur themele të qëndrueshme të një force demokratike dhe paqësore që ngërthen në vete një të kaluar të lavdishme, një të tashme të qëndrueshme dhe një të ardhme prosperuese në përputhje me vizionin tonë si shtet të ndërtuar mbi parimin e barazisë dhe lirisë për secilin qytetar.

Sot ne po ju nderojmë juve, të gjithë ata të rinj të jashtëzakonshëm që veshën uniformën për guximin dhe për dashurinë që treguan për shtetin e tyre dhe ndërtimin e mirëfilltë të tij.
 
Ju falënderoj dhe ju shpreh mirënjohjen time personale dhe atë të qytetarëve të Kosovës për kontributin dhe devotshmërinë tuaj për ta ndërtuar dhe profesionalizuar Forcën e Sigurisë së Kosovës, për mishërimin me misionin e saj dhe për përkushtimin tuaj që të jeni pranë qytetarëve të Kosovës.
 
Ende i kemi të freskëta pamjet e Restelicës dhe ditët e netët dramatike kur ju oficerë të nderuar, pareshtur, ndonjëherë edhe me duar të zhveshura, gërmonit nën borën e thellë për të shpëtuar familjet e ngujuara nga orteku. U ndjemë krenarë edhe atëherë kur defiluat krahas partnerëve tanë rajonal, duke i përforcuar urat e miqësisë dhe bashkëpunimit për të mirën e atdheut tuaj dhe gjithë rajonit.
 
Ju po ndërtoni paqen për familjet tuaja që ju përkrahin në këtë mision fisnik. Për të gjithë qytetarët e Kosovës. Për gjithë Kosovën. Për vlerat dhe idealet që na mbajtën të gjallë dhe të bashkuar atëherë kur po rrezikohej vet qenia jonë si popull dhe tani që na udhëheqin në rrugëtimin tonë drejt konsolidimit si shtet i pavarur dhe sovran.
 
Është kjo punë e palodhshme dhe ky përkushtim ndaj qytetarëve të Kosovës që bëri që ju sot ta gëzoni besimin e palëkundur të tyre.
 
Gëzuar ditën tuaj, që po e festoni të veshur me uniformën tuaj të re.
 
Dëshiroj t’iu drejtohem edhe juve familjarë të nderuar, prindër, bashkëshortë me një falënderim të veçantë për përkrahjen tuaj të vazhdueshme për Forcën tonë të Sigurisë, krenarinë e vendit tonë dhe njëherit t’iu uroj për suksesin e tyre të vazhdueshëm.
 
Ndihuni krenarë për ta… Të gjithë ndihemi të tillë.

Të nderuar pjesëtarë të FSK-së,
 
Si Presidente e Republikës së Kosovës, si Komandante Supreme e juaj, është nder i veçantë për mua të parakaloj pranë jush pjesëtarë të nderuar të Forcës së Sigurisë të Kosovës.

Përkrahja ime për FSK-në dhe për ju ushtarë, oficerë dhe nënoficerë do të jetë e përhershme dhe e parezervë si obligim kushtetues dhe ligjor për rritjen, transformimin dhe forcimin tuaj.
 
Si pjesë e pandashme e infrastrukturës tonë të sigurisë, bashkërisht do të punojmë që në muajt dhe vitet që vizioni dhe përcaktimi ynë strategjik të jetësohet, të bindur se jemi të gatshëm jo vetëm të marrim përgjegjësitë dhe obligimet për sigurinë e vendit tonë, por të ruajmë paqen krahas forcave aleate në misione ndërkombëtare, në përputhje me nevojat tona dhe normat ndërkombëtare.

Qofshi të bekuar ushtarë të nderuar që i shërbeni vendit dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës!

Ju faleminderit!

Agjenda