Belize njeh pavarësinë e Kosovës

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, ka marrë sot një letër nga Qeveria e Belizesë, shtet i Amerikës Qendrore, me anë të së cilës njoftohet që ky vend e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.

Me poshtë po e japim tekstin e kësaj letre:

Qeveria e Belizesë njeh Kosovën e pavarur si shtet sovran dhe e mirëpret atë si anëtar të ri në bashkësinë ndërkombëtare. Me këtë, Belize i bashkohet numrit të madh të shteteve që tashmë e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Qeveria e Belizesë e di se janë bërë gjithë përpjekjet për arritjen e një zgjidhjeje të negociuar  dhe shpallja e pavarësisë nga populli i Kosovës, nëpërmjet qeverisë së tyre të zgjedhur me zgjedhje të lira, përfaqëson vullnetin e popullit.

Ne e përgëzojmë popullin e Kosovës për vendimin e tyre që të ecin drejt pavarësisë dhe të sigurojnë se proceset demokratike mbrohen dhe respektohen. Ne në veçanti mirëpresim deklaratat e Qeverisë së Kosovës për përkushtimin e saj për zbatimin e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe parimeve e rregullave të së drejtës ndërkombëtare për të mbajtur paqe e stabilitet në rajon dhe përkushtimin e saj për të jetuar në bashkëjetesë paqësore me fqinjët.

Ne e përkrahim përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të bashkëpunuar plotësisht me bashkësinë ndërkombëtare gjatë periudhës së mbikëqyrjes ndërkombëtare, për të cilën ajo është pajtuar dhe të sigurojë promovimin dhe mbrojtjen e të gjitha të drejtave të njeriut duke përfshirë të drejtat themelore të të gjithë njerëzve përfshirë edhe grupeve minoritare.

Ministria e Punëve të Jashtme
Belmopan, Belize

 

Agjenda