REPUBLIKA E NAURUSË NJOHU REPUBLIKËN E KOSOVËS

Misioni i Përhershëm i Republikës së Naurusë në Kombet e Bashkuara e ka njoftuar Presidentit e Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, se ky vend, që shtrihet në perëndim të Oqeanit Pacifik dhe është anëtar i OKB-së, ka vendosur ta njohë Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran dhe të vendosë marrrëdhënie diplomatike me vendin tonë.Më poshtë po e japim në tërësi letrën e Misionit të Përhershëm të këtij shteti në Kombet e Bashkuara dërguar Presidentit Sejdiu:

Misioni i Përhershëm i Republikës së Naurusë në Kombet e Bashkuara

Misioni i Përhershëm i Republikës Nauru në Kombet e Bashkuara shpreh komplimentet e tij për Qeverinë e Kosovës dhe ka nderin t’i referohet korrespodencës nga Shkëlqesia e tij z. Fatmir Sejdiu, President i Republikës së Kosovës, të datës 17 shkurt 2008, adresuar Shkëlqesisë së tij Dr. Kieren Keke, Ministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Naurusë lidhur me propozimin për të njohur Kosovën si shtet të pavarur, përfshirë vendosjen e marrëdhënieve të plota diplomatike.

Misioni i Përhershëm i Republikës së Naurusë ka kënaqësinë ta njoftojë Qeverinë e Kosovës lidhur me vendimin e Qeverisë së Naurusë që ta njohë plotësisht Republikën e Kosovës si shtet të pavarur. Për më tepër, Qeveria e Naurusë pranon propozimin për vendosjen e marrëdhënieve të plota diplomatike dhe misionit diplomatik, në bazë të Konventës së Vjenës mbi Marrëdhëniet Diplomatike.

Misioni i Përhershëm i Republikës së Naurusë në Kombet e Bashkuara shfrytëzon këtë rast të shprehë konsideratat e tij më të larta për Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Nju - Jork,
Misioni i Përhershëm i Republikës së Naurusë në Kombet e Bashkuara

 

Agjenda