Presidenti Thaçi uron homologen malteze për marrjen e kryesimit të Këshillit të Bashkimit Evropian

1 janar 2017, Prishtinë – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, e ka uruar Presidenten e Republikës së Maltës, Marie Louise Coleiro Preca, me rastin e marrjes së kryesimit të Këshillit të Bashkimit Evropian nga ana e shtetit maltez.

Në telegramin e tij të urimit dërguar homologes Coleiro Preca, presidenti Thaçi ka shkruar se udhëheqja e Këshillit të Bashkimit Evropian nga Malta dhe parimet që ky vend promovon, e forcojnë besimin e kosovarëve se kanë zgjedhur më së miri se pjesë e cilës familje dëshirojnë të jenë.

Ky është telegrami i presidentit Thaçi drejtuar presidents Coleiro Preca:
 
Shkëlqesia Juaj, e nderuara presidente Coleiro Preca,

Më lejoni t’ju uroj për marrjen e kryesimit të radhës të Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian nga 1 janari 2017 dhe të shpreh bindjen time se udhëheqja juaj do të kontribuojë në shtyrjen përpara të çështjeve më të rëndësishme për Bashkimin Evropian dhe tërë kontinentin e Evropës.

Kryesimi juaj vjen në një kohë të rëndësishme për BE-në, në momentin kur Unioni duhet të fillojë të japë edhe më shumë për qytetarët e vet. Nuk ka dyshim se BE përbën projektin më të suksesshëm ndërkombëtar, meqë ka përmbushur me sukses të plotë misionin e vet themeltar - të sigurojë paqen  mes të gjitha shteteve anëtare të tij.

Sot, qytetarët e shteteve anëtare të BE-së kërkojnë që unioni t’ju ofrojë edhe më shumë. Në programin që keni përgatitur për presidencën tuaj keni identifikuar saktë sfidat me të cilat ballafaqohet sot BE, të tilla si migrimi, tregu i përbashkët, siguria, gjithë-përfshirja sociale dhe politikat e fqinjësisë e të zgjerimit. Uroj që së bashku me shtetet e tjera anëtare të BE-së të gjeni përgjigje në këto sfida dhe t’i jepni një kualitet të ri Bashkimit Evropian.

Për shtetet si Kosova, forcimi i BE-së është forcim i besimit se paqja dhe stabiliteti do të mbizotërojnë një herë e përgjithmonë në mbarë kontinentin e Evropës.

Qytetarët e Kosovës janë të një mendjeje sa i përket të ardhmes evropiane të shtetit tonë. Udhëheqja e juaj, vlerat dhe parimet që ju promovoni, e forcojnë besimi tonë se kemi zgjedhur më së miri se pjesë e cilës familje do të jemi, dhe se me kryesimin e saj, Malta do t’i japë një shtysë të re dhe më dinamike jetësimit të proceseve të rëndësishme për qytetarët e Republikës së Kosovës në rrugëtimin e vendit drejt BE-së.

I bindur në suksesin e kryesimit tuaj të Këshillit të BE-së, ju uroj punë të mbarë dhe ju shpreh përkrahjen tonë të plotë në punën tuaj.

Agjenda

KOSOVO IN UNESCO