Fjala e Presidentes Jahjaga në Lansimin e Qendrës Kërkimore për Studime Gjinore në Fakultetin e Filozofisë në UP

Është kënaqësi të jem së bashku me ju për të lansuar themelimin e një dimensioni të ri akademik në Universitetin e Prishtinës, përkatësisht pranë Institutit për Studime Sociale dhe Humanistike të Fakultetit Filozofik, që do të fuqizojë kështu një krahë të fort, në përpjekjet dhe përkushtimin tonë si shoqëri për të avancuar rolin e grave në çdo fushë të jetës.

I nderuar Ministër Agani,
I nderuar rektor z. Gashi,
Të nderuar dekanë dhe profesor të UP-së
Të nderuar mysafir nga Kolegji Dartmouth,
Të nderuar pjesëmarrës,
 
Është kënaqësi të jem së bashku me ju për të lansuar themelimin e një dimensioni të ri akademik në Universitetin e Prishtinës, përkatësisht pranë Institutit për Studime Sociale dhe Humanistike të Fakultetit Filozofik, që do të fuqizojë kështu një krahë të fort, në përpjekjet dhe përkushtimin tonë si shoqëri për të avancuar rolin e grave në çdo fushë të jetës.
 
Kjo iniciativë reflekton mbi përgjegjësit që të gjithë kemi dhe që duhet të marrim përsipër për të avancuar pozitën e gruas në shoqërinë tonë, qofshim udhëheqës të institucioneve publike politike apo akademike, anëtarë të sektorit privat apo shoqërisë civile, apo qytetar të thjeshtë.
 
Përgjegjësi që na prek te gjithë ne pasi pjesëmarrja e gruas, e gjysmës së shoqërisë, reflekton llojin e shoqërisë në të cilën duam të jetojmë, mirëqenien dhe progresin që duam të kemi, dhe botën që do t’jua lejmë trashëgim gjeneratave të ardhshme. Siç thotë Ish-Sekretaria e Shtetit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, znj. Madeleine Albright: “demokracia është e ndryshme në çdo vend, por pa gra, demokracia është e pamundur në çdo vend”.
 
Një vit më parë në Tetor, ndërmora nismën që si Presidente e parë grua e Kosovës por edhe e para në rajon, të organizoj një Samit Ndërkombëtar të Gruas për të diskutuar rreth sfidave që preokupojnë gratë e Kosovës që në fakt paraqesin preokupimin e të gjitha grave nëpër botë.
 
Mbi 200 gra nga e gjithë bota, gra me origjinë të ndryshme, përkatësi të ndryshme etnike dhe kombëtare, me përvoja të ndryshme që jetojnë në vende të ndryshme të botës, u mblodhëm në Prishtinë.  Punuam bashkërisht për të gjetur përgjigjet dhe zgjidhjet që qojnë drejtë avancimit të pozitës së gruas në çdo sferë të jetës, shprehje e përkushtim tonë për të ndërtuar shoqëri demokratike dhe gjithëpërfshirëse.
 
Në të gjitha bisedat mesazhi ishte i qartë - pjesëmarrja e gruas në vendimmarrje influencon fuqizimin e saj ekonomik që kontribuon në sigurinë e të gjithë qytetarëve, ku qasja në edukim luan rol kyç. U theksua pra që investimi në grua është investim në të ardhmen e fëmijës, familjes, shoqërisë – është investim në të ardhmen e një vendi.
 
Këto biseda u kurorëzuan në dokumentin që e quajtëm Parimet e Prishtinës.
 
Është synimi i imi që këto Parime të krijojnë atë masë kritike të nevojshme, që me anë të përkushtimit konkret dhe iniciativave të prekshme, bëjnë të mundur fuqizimin e gruas në çdo fushë të shoqërisë dhe sigurojnë pjesëmarrjen e saj në çdo nivel.
 
Ky synim ka udhëhequr çdo nismë të dalë nga Samiti Ndërkombëtar i Gruas që për bazë kanë Parimet e Prishtinës, përkatësisht Dhomën Ekonomike të Grave të Kosovës dhe Rezolutën e Parimeve të Prishtinës e miratuar në Kuvend e Kosovës.
 
Kjo Qendër që sot është bërë një realitet, fryt i një bashkëpunimi të filluar në mes Zyrës sime dhe Universitetit Dartmouth gjatë vizitën që kisha atje vitin e kaluar, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Universitetit Dartmouth në Samit, dhe bisedave të vazhdueshme për nevojën e një Qendre të tillë në Kosovë, gjeti partnerin e duhur për ta realizuar atë - Universitetin e Prishtinës, duke zgjeron kështu gamën e mekanizmave që kanë pjesë të misionit të tyre jetësimin e Parimeve të Prishtinës.
 
Jam e bindur që me punën e saj kjo Qendër do të rreshtohet pranë iniciativave të vazhdueshme të ndërmarra nga gratë me dekada të tëra për të avancuar rolin e tyre në shoqëri, me anë të misionit të saj për ti shërbyer botës akademike dhe të gjithë shoqërisë, duke ndërtuar ura bashkëpunimi dhe mirëkuptimi ndërmjet institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, duke vënë në fokus rëndësinë që gruaja ka luajtur gjithmonë në zhvillimin e shoqërisë sonë, rol që vazhdon ta luaj çdo ditë.
 
Ju uroj suksese në punën tuaj dhe ju sigurojë që do ta keni përkrahjen time të vazhdueshme.