Presidentja Atifete Jahjaga priti një delegacion nga Egjipti

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim një delegacion nga Egjipti, i kryesuar nga Ahmed Fahmi Ahmed, kryetar i Këshillit Shura, Dhoma e Lartë – Këshilli Konsultativ.

Presidentja Jahjaga, delegacionin nga Egjipti e njoftoi me zhvillimet më të fundit në vendin tonë, duke theksuar se përmbyllja e mbikëqyrjes së pavarësisë është një sukses i përbashkët i popullit, institucioneve dhe miqve ndërkombëtarë të Kosovës.
 
Presidentja e njoftoi delegacionin nga Egjipti edhe me procesin e shtetndërtimit dhe të njohjes ndërkombëtare të pavarësisë së vendit. Ndërkaq, duke folur për forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve në mes të dy vendeve, ajo tha se njohja e Republikës së Kosovës nga Egjipti do të shënonte një moment të ri në procesin e konsolidimit të shtetësisë së Kosovës ndërkombëtarisht, sepse do të përshpejtonte njohjet edhe nga vendet e tjera të kontinentit afrikan.
 
Presidentja Jahjaga e falënderoi delegacionin nga Egjipti për votën pro që i ka dhënë vendi i tyre anëtarësimit të Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe theksoi rëndësinë e përkrahjes nga Egjipti për anëtarësimin e Kosovës edhe në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
 
Ndërsa, Ahmed Fahmi Ahmed, kryetar i Këshillit Shura, në emër të delegacionit nga Egjipti, tha se pas revolucionit në këtë vend, ka ndryshuar edhe qasja ndaj Kosovës dhe theksoi se jemi në rrugë të mirë të ndërtimit të marrëdhënie të mirëfillta në mes të dy vendeve tona.

Agjenda