Presidentja Atifete Jahjaga ngushëlloi Presidentin Bamir Topi
Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, ka ngushëlluar Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, pas aksidentit të rëndë të trafikut që ndodhi në aksin rrugor Sarandë-Himarë, në të cilin humbën jetën dhe u plagosën një numër studentesh të Universitetit Aleksandër Xhuvani të Elbasanit.
E hënë, 21 maj 2012Në telegramin e ngushëllimit të Presidentes Jahjaga, thuhet:
I nderuari President Topi,
Me dhimbje të thellë morëm lajmin mbi vdekjen tragjike, si dhe plagosjen e studenteve të Universitetit Aleksandër Xhuvani të Elbasanit, në aksidentin e trafikut që ndodhi në aksin rrugor Sarandë Himarë.
Pranoni ngushëllimet e sinqerta të qytetarëve, institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të miat personalisht, për humbjen tragjike të jetëve të studenteve.
Në këto çaste të rënda për familjarët e viktimave dhe për tërë Republikën e Shqipërisë jemi pranë jush për të ndarë dhimbjen e madhe për këtë tragjedi.
Zotëri President, ju shpreh solidaritetin e qytetarëve dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe ju ofrojmë përkrahjen e plotë.









