Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti Ipeshkvin e Ipeshkëvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergjin

Presidentja e Republikës së Kosovës zonja Atifete Jahjaga priti në një takim Ipeshkvin e Ipeshkëvisë së Kosovës Imzot Dodë Gjergjin me të cilin bisedoi për çështjet aktuale në vend dhe për rolin e Kishës katolike dhe të klerit në përgjithësi.

Duke ju dëshiruar mirëseardhjen Ipeshkvit Imzot Dodë Gjergji, Dom Lush Gjergjit dhe Dom Shan Zefit, Presidentja e Kosovës zonja Atifete Jahjaga, theksoi rolin e madh të Kishës Katolike gjatë historisë dhe tash që nën binomin për Fe e Atdhe te populli ynë kultivoi ndjenjat e bindjeve dhe të besimit dhe të atdhedashurisë duke sjellë mirëkuptimin, mirësinë, solidaritetin dashurinë dhe ndihmën e reciproke ndërmjet njerëzve Kisha katolike ruajti traditat kombëtare dhe dinjitetin kombëtar ndër shekuj duke qenë gjithherë së bashku me popullin.

Presidentja e vendit në bisedën e përzemërt theksoi se Republika e Kosovës është një shtet i ri por që ka një traditë dhe një shoqëri të lashtë me një përkushtim ndaj civilizimit evropian, të cilit tash fuqimisht po i kthehet dhe theksoi se “populli ynë kultivon tolerancën fetare dhe respektin vëllazëror ndërmjet njerëzve një vlerë që çmohet dhe që na ka mbajtur së bashku”.

Presidentja e Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, i ofroi të gjithë mbështetjen institucionale dhe përkushtimin personal, Kishës Katolike ashtu si edhe komuniteteve të tjera fetare duke theksuar parimin qytetar të ndërtimit të shtetit dhe të shoqërisë kosovare.

Ipeshkvi i Ipeshkëvisë së Kishës Katolike të Kosovës, imzot Dodë Gjergji, duke falënderuar Presidenten e vendit për pritjen theksoi konsistencën, përkushtimin dhe vijën e qartë të saj ndaj çështjes së fesë, ndaj historisë dhe traditës.

“Ne liderët  shpirtëror, fetar e shtetëror në saje të punës e angazhimit jemi dhe do të jemi    të përkushtuar për të mirën e besimtarëve, të popullit dhe të vendit tonë”, theksoi Ipeshkvi i Ipeshkëvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji që e ftoi Presidenten e vendit për një vizitë në selinë e Ipeshkëvisë.

Agjenda